Reciprociteti dhe konsumatori
Shkruar nga Selatin Kaçaniku
Mendoj se Qeveria e Kosovës dhe MTI-ja, pra z/v kryeministresha dhe ministresha e MTI-se, zonja Mimoza Kusari - Lila bënë hapin e duhur me aplikimin e reciprocitetit ndaj Sërbisë e Bosnje e Hercegovinës. Reciprocitet, nëse nuk bën ndryshe, duhet zbatuar edhe ndaj shteteve tjera të cilat ngrisin bariera politike, ekonomike e ligjore për eksportin, edhe ashtu të kufizuar të Kosovës. Kosova duhet të zbulojë mënyra për të vënë në barazpeshë eksportin i cili është për 90% më i vogël se importi ?!
Do të ishte veprim më i qëlluar po të ndërmerrej më heret ky hap i reciprocitetit, shumë më heret.
KONSUMATORI qysh para tre vitesh pati kërkuar nga Qeveria e Kosovës që tregu i Sërbisë të shpallet i pasigurtë dhe joserioz. Për arsye të nevojave por edhe për shkak të Sërbisë, për sigurinë e furnizimeve të tregut pra të konsumatorit,
KONSUMATORI pati kërkuar edhe formimin e rezervave Shtetërore. I dhamë aso kohe argumentimet e shumta. Por, Mbreti e zë lepurin me pajton , Shtetit nuk i bëhet vonë kurrë, e konsumatorit i është bërë tepër vonë ?!
Ka zëra që brengosen për çmimet të cilat mund të ngriten pas këtij revanshi . Ka zëra që shprehin brengën për mungesën e disa produkteve të cilat paskan krijuar varshmëri te konsumatori ?!
Unë nuk i frikësohem këtij kërcënimi ( që për mendimin tim buron nga nostalgjikët komercialë për produktet nga Serbia ) sepse ka tregje e produkte alternative, që edhe deri më tani ofronin produkte, mallra e shërbime me çmime më të lira dhe më cilësore. Ndaj, nëse Sërbia do ta njihte Kosovën dhe tregun e saj, nëse do t i njihte vulat do t i mundësohej tregu. Por, duke njohur shkathtësitë e prodhuesve e të tregtarëve nga Sërbia dhe të kolegëve të tyre në Kosovë, pres si veprim shumë të mundshëm uljen e çmimit të ofertave për t i balansuar me ato të cilat vlenin në tregun tone para reciprocitetit por, së pari njohjet !
Poashtu, mendoj se termi varshmëri do të ishte më e drejtë të zëvendësohej me termin inercion që ishte krijuar nga kohët kur edhe Kosova merrte pjesë në këtë treg, dikur treg unik i Jugosllavisë që nuk ekziston më. Ky inercion shprehet edhe për produktet nga Vojvodina, Kroacia, Sllovenia, BeH, Maqedonia e Mali i Zi. Këtu e shoh të rëndësishme ta potencoj se niveli i mbikqyrjes dhe të inspektimit të këtij tregu ishte në nivelin më të lartë në krahasim me shtetet tjera socialiste. Në këtë aspekt, ne në Kosovë po përpiqemi
ta zëmë hapin me standardet por, për shkak të mungesës e motivimit teknik, kuadrovik e finansiar të mekanizmave të mbikqyrjes dhe të inspektimit të tregut akoma jemi shumë larg cakut.
Duke i fajsuar konsumatorët për nostalgji ndaj produkteve, mallrave e shërbimeve nga Sërbia disa zëra, ftojnë konsumatorin për bojkotimin e ofertave nga tregu i Sërbisë ?! KONSUMATORI vitin 2010 dhe këtë vit 2011 e ka shpalluar për VIT TË PATRIOTIZMIT EKONOMIK. Kësaj thirrjeje nuk i është bashkangjitur, nuk e ka përkrahur, nuk i është përgjigjur askush
as këto zëra ?! Hedhja e fajsisë për nostalgji mbi supet e konsumatorit të pambrojtur ( disa mendojnë edhe të pa adresë, pa titullar të kauzës së tyre ?! ), të cilit asnjë institucion, përkundër obligimeve ligjore, nuk i dha shërbimet e duhura, si : informimin, arsimimin, edukimin
dhe vetëdijësimin nuk është aspak korrekte, aspak fisnike, aspak e drejtë dhe është e pavend.
Konsumatori ka blerë dhe do ta blejë atë produkt, mall ose shërbim që i ofrohet, më mirë të them i imponohet?! Janë tregtarët ata të cilët dirigjojnë (nuk po them se manipulojnë me tregun dhe me konsumatorin)?! Po këta tregtarë janë të licencuar nga MTI-ja dhe janë anëtarë të asociacioneve të ndryshme biznesore e afariste dhe, shih çudinë, po këto marrin guximin ta ngarkojnë konsumatorin me përgjegjësitë të cilat, shiquar realisht, u takojnë atyre. Po këta tregtarë ndikojnë psikologjikisht në krijimin e varshmërisë duke ia imponujar konsumatorit produktet ja mallrat të cilat atyre u lëvërdisin më shumë, nga të cilat nxjerrin përfitime më të larta dhe për të cilat kanë më shumë borxhe e obligime ?!
Ndaj, për dominimin e disa artikujve nga Sërbia në tregun e Kosovës nuk është fajtor konsumatori. Fajësinë duhet kërkuar nga bizneset tregtare por edhe nga mekanizmat e Shtetit për mbikqyrjen dhe inspektimin e tregut, të cilat (qëllimisht?!) lëngojnë nga mungesë e motivimit teknik, kuadrovik e finansiar të tyre (arsyetë që e thash edhe më lartë:)
Dhe për fund: Për të dëshmuar përkrahjen për aktin e reciprocitetit duhet marrë seriozisht gatishmërinë e konsumatorit për të bashkpunuar ashtu si është paraparë me Ligjin dhe me Programin 2010-2014 për mbrojtjen e konsumatorit si dhe me ligjet tjera që e trajtojnë këtë çështje. Të drejtat, intereset, obligimet
tona duhet reciprokisht t i përkrahim për të mirën e kauzës së tregut të të qenit të tregut stabil dhe serioz ku mbretërojnë ligjet, kultura afariste dhe veprimet e dinjitetshme.