Rektori të jap dorëheqje
Shkruar nga Seremb Gjergji
Gjashtë vjetori i Pavarësisë, po e gjen Kosovën në një situatë dhe në një klimë ku Universiteti i Prishtinës Rektoratit u kanë dalë manipulimet dhe keqpërdorimet në shesh. Pra me një proces edukimi të keqpërdorur dhe keq-menaxhuar. Tash po kërkohet ndryshimi; dhe ky ndryshim nuk vjen nga jashtë, por nga brenda. Ka ardhë koha që Rektori të jap dorëheqje madje edhe nëse është vetëm për çështje morale.
Në Protestë takova shumë student dhe studente që vërtetë janë shumë ambicioz, të palodhshëm dhe shumë energjik, e që dëshirojnë ta shohin jo vetëm Universitetin e Prishtinës modern, por edhe vet Shtetin e Kosovës. Qëndrimet e shumicës prej tyre janë të pjekura dhe me vizion të qartë; janë vërtetë për tu lakmuar nga të gjithë Ne.
Arsim Bajrami deputet thotë se problemet dhe dështimet në UP janë probleme sistemore dhe strukturore; pothuajse asnjëherë të trajtuara nga Universiteti i Prishtinës. Protesta aktuale po tregon që është e vërtetë! Z. Bajrami pati dhënë dorëheqje në kohën e tij si Rektor.
Por, këto çështje po trajtohen tash! Nga protestat për arsim dhe shkencë, mund të eskalojnë/rriten në protesta për zhvillim dhe mirëqenie në tërë Kosovën.
Njerëzit vullnet mire në Kuvendin e Kosovës të mendojnë dhe veprojnë drejtë për fëmijët e tyre, fëmijët tanë dhe të ardhmen e këtij vendi.
Njëherësh, në protestë pashë zyrtarë të Vetëvendosjes, të cilët me çantat e mbushura me gjësend të forta, shtynin studentët në konflikt me Policinë e Kosovës. Po them Policinë e Kosovës, sepse ata janë familjarët tanë; të Kosovës, që po mbrojnë rendin dhe ligjin. Pjesëmarrja e politikës ka bërë që edhe studentët të hezitojnë dhe mos dalin përkrahë kolegëve të tyre.
Beje thirrje të gjitha partive politike që të mos involvohen/përfshihen në PROTESTA. Partitë dhe grupet politike i kanë mijëra rrugë të tjera që mund ti adresojnë këto probleme të ngritura nga studentët, si: Kuvend, Institucione, Gjykata, Institucione Ndërkombëtare, etj. Problemet e Universitetit të Prishtinës mendoj se duhet të zgjidhen nga rezultatet, faktorët dhe politikat e vet universitetit, përfshirë edhe studentët dhe vullnetin e tyre.
Si pjesëmarrës i protestës se 1 tetorit 1997; ishin studentët e po këtij UNIVERZITETI që i treguan botës se Ne jemi kundër padrejtësive, shkeljeve, dhunës, vrasjeve dhe terrorit; edhe sot janë studentët e po të njëjtit universitet. Me 1968 demonstrata ndër të tjera ka bërë thirrje për universitet; me 1981 dhe 1989 dhe viteve që rrodhën pas, nga i njëjti universitet dolën studentët për të protestuar për drejtësi. Mos harroni?!
Presidentja, që përmes Kushtetutës përfaqëson popullin e Kosovës, duhet të dal dhe të thotë STOP. Të hapë rrugë për një zgjidhje që shkon në interes të studentëve, universitetit, veçmas shtetit.
Kurse, Akademia e Shkencave të Kosovës duhet ta ketë një qëndrim se edhe ata, apo shumica kanë dalë nga ky universitet. Veçmas, duhet të deklarohen së paku për parimet morale të kësaj gjendje, që fillon në Rektorat e përfundon në Akademinë e Shkencave.
Institucionet e Kosovës duhet të dinë se kjo protestë mund të jetë vetëm hapi i parë i pakënaqësive që të rinj e Kosovës e shohin në ardhmërinë e tyre. Vendi ynë ka më shumë nevojë për Perspektivë dhe Mundësi dhe shumë më pak për protesta.