22 Dhjetor 2024

Realitetet e zëvendësimit të Rezolutës

Shkruan Skender Hyseni

Një paragraf i fjalës sime të fundit drejtuar Këshillit të Sigurimit është keqkuptuar. Me sa duket, është keqinterpretuar me qëllim. Mbase edhe nga mungesa e informacionit. E sjell të plotë këtë paragraf. Kjo me qëllim që të mund të shihet kuptimi real dhe konteksti i plotë i kësaj deklarate, por edhe meritat dhe saktësia e saj: “Dua që edhe një herë t’u shpreh mirënjohjen tonë të thellë Kombeve të Bashkuara dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së për rolin vital që kanë luajtur në të gjitha fazat e zhvillimit të pasluftës në Kosovë. Ka ardhur koha që Rezoluta 1244 të zëvendësohet me një rezolutë të re e cila do të reflektonte realitetet e krijuara me pavarësinë e Kosovës dhe me Mendimin e qartë të GJND-së në favor të saj. Kërkesa jonë për zëvendësim të 1244-shit është në linjë me objektivin e Kosovës për t’u bërë anëtare e OKB-së. Anëtarësimi në OKB është objektiv të cilin synojmë t’a arrijmë sa më shpejtë që të jetë e mundshme, si një hap i natyrshëm pas Mendimit të GJND-së.”  

Thellësia e bindjes sime në vërtetësinë dhe saktësinë profesionale dhe politike të kësaj deklarate është motivuar dhe udhëhiqet nga të paktën tri arsye kryesore. Për hir të transparencës dhe për të hedhur dritë në debatin ekzistues, vlera e të cilit më e pakta është e paqartë, e shoh me vlerë dhe të domosdoshme që t’i ofrojë mendimet dhe sqarimet në vijim.

Së pari, procedura e anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, hapi i natyrshëm pas Mendimit të GJND-së, që siç është thënë në deklaratën më sipër do të reflektonte realitetet e krijuara me pavarësinë e Kosovës dhe me Mendimin e GJND-së në favor të saj, kërkon rekomandimin e Këshillit të Sigurimit. Një rezolutë e re është e nevojshme për këtë qëllim.

Së dyti, kërkesa për zëvendësim të rezolutës 1244 diktohet nga vetë natyra dhe përmbajtja e rezolutës. Teksti i rezolutës nuk përmban asnjë dispozitë për sa i përket përfundimit të saj. Këshilli i Sigurimit nuk ka marrë vendim për shfuqizim. Realiteti faktik flet për vazhdimin e pranisë së UNMIK-ut në Kosovë, paraqitjen e raporteve të rregullta periodike Këshillit të Sigurimit nga Sekretari i Përgjithshëm, ashtu siç kërkohet nga paragrafi 20 i rezolutës 1244, dhe mbledhjet po ashtu të rregullta periodike të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar këto raporte.


Deklarata më sipër e ka në mendje këtë gjendje faktike, dhe bën thirrje për ndryshimin e saj pas realiteteve që janë krijuar me shpalljen e pavarësisë dhe konfirmimin e saj nga organi kryesor gjyqësor i organizatës botërore. Në paragrafin 19 të rezolutës 1244, Këshilli i Sigurimit ka vendosur që pranitë ndërkombëtare civile dhe të sigurisë të krijohen për një periudhë fillestare prej 12 muajve, dhe të vazhdojnë më pas derisa Këshilli i Sigurimit të mos vendos ndryshe. Këshilli nuk ka vendosur ndryshe. Prandaj, një rezolutë e re është e nevojshme; kërkesë e rezolutës së tanishme dhe rezultat i mungesës së një dispozite shfuqizuese ose afati të paracaktuar për përfundimin e mandatit të pranive ndërkombëtare të krijuara me rezolutë. Kërkesa për zëvendësim të rezolutës 1244 i referohet pikërisht këtij fakti. 

Së treti, praktika relevante e Këshillit të Sigurimit e kërkon një gjë të tillë. Lista në vijim nuk është shteruese, por tregues i besueshëm i praktikës konsistente të Këshillit për kërkesën dhe nevojën e miratimit të një rezolutë të re, me qëllim përfundimin e një misioni të pakufizuar në kohë që është krijuar me një rezolutë paraprake të Këshillit. Sa për ilustrim, rezoluta 689 e marsit të vitit 1991, e miratuar në kontekst të një misioni observues Irak-Kuvajt të Kombeve të Bashkuara, vëren se vendimi për të themeluar njësinë observuese është marrë në rezolutën 687, dhe mund të shfuqizohet vetëm me një vendim të Këshillit.


Në raste të mëvonshme, Këshilli ka vendosur me rezolutën 1423 (2002) që të përfundoj Misionin e Kombeve të Bashkuara në Bosnjë dhe Hercegovinë (UNMBIH) me 31 dhjetor 2002, pasi paraprakisht ka ripërtërirë disa herë mandatin. Misioni ishte themeluar me rezolutën 1035 (1995). Më 25 tetor 1999, Këshilli krijoi me rezolutën 1272 Administratën Tranzitore të Kombeve të Bashkuara në Timorin Lindor (UNTAET), mandati fillestar i të cilës ishte deri në janar 2001. Më 31 janar 2001, me rezolutën 1338, Këshilli vendosi që të zgjasë mandatin e UNTAET-it deri me 21 janar 2002. Në raste të tjera, Këshilli ka vendosur me rezolutën 1827 (2008) që të përfundoj mandatin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Etiopi dhe Eritre (UNMEE); misioni ishte themeluar me rezolutën 1312 (2000). Po në vitin 2008, më rezolutën 1823, Këshilli ka vendosur për përfundimin e ndalesave dhe shpërbërjen e Komitetit të krijuar me rezolutën 918 (1994) për shitjen dhe furnizimin me armë për Ruandën.    

Së fundi, debati duket që është zhvendosur në një kontekst të afatit kohor të zëvendësimit të rezolutës, duke e cilësuar këtë si një veprim që vështirë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt ose madje edhe si një mision të pamundur. Kërkesa për zëvendësim të rezolutës është bërë duke u nisur nga një parakuptim i qartë dhe duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për vështirësitë që do të përcjellin një ndërmarrje të tillë siç është zëvendësimi i rezolutës 1244 dhe përmbyllja e misionit të UNMIK-ut. Në varësi të rrethanave, disa kërkesa mund të marrin më shumë kohë që të materializohen, disa të tjera më pak. Kjo në asnjë mënyrë, sidoqoftë, nuk mund të thuhet se e zbeh meritën dhe vlefshmërinë e kërkesës; aq më pak qëllimin dhe vizionin e saj. 17 shkurti i vitit 2008 dhe 22 korriku i vitit 2010 janë dëshmitë më të mira.          


(Ministër i Punëve të Jashtme)

  
  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)