26 Dhjetor 2024

Qytetarët e bënë ndryshimin duke e përbërë atë

Shkruar nga Albin Kurti

Na pret shumë punë përpara. Kemi fituar një betejë shumë të vlefshme, por rëndësia kryesore e saj konsiston në shansin për të pasur e fituar beteja të tjera. Votimi i së dielës ishte mundësia për mundësinë. Rezultati i së dielës është mundësia.

Ka fituar zotimi ynë. Duhet të realizohet fitorja. Të gjitha dhe secili nga 12 zotimet e Shpend Ahmetit duhen përmbushur në Prishtinë. Për disa prej tyre kemi disa javë kohë, për disa të tjera kemi disa muaj kohë, për ca të tjera disa vjet, por për asnjërin prej tyre nuk i kemi më shumë se katër vitet e mandatit.

Tash nuk do t’i kemi kundërshtarë partitë politike dhe kandidatët e tyre sikurse në fushatë. Tash e kemi përballë trashëgiminë përgjithësisht të mbrapshtë të qeverisjeve të pasluftës. Aq shumë gjëra duhen korrigjuar, sepse aq shumë zhvillime negative duhen ndalur dhe aq shumë punë të mbara duhen nisur.

Nuk do të jetë lehtë. Nuk do të jetë aspak lehtë. Në fakt, do të jetë vështirë. Mirëpo, e kemi ditur se pushtetin askund asnjëherë nuk do ta marrim në kushte e rrethana të volitshme për neve. Gjendja tejet e rënduar për qytetarët do të jetë pikënisja jonë si qeverisje e re. Ose, e thënë ironikisht, u bë aq keq saqë fitoi VETËVENDOSJE!!

Ama në kontrast të thellë me realitetin e hidhur ndodhet vetëdija e ngritur e qytetarëve si rrallë herë më parë në historinë tonë të re. Ky emancipim kritik i banorëve të Prishtinës u mishërua në zgjedhjen që ata bënë individualisht (në kuptimin formal e teknik) dhe kolektivisht (në kuptimin politik e shoqëror). Prandaj, fitorja e së dielës na gjen në një situatë të cilën do të mund ta përshkruanim kështu: objektivisht, kurrë s’ka qenë më keq; subjektivisht, kurrë s’ka qenë më mirë.

Vullneti subjektiv i qytetarëve për ndryshime duhet bërë forcë e fuqi objektive për ndryshime. Dhe, për këtë nuk mjafton forca e fuqia e pushtetit në komunë dhe as ajo e organizatës politike të Lëvizjes sonë. Shpendi do të ketë nevojë për të gjithë e secilin prej nesh. Largimi i Isa Mustafës nga pozita e kryetarit të komunës së Prishtinës nuk eliminon korrupsionin që vinte prej aty apo tolerohej aty. Ka aq shumë biznesmenë të paligjshëm të lidhur me politikanë të fuqishëm e për të cilët nuk votohet fare ndërkohë që ata kanë shumë pushtet real në kryeqytetin tonë.

Për t’i tejkaluar pengesat dhe vështirësitë, Shpendit i duhet mbështetja e përkrahja jonë e vazhdueshme. Vota për Shpendin nuk ishte votë e qytetarëve spektatorë por votë aktiviste prej mbi 37 mijë banorëve të komunës. Njësoj, ndihma për Shpendin nuk duhet të jetë e llojit të spektatorit nga tribunat por e qytetarit aktiv, e një qytetari që edhe e mbron Shpendin edhe e kritikon Shpendin për shkak se e do Prishtinën.                        

Se Prishtina që është degraduar në më pak se qytet megjithatë është më shumë se kryeqytet, e dëshmojnë edhe mesazhet e urimit nga shqiptarët anekënd Kosovës e Ballkanit si dhe mërgatës tonë. Numri i këtyre mesazheve e tejkalon edhe atë të banorëve të Prishtinës! Mbase, në njërën anë, ende ka shumë rëndësi fakti që në gjithë gjysmën e dytë të shekullit XX, Prishtina ishte jo vetëm thjesht kryeqytet i Kosovës por i gjithë shqiptarëve që jetonin në hapësirat e ish Jugosllavisë. Ndërkaq, në anën tjetër, kudo e kurdo që fiton VETËVENDOSJE! fiton i gjithë populli e kombi ynë. Të dielën në mbrëmje aq shumë shqiptarë anembanë po ndjeheshin prishtinas.               

Lëvizja VETËVENDOSJE! në qeverisje do të ndërtojë një marrëdhënie krejtësisht të re të pushtetit me paranë publike, të mirat publike dhe pasuritë publike. Kjo marrëdhënie e re që do të karakterizohet nga transparenca radikale, ndershmëria e zyrtarit dhe përgjegjësia ndaj qytetarit, do të ndërtojë një kulturë të re politike çfarë nuk është parë kurrë në Kosovë dhe është dëshiruar gjithmonë prej popullit.

1 dhjetori shënoi fitoren e madhe të një Lëvizjeje të jashtëzakonshme me një kandidat të shkëlqyeshëm. Kemi fituar përkundër vështirësive, gjersa kundër-kandidati që është edhe kryetar partie ka humbur përkundër përparësive. Ne fituam pa i pasur milionat, pa medie tonat dhe pa marrë dorë në ambasada.

U tregua se qytetarët e bëjnë ndryshimin duke e përbërë atë. Secila nga ato mbi 37 mijë votat për kandidatin e VETËVENDOSJE!-s, Shpend Ahmetin, është pjesë përbërëse e ndryshimit. Fitoret e kandidatëve të tjerë nëpër Kosovë nuk paraqesin ngjarje politike. Sepse fitoret e të tjerëve nuk ndryshojnë gjë nga rendi i gjërave dhe shkaku i atij rendi. 

Prandaj, më 1 dhjetor kanë fituar qytetarët sepse ka rilindur qytetari. Edhe qyteti do ta rimarrë veten ashtu siç bënë banuesit e tij.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)