25 Dhjetor 2024

Qytetarët nuk duhet të mbesin peng e dialogut me Serbi 

Shkruar nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës

Nën hijen e zhvillimeve politike, e sidomos procesit të stërzgjatur të dialogut me Serbinë, kanë mbetur shumë çështje të rëndësishme, që lidhen direkt me jetën e qytetarit të Republikës së Kosovës.

Kjo javë, ishte mjaft shqetësuese në vendin tonë, për faktin se në Kosovë u bënë arrestime të shumta të zyrtareve nga Agjencia Kosovare e Produkteve Medicionale, pastaj nga policia e Kosovës, të gjitha këto nën dyshimet për krim të organizuar, korrupsion dhe abuzim me pushtetin.

Këto lajme, janë dëshmi rrënqethëse se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë shpërndarë kudo dhe e kanë kapur keq Republikën e Kosovës. Ndërkohë që skandalet s’kanë të ndalur në vend, në anën tjetër shohim një qëndrim shumë indiferent të instancave kryesore shtetërore ndaj këtyre dukurive që po rrezikojnë të ardhmen e vendit tonë.

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), kërkon nga të gjitha instancat e larta politike vendore dhe ndërkombëtare, që lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, të shkojë deri në fund, që Kosova të mos mbetet peng e interesave të ngushta të klaneve dhe abuzuesëve të pushtetit, por të hyjë në një proces normal të zhvillimit politik dhe kështu të hapë perspektivën e njëmendtë për integrime europiane.

PSHDK-ja është e bindur se me këtë nivel të korrupsionit, papërgjegjësisë politike dhe institucionale dhe abuzimit të pandalshëm me pushtetin, nuk mund të ketë prosperim për Republikën e Kosovës.

Këto plagë të thella, që janë rrënjosur keq në jetën tonë politike dhe institucionale, kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës në botë, duke bërë që të kemi ngecje në investime kapitale ekonomike, por edhe në njohjen e Republikës së Kosovës nga vendet që kanë hezitim për këtë. Qeveria e Kosovës, duhet të jenë më vigjilente në raport me këto çështje, ngase nuk ka asgjë më të rëndësishme për Kosovën se këto, madje as dialogu dhe proceset e tjera politike.

Qeveria e Kosovës, ka përgjegjësinë kryesore për këtë katandisje të vendit, prandaj është koha që me veprime urgjente dhe të koordinuara, t’i shpallet luftë te pakompromis korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe krimit të organizuar.

Kosova tashmë po përgatitet të hyjë në zgjedhje, me probleme të shumta, që vijnë nga mungesa e demokracisë, zgjedhjet e kontestuara, zhgënjimi i madh i qytetarëve në të ardhmen e vendit, deri te degradimi i pandalshëm ekonomik dhe gjendja e rëndë sociale, dukuri këto që po e kërcënojnë rëndë imazhin e Kosovës dhe të ardhmen e saj.

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK), mendon se vetëm shteti ligjor dhe drejtësia shoqërore, mund ta stabilizojnë vendin tonë për të hapur perspektiva prosperuese për të gjithë. Pa drejtësi shoqërore dhe pa demokraci thelbësore, Kosova do të vazhdojë këtë gjendje agonie dhe të pashpresë.

Drejtësia, është parim udhërrëfyes i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, ngase ne jemi të bindur se ky është parim i vetëm që ndihmon ngritjen e vetëdijes për interesin e përgjithshëm dhe nxitë detyrimin për të kërkuar dhe mbrojtur të drejtën. E drejtësia nuk vjen pa ndëshkimin e korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe papërgjegjësinë politike.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)