28 Dhjetor 2024

Reflektimi i vakumit politik në përgatitjen e projekt buxhetit

Shkruar nga Ma.Sc. Burim Haliti

Kosova si shtet i ri dhe modern në kuptimin e funksionimit të tij gjendet, përballë një periudhe shumë të vështirë politike dhe institucionale, sepse vendi është në një vakum institucional dhe juridik që ka dalë pas rezultatit të zgjedhjeve të mbajtura më, 8 qershor 2014.  

Një rrethanë politike në të cilën Kosova është futur më 8 qershor 2014, ka sjellë më vete edhe një zbrazëtirë juridike – kushtetuese, sepse asnjëra parti politike nuk mundet ti formojë institucionet pas zgjedhor në bazë të rezultatit zgjedhor, pasi që partia e parë nuk ka aleat për koalicion, ndërsa korniza juridike nuk parasheh të kundërtën që partitë tjera të formojnë institucionet (rasti nga partitë është dërguar në gjykatë kushtetuese për trajtim kushtetues).

A do të ndikojë kjo situatë politike në jetën substanciale financiare të institucioneve? Sigurisht se po, sepse funksionimi normal i institucioneve shtetërore drejtpërdrejt është i lidhur ngushtë me ngjarjet kruciale politike të vendit, andaj kjo situatë sigurisht se do reflektojë edhe në sistemin juridik dhe financiar të vendit. 

  Përgatitja e projekt buxhetit për vitin e ardhshëm fiskal, në këto momente për institucionet shtetërore është ngarkesë dhe sfidë sepse nuk kemi një qeveri dhe kuvend nga mandati zgjedhor por janë të kufizuara.

Përgatitja e projekt buxhetit për vitin e ardhshëm fiskal kërkon mundi dhe sakrificë profesionale, sepse nga planifikimi i mirëfilltë i buxhetit kemi të bëjmë me zhvillim ekonomik të vendit, stabilitet financiar, qëndrueshmëri sociale dhe stabilitet politiko – juridik.

Rruga ligjore dhe procedurale e përgatitjes së buxhetit fillon nga pjesa e parë e vitit fiskal ku ministri i financave është i obliguar deri më datë 30 prill të vitit fiskal të hartojë qarkore buxhetore ku parashihen: procedurat që duhet të përdoret nga organizata buxhetore gjatë përgatitjes së propozim-buxhetit dhe kërkesës së saj për ndarje buxhetore, informatat që duhet të parashtrohen në propozim-buxhet dhe në kërkesën për ndarje buxhetore, detaje mbi formatin në të cilin duhet të përgatitet propozim-buxheti dhe kërkesa për ndarje buxhetore, datën deri në të cilën organizata buxhetore duhet të përfundojë dhe dorëzojë në Ministri propozim-buxhetin dhe kërkesën për ndarje buxhetore dhe udhëzime ose informata të tjera të cilat Ministri i konsideron të nevojshme (shih. Ligji Nr. 03/L-048, Neni 20 – paragrafi 20.2).

Pasiqë ministri iu dërgon qarkoren buxhetore komunave dhe njësive tjera buxhetore, atëherë komunat kanë afat ligjor deri më 30 shtator të atij viti fiskal ti dërgojnë propozim-buxhetet dhe kërkesat e tyre për ndarje buxhetore  në mënyrë që ta përpilojnë propozim buxhetin sipas procedurave ligjore dhe juridike.

Gjatë kësaj periudhe kohore komunat janë në vlugun e punëve ditore, por gjithsesi ato duhet të angazhohen edhe në respektimin e këtyre afateve procedurale sepse në të kundërtën konsiderohen shkelje ligjore dhe duhet të ndërhyhet në qeverisjen lokale nga niveli qendror.

Niveli lokal i qeverisjes duhet të angazhojë stafin maksimalisht në aspektin profesional dhe moral sepse të hartosh një propozim buxhet për vitin e ardhshëm fiskal nuk është një punë e lehtë, por është sfidë institucionale që kërkon vullnet, profesionalizëm dhe angazhim total maksimal.

Udhëheqësit e komunave janë të obliguar që këto qarkore buxhetore ti dërgojnë tek zyrtarët kompetent për planifikimin e buxhetit komunal në mënyrë që puna e hartimit të projekt buxhetit të përfundohet me kohë dhe profesionalisht mirë.

Pasi që të përfundojnë zyrtarët përgjegjës me planifikimin e projekt buxhetit komunal, atëherë ky dokument duhet të kalojë përmes kuvendit komunal në mënyrë që të fitojë legjitimitet lokal dhe më pas kryetari i komunës, pas aprovimit nga kuvendi komunal zyrtarisht e dërgon këtë projekt buxhet dhe kërkesa tjera buxhetore tek ministria e financave brenda periudhës kohore deri më datë 30 shtator të atij viti fiskal.

Nga këndi ligjor institucionet tjera buxhetore duhet të dërgojnë propozimet e tyre buxhetore brenda afatit që ministri e parasheh në qarkoren të cilën iu dërgon çdo vit fiskal deri më datë 30 prill 2014.

Kjo fazë e përgatitjes së buxhetit në momentet politike dhe pas zgjedhore në të cilën ndodhet tani Republika e Kosovës sigurisht se ka neglizhim dhe vështirësi të aktiviteteve për ti përfunduar këto procedura pasi që institucionet shtetërore janë në pritje të konstituimit të kryesisë së kuvendit dhe qeverisë së re.

Sigurisht se kjo ndikon në psikikën e hartuesit të projekt buxhetit dhe mund të kemi defekte në aspektin e formulimit në mënyrën më të mirë të mundshme të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm fiskal 2015.

Përveç kësaj faze projekt buxheti ka edhe disa faza të tjera shumë të rëndësishme të cilave duhet kushtuar kujdes i madh sepse mund të na kushtojnë në jetën tonë ekonomike, zhvillimore dhe sociale të vendit.

Si procedura të projekt buxhetit është edhe kalimi i buxhetit nga ministria e financave në kabinetin qeveritar, kalimi nga qeveria tek kryesia e kuvendit, diskutimi i projekt buxhetin në komisionin për buxhet dhe financa, diskutimi i buxhetit në kuvend (maskimumi deri në fund të nëntorit) dhe miratimi i tij që duhet të bëhet deri më datë 31 dhjetor i vitit fiskal.
     
Duke i shikuar këto afate procedurale ligjore të miratimit të projekt buxhetit ne duhet pasur vizion politik dhe profesional që momentet politike të cilat i bllokojnë institucionet ti zgjidhim duke mos i prolonguar, sepse mund të na kushtojnë në aspektin buxhetor dhe funksional, andaj edhe kjo situatë politike të cilën gjendemi ne duhet ta zgjidhim sa më shpejt që të jetë e mundur, duke mos lejuar që të rrezikohet përgatitja dhe miratimi i projekt buxhetit për vitin 2015, sepse mos miratimi i buxhetit me vete mund të bart shumë pasoja zhvillimore për funksionimin institucioneve dhe jetën e qytetarëve. 



(Master i shkencave juridiko-financiare)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)