Referimi si detyrë shtëpie
Shkruar nga Liridon Hajdini
Federata e Basketbollit të Kosovës me vite të tëra po kërkon anëtarësim në FIBA, sikurse edhe federatat e tjera të Kosovës. Mirëpo, shtrohet pyetja a jemi të gatshëm të anëtarësohemi në FIBA dhe federatat tjera në të cilat në kushte normale do të duhet të ishim.
Mendoj se krahas kërkesës për anëtarësim në FIBA, i cili anëtarësim po zvarritet për shkaqe kryekëput politike, duhet që edhe ne ti kryejmë detyrat tona që kanë të bëjnë më ngritjen e cilësisë së basketbollit kosovar.
Cilësia nuk është dhe nuk do të thotë që në të ardhmen do të jetë vendimtare për pranimin ose jo të Kosovës në FIBA, por aleatëve tanë në arenën ndërkombëtare sportive, do tua shtonte edhe një argument të fuqishëm, që deri në pranimin në FIBA, të mund ti gëzojmë disa të drejta, e të cilat do të ndikonin që mos të mbesim të izoluar edhe për vite të tëra.
Në cilësinë e basketbollit kosovar rol të rëndësishëm kanë disa faktorë, ku ndër ta mund të përmendim: Infrastruktura në ambientet sportive, investitorët, organizimi, etj.
Sa i përket këtyre dy faktorëve të parë, mund të themi se ata pak a shumë janë të ndërlidhur, por jo plotësisht, mes vete.
Te infrastruktura në ambientet sportive rol vendimtar mund të luaj shteti me investime në ambiente sportive, që indirekt do të kishin edhe efekt social, pasi që të rinjtë do të kishin mundësi që shumë më shumë të merreshin me aktivitete sportive. Ndërkaq, investitorët është vështirë të gjendet, por edhe kur ata i kemi ndodh që largohem (kemi rastin e Mabetex-it). Për shkak se në vendin tonë nuk është i rregulluar sponsorimi me ligj, e që në mënyrë direkte do ti stimulonte investitorët potencialë të investonin në klubet e ndryshme sportive.
Sa i përket faktorit të tretë që e përmendëm më lartë, e që është organizimi, mund të themi që nuk jemi në nivelin e duhur. Kjo u pa ashiqare, sidomos në tri ndeshjet e fundit të BKT Superliga në basketboll. Fillimisht në Prishtinë ndërpritet ndeshja për shkak të sulmit fizik ndaj gjyqtarit (RTV21-DRITA), pastaj në Pejë për shkak të huliganizmit u deshtë të zbrazej palestra(PEJA-BASHKIMI), e në fund u vulos e gjitha në Prishtinë, ku për shkak të huliganizmit të tifozëve të të dyja palëve u zbrazë palestra(PRISHTINA-TREPCA).
Shpeshherë ku po flitet për problemet që po e karakterizojnë sportin kosovar në përgjithësi, e basketbollin në veçanti, po preket vetëm çështja e pasojave por jo edhe e shkaqeve. Se sulmi ndaj referëve duhet të dënohet maksimalisht nuk do mend, se huliganizmi duhet të dënohet maksimalisht nuk do mend, por se a po kontribuojnë në këto fenomene negative edhe vendimet e referëve shpeshherë kontroverse, mendoj se po.
Në shumicën e ndeshjeve derbi që zhvillohen në BKT Superliga kemi shumë vendime të dyshimta të referëve tanë, e të cilat pastaj po i nxisin (edhe pse në rrethana normale nuk do te duhej) lojtarët, stafin teknik dhe tifozët të reagojnë.
Mirëpo, në thelb reagimi është i lejuar, por si në shumë sfera edhe në sport nuk jemi të pjekur mjaftueshëm që të reagojmë kur duhet e si duhet. Reagimi pastaj po përcillet me veprime të dhunshme si të lojtarëve e tifozëve, po edhe me veprime aspak të denja të personave që përbëjnë stafin teknik të një ekipi.
Për fund dua të them që duke u përmirësuar organizimi i ndeshjeve basketbollistike në përgjithësi, e referimi në veçanti do të kishte ndikim mjaft të madh që të mos përballemi në të ardhmen me situata si ato të javës së kaluar. Pra, ti kryejmë fillimisht detyrat e shtëpisë, para se të pranohemi që të marrim pjesë në aktivitete të karakterit ndërkombëtar.
(Autori është në përfundim të studimeve Master për kulturë fizike, sport dhe rekreacion)