22 Dhjetor 2024

Qosja i dashuri i marshalit dhe qytetar lojal i Xhelatit

Shkruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Rexhep Qosja, i shqetësuar pa masë nga reagimet e LDK-së, i tmerruar që LDK-ja ka dëshmuar të pavërtetat, mashtrimet, denigrimet dhe keqpërdorimet e tij financiare, vijon të gënjejë, të mashtrojë e të denigrojë, me gjuhë të rrugës dhe me mendje të errësuar.

Në shkrimin e tij denoncues të radhës, ai prapë u mundua pa shpresë ta denigrojë Presidentin Historik të Kosovës, themeluesin e shtetit të Kosovës, dijetarin e burrin e madh shqiptar, dr. Ibrahim Rugova. Ai shau e gënjeu, i trishtuar para figurës së madhe të Presidentit Historik, sepse e di që vetë është fare i vockël. Ai e di që Rugova ndërtoi gjithçka, e ndërtoi ashtu që të mos arrijë ta shkatërrojë asnjë i sojit të Qosjes e që ka synimet e Qosjes.

Ai foli edhe për NATO e BE dhe shkrimin e shoqëroi me fotografinë që e mbush pamja e një stalinisti të përjetshëm, i cili i do shqiptarët në Lindje.

Ai shau politikisht LDK-në e drejtuesit e saj, gënjeu e mashtroi, duke luajtur me emra si ai i Hydajet Hysenit, Bajram Kosumit etj., sepse i doli nga mendja e plakur dhe e lodhur që z. Hydajet Hyseni ka qenë nënkryetar i LDK-së, ndërsa z. Bajram Kosumi, kryeministër i Kosovës, kur shtetin e udhëhiqnin Presidenti Rugova dhe LDK-ja, në koalicionin me AAK-në e ish-komandantit të UÇK-së. z. Ramush Haradinaj, edhe ky i fundit ish-kryeministër i Kosovës me vullnetin dhe votën e LDK-së. Ai shan LDK-në dhe harron që shan edhe zotërinjtë që punuan për LDK-në ose me LDK-në.

Ai prapë u mundua të mashtrojë duke shpikur lidhje me UÇK-në, lidhje që nuk i pati kurrë. Ai luftën e ndjeu vetëm kur iku nga Kosova, i rruar e i kruar.

Siç e dëshmon vetë, ai ka uzurpuar dhe mban hapësira në Institutin Albanologjik, edhe pse ka vite e vite që është pensionuar. Ai shpërdoron në këtë institucion si në kohën e ideologjisë së tij, përdor drejtuesit e Institutit Albanologjik, ndihmon dhënien e titujve shkencorë në kundërshtim me ligjin dhe vijon punën e tij të përjetshme të përbaltjes së figurave të mëdha të kombit, sepse e di që vet është i vockël.

Ai në shkrimin e tij të dobët, të shkruar keq, me një shqipe kurrfare, flet për një “arkiv të pasur historik” të tijin në Institutin Albanologjik, në hapësirën që mban të uzurpuar.

Meqë ky “arkiv” qenka kërcënimi i tij për LDK-në, do të donim që ai të nxirrte nga ai “arkiv historik” listat me udhëheqësit e vrarë të LDK-së, gjithë ata që punuan për kombin nat e ditë, për të na dëshmuar se si, me çka dhe sa u ka kontribuuar ai atyre listave!

Le të nxjerrë nga “arkivi historik” arsyet pse Shoku Tito, Marshali Tito, i dashuri i tij, është i madh!

Le të nxjerrë nga “arkivi historik” shërbimet historike që i ka bërë LKJ-së dhe të vërtetën se si e ka shpërblyer LKJ-ja!

Le të nxjerrë nga “arkivi historik” edhe denoncimet që u ka bërë shkrimtarëve të Kosovës, sa herë është kthyer nga Tirana e atëhershme komuniste, që të plotësohen dëshmitë lidhur më veprimtarinë e tij denoncuese, që vite më parë ka nisur të botojë shtypi i Tiranës.

Le të nxjerrë nga “arkivi historik” arsyet pse e shpalli veten qytetar lojal të xhelatit Milosheviq ditën kur ky po e hapte kapitullin e tmerrit në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe në Kosovë!

Le të nxjerrë nga “arkivi historik” gëzimin për “revolucionin e vonuar demokratik” dhe të na thotë sa u shumë u gëzua që u dogj Shqipëria, vendi i shqiptarëve!

Pa u marrë me arkivin, le të na thotë sa e ka paguar PDK-ja, nga cili fond dhe sa shërbime të tjera i kërkohen!

LDK-ja e di që populli i Kosovës e njeh mirë veprimtarinë përçarëse të këtij personi. Është i njëjti popull që e nxori nga politika me 0.04 përqindëshin e turpshëm, menjëherë pas luftës.

LDK-ja e thekson edhe një herë se i njeh synimet e zeza të këtij personi në dëm të interesave të kombit. Por LDK-ja është e qetë, sepse e di që këto synime ai nuk do t’i arrijë kurrë. Ai person është kurrkushi dhe shqiptarët nuk u besojnë kurrkushave.

Prandaj, duke ju bërë me dije se LDK-ja e quan të tepërt të merret më tej me këtë person, kërkon hetim të plotë për shpërdorimin e Fondit të shkencës, të parasë publike, nga i cili PDK-ja e ka pagur atë. Ndërsa për veprimet tjera të këtij personi në dëm të interesave të kombit do të duheshin vite e vite hetimesh. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)