26 Dhjetor 2024

Reforma-jo trafiqe

Shkruar nga Gani Qarri

Shqiptarët kanë nevojë për reforma dhe jo për trafiqe e veprime tjera të paligjshme.

Vetëm para pak ditësh Edi Rama u ftua në Itali. Atje me siguri atij iu tërhoq vërejta për Saimir Tahirin dhe “kushërinjtë” e dashur që tash e sa vite pareshtur eksportojnë drogën në këtë shtet.

Por, Edi Rama heshti dhe përsëri nuk veproi.

Edhe opozita në Shqipëri qysh para dy vitesh pati denoncuar lidhjet e dyshuara të Tahirit me Habilajt,megjithatë Rama edhe atëherë bëri sikur nuk po ndodhte asgjë dhe heshti.

Ai hesht pothuajse edhe tani, hesht sepse ndoshta vërtetë, ashtu siç edhe po flitet, ish ministri i tij është vetëm një ndërmjetës në lidhjet që vet kryeministri mund të ketë me grupet kriminale.

Heshtin edhe pushtetarët kosovar para veprimit të mafies vendore e ndërshtetërore, ngase shqiptarët në asnjërën anë të kufirit, nuk kanë shtet të vërtetë funksional, nuk kanë prokuror të zot, as drejtësi të njëmendët, që do ti venin punën në binarë.

Heshtin pra politikanët shqiptar, ngase një pjesë jo e vogël e tyre,janë të inkriminuar edhe vet në veprime të dyshimta, deri në fyt.

Janë të zhytur në korrupsion e krim të organizuar, veprim i cili siç dëshmon edhe rasti i z. Saimir Tahiri ,drejtohet hapur nga vet qeveritarët më të lart shtetëror.

Ndaj dhe nuk u largua as z.Saimir Tahiri nga pozita e Ministrit të Brendshëm, si rezultat i gjetjeve të prokurorisë vendore, punës së vendosur të drejtësisë as vendimit kushtetues të kryeministrit, por nga presioni i shteteve mike, të cilat detyruan Edi Ramën që më në fund, ta largonte atë nga pozita e ministrit.

Këta nuk janë politikanët, deputetët, as partitë politike që do të dëshironin shqiptarët.

Nuk janë krenaria as zgjidhja më e mirë që mund ti nderojë ata në botë e qojë vendet tona përpara në integrimet evropiane.

Këta janë e keqja më e madhe e të gjitha kohëve, që tash e sa vite po na turpërojnë e qesin faqen e zezë botërisht, bllokojnë çdo progres të vendit dhe izolojnë e demonizojnë tërësisht si popull, para botës mbarë.

E keqja nuk ka të ndalur.

Ndaj bashkëkombës të dashur, kudo që jeni, është koha të mbledhim mend, bashkohemi dhe veprojmë më në fund.

Më mirë vonë se kurrë!.

Le ti qojmë fajtorët aty ku e kanë vendin dhe çrrënjosim njëherë e mirë rrjetet kriminale e mafioze që po ua zënë frymën shqiptarëve në të dy anët e kufirit.

Të startojmë me një projekt për reforma të thella në mbarë sistemin tonë shoqëror e politik dhe krijojmë një vetting të vërtetë të drejtësisë në dy shtetet tona.

Duke pasur parasysh faktin se kriminelët kanë lidhjet e tyre, andej dhe këndej, Shqipëria dhe Kosova duhet të krijojnë një task-forcë të përbashkët anti-mafia, një task-forcë të njëmendët kombëtare e cila do të çrrënjoste oligarkitë mafioze dhe qonte deri në fund aksionin e gjerë kundër lidhjeve të politikbërësve dhe pushtetarëve më të lartë, me krimin e organizuar.

Parlamentet duhet ti rikthehen punës së njëmendët dhe vazhdojnë aktivitetet normale, ta kuptojnë situatën dhe ndalojnë grindjet e sharjet brenda Kuvendit si dhe kryejnë detyrat që u takojnë si institucionet më të larta legjislative.

Të bëjnë pa asnjë vonesë të mëtejme, atë që duhet bërë për vendin, dhe votojnë sa më parë aktet dhe ligjet e duhura për aksionet e nevojshme kundër mafias dhe krimit të organizuar si dhe përjashtojnë nga Kuvendi të gjithë deputetët e inkriminuar e jo-punëtorë, të cilët nuk janë në shërbim të shoqërisë dhe shtetit

Të futet vettingu i njëmendtë në sistemin e kalbur të drejtësisë dhe bëhet filtrimi i të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve të kapur nga politika të cilët nuk mundën asnjëherë të nxjerrin në sipërfaqe peshqit e mëdhenj dhe vënë ata para drejtësisë, sjellin kriminelët para ligjit as qojnë cilindo proces të nisur juridik, deri në fund.

Lidhjet ndërmjet ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe njërit prej trafikantëve të arrestuar ditë më parë në Itali kanë thelluar edhe më tej përmasat e çështjes më delikate ndër shqiptarët siç janë trafiqet e paligjshme dhe krimi i organizuar, gjë që flet më së keqi për udhëheqësit që ne nuk do duhej ti kishim zgjedhur dhe dëshmon katërçipërisht se vendet tona po drejtohen nga mafia

Kjo nuk është udhëheqja që u duhet shqiptarëve dhe nuk mbetet vetëm Shqipëria ajo që ndiqet vazhdimisht nga fatkeqësi të tilla.

Sa i takon drejtësisë, Kosova pothuajse i ka punët edhe më keq në këtë drejtim, madje ajo për çudi, ka mbështetur të gjitha shpresat për shpëtim, shuarje të veprimeve të pa ligjshme nga të inkriminuarit, si dhe çrrënjosjen e krimit të organizuar në një kryeprokuror të cilit mafia, jo vetëm se na tregoi se ia lexon letrat në xhep, por edhe dëshmoi në mënyrë praktike se ai nuk mund ta ruaj as telefonin e vet nga kriminelët.

Ndaj se sa është në gjendje një person i tillë, ta mbrojë ligjshmërinë në tërë Kosovën, mbetet më shumë se dëshirë, pikëpyetje e madhe dhe zhgënjim i pafund.

Po ashtu, sistemi ynë zgjedhor është degraduar,kalbur e deformuar deri në pafundësi,ndaj gjendja alarmante në vend,kërkon urgjentisht, që të bëhet sa më parë miratimi i një reforme të vërtetë zgjedhore, pa të cilën nuk mund të reformohet drejtësia, partitë politike, qeveria e as politika shqiptare në përgjithësi, reformë e cila do ta shpëtonte popullin nga keqqeverisja, izolimi dhe varfëria si dhe largonte vendet tona nga tragjedia e skenës së trafiqeve të paligjshme të cilat përfundimisht po dëshmohet edhe nga drejtësitë e huaja se mjerisht ato udhëhiqen dhe drejtohen nga pushtetarët tanë më të lartë vendor.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)