Qytetari, viktimë e trajtimit të pabarabartë institucional
Nuk e di pse gazetat dhe portalet tona kanë krijuar një rubrikë të veçantë për kronikën e zezë kur në fakt saherë që lexon ndonjë gazetë apo hap ndonjë portal secili artikull është më i zi se tjetri. Nga çmenduritë dhe paturpësitë e politikanëve dhe der tek kërcnimet e vazhueshme ndaj shërbëtorëve të informimit qytetar.
Mirëpo sot mora shkas të ndaj me ju këtë përvojë timen, të cilën shumica prej shush që e lexuat paragrafin e parë do të mendoni se do të i referohem ndonjë rasti politik... në fakt nuk e di se si duhet të quhet kërcnimi (jo vetëm në formë të kanosjes por edhe të detyrimit, në kuptim të Kodit Penal të Kosovës) dhe shantazhi apo presioni ndaj gazetarëve por mbi të gjitha ndaj Kreut të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë.
Ndoshta këta kanë pasur fatin që përmes të qenurit pjesë e figurave publike iu është lehtësuar çasja dhe trajtimi i merituar nga institucionet e sigurisë në Kosovë.
Përdersa këto ditë e kemi në fokus Prokurorinë e Shtetit e cila paska punuar shumë në luftimin e krimit në Kosovë, mua përsonalisht më kujtohet periudha para 18 muajve kur pasi kisha përfunduar studimet themelore në Fakultetin Juridik, kur si një i ri me vetëbesim dhe dëshirë të madhe për të shërbyer në vendosjen e drejtësisë apo të pakten zbardhjen e saj u angazhova për një kohë në këtë proces.
Mu kujtua një rast i veçantë i cili në fakt ishte rasti i parë për mua. Përderisa po ndihmoja një të moshuar i cili në gjendje të vështirë shëndetësore kishte mbi 3 vite që nëse jo çdo ditë, atëherë 1 herë në javë endej sa në prokurori e sa në Polici. Më ka ardhë shpirti në fyt... ishin fjalët të cilat mezi i thoshte nga lodhja, jo fizike sa psiqike... kam 3 vite që kam paraqitur në polici rastin... njëherë filluan me kërcnime, telefonata... më kërkonin të shes tokën dhe shtëpinë... më thonin se do tmë vrasin fëmijët... as 2 bombat që mu hodhën në shtëpi nuk ju mjaftuan si dëshmi... por unë kam gjet njeriun se prej kujt i ka ble ato....
Më dukej sikur në filmat holivudian, kur rrëfente se si personat që e kishin kërcnuar ishin prezentuar me emër dhe mbiemër, dhe nuk e kishin mohuar madje në polici se e kanë telefonuar... Mbi të gjitha kur kërkuam dosjen në Arkivin e Prokurorisë së Shteti, u deshën mbi 2 muaj që të gjindej se ku ka arritur ajo pasi dikush ishte përkujdesur mirë që ajo të mbulohej nga pluhuri. Mbaj mend fjalët e punonjës së arkivit kur pyeste kolegët mos e dini ku mund të jetë ajo dosje, pasi bëhej fjalë për një recidivist të njohur, thoshte ajo.
Pasi më në fund u gjetën ato, përfunduan në zyren e Prokurorit B.I. i cili kur e vizituam në zyrën e tij as që dinte se për çka bëhej fjalë... as që ishte lodhur të shfletonte, por disa ditë më vonë (pasi e takuam ne) e kishte percjëllur lëndën tek një prokuror tjetër. (Rasti në fjalë ende nuk është zgjidhur)
Pas kësaj më ndodhi të isha në një seancë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të shihja nga afër rrjedhën e një seance në të cilën Gjykatësi i cili Zoti e din se si ka arritur të punësohet aty, nga dija nuk e besoj.
Isha dëshmitar i tmerrit të gjyqësisë Kosovare, kur u denoncua se njëri nga personat e pranishëm në sallë ishte person i cili kishte identitete të ndryshme, ku kishte arritur të vëntë organet në lajthitje përmes dyshtetëisë.
Madje njërin identitet e kishte Gjerman (pasi posedonte nënshtetësi Gjermane) kur Ligji mbi Shtetësinë në Gjermani e ndalon dyshtetësinë dhe identitetin e dyfisht e klasifikon si vepër të veçantë penale.
Përkundër që u paraqitën dokumente të cilat provonin këtë vepër penale, gjyqtari u mjaftua me shikimin e pasaportë së Kosovës e cila në fakt është e pavlefshme pasi është nxjerrur në mënyrë ilegale (qoftë përmes lajthitjes së organit shtetëror, qoftë përmes korruptimit të zyrtarëve kompetent asnjëherë nuk u hetua si) dhe nuk ndërmorri hapat e nëvojshëm për zhvillimin e hetimeve dhe zbardhjen e të vërtetës...
Nuk më del nga mendja as rasti i Diana Kastratit e cila kishte kërkuar mbrojtje nga organet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë, por ashtu sikur të tjerët, ishte qytetare e Kosovës e cila nuk ushtronte ndonjë funksion publik (në kuptim të promovimit përmes atij funksioni)...
I nderuar Kryeprokuror i Shtetit,
I nderuar Ministër i Drejtësisë,
I nderuar Ministër i Punëve të brendshme,
Këto janë vetëm 3 nga rastet e shumta të cilat unë mund të i dëshmoj, se institucionet që ju udhëhqeni kanë dështuar në kryerjen e funksioneve të parapara me kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Sa e sa raste të tjera janë për të cilat unë nuk kam qenë aty, por për të cilat dëshmojnë qytetarët e tjerë në Kosovë.
Do të dëshiroja të i besoja përkushtimit tuaj për të luftuar krimin në Kosovë. Por përderisa vet kam qenë dëshmitar i këtyre rasteve dhe përderisa këto që po i them në mënyrë indirekte konfirmohen përmes raporteve ndërkombëtare të cilat gjyqësinë dhe prokurorinë i nxjerin si organet më të korruptuara në vend, nuk mund të besoj asgjë tjetër përpos se luftimi i Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit duhet të filloj nga brenda institucioneve të drejtësisë.
Kriminelët (në kuptim të personave të inkriminuar në bazë të atyre raporteve, duke mos dashur të aludoj në persona të caktuar) nuk mund të lujftojnë krimin. Gjendja kaotike do të përfundoj një ditë, ju nuk do të jeni më në funksionet që ushtroni. Por do të ju parashtroj në pyetje publike, përgjigjën e të cilës nga Ministri i Drejtësisë e kam marrë para dy vitesh (pasi jam student i tij), mendoni athua si do të ndjehen fëmijët apo nipërit tuaj kur të lexojnë se prindërit apo gjyshërit e tyre kanë udhëhequr institucionet më të korruptuara në vend?
Deri kur ne do të jemi viktimë e mos të qenurit figura publike, ushtrues të funksioneve të rëndësishme, politikan apo gazëtarë? Deri kur vendi im nuk do të njeh parimin e trajtimit të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim?
Nëse nuk do të mund ta luftoja krimin në shtëpinë time, të paktën do të kërkoja një zot shtëpie më tmirë se vetja ime.
(Autori ka përfunduar studimet e magjistraturës në Universitetin Konstanz në Gjermani, njëherit ka qenë 3 herë Bursist i Universitetit të Prishtinës dhe Bursist i Shërbimit Gjerman për Shkëmbim Akademik-DAAD).