Raporti i Progresit pozitiv
Bekim Haxhiu-Kamishi
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian është një nga dokumentet më të rëndësishme që matë progresin ekonomik, politik dhe shoqëror të vendit tonë i cili aspiron integrimin në BE. Rëndësia e këtij raporti, në krahasim me shumë raporte tjera vlerësuese ndërkombëtare, qëndron edhe në atë se vlerësimi vije nga një organizëm ndërkombëtar në të cilin synon të anëtarësohet Kosova
Si zakonisht, pas publikimit të raportit të progresit, në Kosovë debatet po zhvillohen në atë drejtim se sa me të vërtetë ka pas progres, që në një far forme edhe është normale një qasje e tillë, por shpeshherë përmbajtja e këtyre raporteve po personalizohet, keqinterpretohet dhe keqkuptohet dhe po përdoret për politikë ditore.
Mendoj se analizat duhet të bëhen me qëllim të qartësimit sa më të madh të përmbajtjes së raportit të progresit dhe eliminimin e dobësive te evidentuara ne raport, për marrjen e masave për përmbushjen e kërkesave që dalin nga raporti dhe sfidat që mbeten të përmbushen ne interes te qytetarëve dhe te vendit.
Si zakonisht edhe në ketë raport dallime të mëdha mes pozitës dhe opozitës mbesin sa i përket kuptimësisë së progresit në Kosovë. Por këto dallime duhet tejkaluar, në interes të qytetareve dhe në interes të Kosovës për të krijuar një të ardhme europiane për fëmijët tanë ketë ua kemi obligim, jo vetëm pozita por dhe opozita.
S'do mend se ky është raporti i progresit më pozitiv që Kosova ka pasur ndonjëherë prej se Komisioni Evropian nga viti 2002 përpilon raporte të këtilla për Ballkanin perëndimor.
Kosova është shtet i ri dhe në këtë raport verëhen progres në të gjitha fushat, askush nuk ka pas iluzion se raporti do te jetë perfekt.
Por është fakt se Kosova është në zhvillim e sipër dhe po ecën me hapa të sigurt drejt BE-se, ku për herë të parë Kosova merr diçka direkt nga raporti i Progresit, dialogun për Liberalizimin e vizave me çka po hapet rruga drejt Bashkimit Evropian.
Në këtë raport në përgjithësi në të gjitha fushat ka përparime, si:
- Kosova ka bërë përparim në sektorin gjyqësor. Në përgjithësi, Kosova ka shënuar përparim në këtë fushë,
- Pastaj raportohet për përparim në lidhje me shërbimet korrektuese. Kosova po vazhdon të ndjekë synimet e saj në këtë fushë. Në rastin e qasjes në drejtësi, ka pasur përparim .
- Është shënuar progres i kufizuar në përforcimin e mbikëqyrjes së qeverisë nga kuvendi, në përmirësimin e shqyrtimit të propozim-ligjeve në përputhje me prioritetet e integrimit evropian, apo në punën e përbashkët mes qeverisë dhe kuvendit në një program të përbashkët të reformës.
-Ministria e Integrimeve Evropiane kanë avancuar në masë të konsiderueshme në menaxhimin e ciklit të dytë të dialogut të Procesit të Stabilizim-Asocimit,
pastaj në përgjithësi ka pasur përparim të kufizuar në reformën e administratës publike. Disa ligje e rregullore janë miratuar.
- Në përgjithësi, të drejtat e punës dhe ato sindikale janë garantuara gjerësisht.
-Ligji i punës ka zgjatur të drejtën e pushimit të lindjes.
Raportohet përparim në fushën e të drejtave të gruas dhe barazisë gjinore. Pozita e gruas në politikë është përmirësuar , pastaj është përmirësuar mbrojtja e të drejtave të fëmijëve me zbatimin e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, si dhe procesin e monitorimit të tij.
Sa i përket personave të zhdukur, Kosova ka miratuar ligjin për personat e pagjetur. Kjo është korniza e parë ligjore që garanton njohjen e të drejtës për të ditur dhe të drejtën e reparacionit për familjet e të pagjeturve, bashkë me statusin juridik të personave të pagjetur.
Në përgjithësi, ka pasur përparim në integrimin e komuniteteve pakicë.
Ka pasur përparim në fushën e doganave, tatimimit, dhe konkurrencës.
Përparim raportohet edhe në fushën e prokurimit publik, në fushën e politikave të punësimit, në fushën e arsimit, në fushën e industrisë , bujqësisë etj.
Lufta kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit eshte sfid jo vetëm për Kosoven por edhe për shumë shtete të Bashkimit Europian ku pretendon të hyj Kosova.
Kosova ka bërë përparim në luftimin e korrupsionit.
Ngritja e pagave të gjyqtarëve dhe përfundimi i procesit të riemërimit janë hapa pozitivë në parandalimin e korrupsionit në gjyqësor. Ka pasur disa dënime në rastet e lidhura me korrupsionin. Legjislacioni që është miratuar tani duhet zbatuar plotësisht.
Por edhe shoqëria civile dhe qytetaret nuk janë pa përgjegjësi në këtë proces të plotësimit të standardeve Europiane, në veçanti në mbështetjen për luftim e dukurive negative, krimit të organizuar dhe korrupsioni.
Luftimi i këtyre dukurive do të ndodhë kur të kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm të shoqërisë civile , qytetarëve me organet e hetuesisë dhe drejtësisë.
Korrupsioni në Kosovë është një farë e keqe e mbjellur nga sistemi i kaluar okupues të paraluftës ku korrupsioni ka qenë mjet për të mbijetuar nën atë okupim, por kur sot po jetojmë në LIRI korrupsion dhe dukuritë negative duhet raportuar nga qytetaret dhe luftuar me mekanizma shtetëror.
Sjellja Evropian nuk i takon vetëm Qeverisë dhe politikanëve, por te gjithëve, shoqërisë civile, mediave, qytetareve, bizneseve, dhe pa arritur një standard europian nga të gjithë, vështir se mund të arrihet në institucione ngase ato burojnë nga populli.
Të gjithë kërkojnë të luftohet nepotizmi dhe korrupsioni gjë që duhet vlerësuar, mirëpo pas deklarimeve çdonjëri kërkojnë të afërt për të intervenuar për të kryer ndonjë punë për vete dhe kjo nuk është praktik Evropiane.
Sipas organizatave të ndryshme që merren me analizë të raportit të progresit Raporti i Progresit i vitit 2010 ishte raporti më pozitiv që Komisioni Evropian ka shkruar për Kosovën pas shpalljes së pavarësisë ndërsa ky i vitit 2011 e tejkalon atë në progresin e arritur.