Qeverisja e mirë dhe pardigma e re e zhvillimit ekonomik
Shkruar nga Fiknete Bejta
Rritja ekonomike e qëndrueshme, ajo për të cilën ne flasim e preokupohemi më shumë sot, po i përplasë argumentet dhe formulat klasike të ekonomistëve me formula të reja. Para disa viteve, ekonomistët identifikonin si faktorë kryesorë të rritjes ekonomike kapitalin, punën dhe zhvillimin teknologjik .
Përvoja e sotëshme moderne po tregon çdo ditë e më tepër se kjo nuk mjaftojnë dhe se këta faktorë duhet ndërlidhur me cilësinë e institucioneve dhe administratës publike, me përgjegjësinë e zbatimit të ligjeve, me rolin aktiv të gjithë aktorëve socialë përfshirë këtu dhe shtetin, me besueshmërinë e institucioneve dhe besimin e të gjithë aktorëve të shoqërisë në këto institucione.
Politikat dhe strategjitë nacionale të zhvillimit të shumë vendeve të botës, qofshin këto të zhvilluara apo në zhvillim po përdorin objektiva, instrumente e indikatorë specifikë për tu përshtatur me këto filozofi të reja.
Esenca e kërkimeve mbi zhvillimin, në mënyrë të veçantë në kuadër të institucioneve ndërkombëtare të ngarkuara me zhvillimin (OKB, FMN, Banka Botërore etj) po përqendrohet në lidhjet ndërmjet varfërisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe zhvillimit.
Në këtë drejtim po ndërtohen edhe platformatë dhe doktrinat e këtyre institucioneve. Ky evolucion po vlerësohet si manifestimi i një paradigme të re, asaj të zhvillimit të integruar apo zhvillimit të logjikshëm, e cila po zëvendëson të famshmin Konsensus të Washington-it apo politikat të cilat fokusoheshin vetëm te funksionimi i tregut dhe liberalizimi i ekonomisë.
Sipas Amartya Sen,( fituese e çmimit Nobel në Ekonomi) njeriu po bëhet objekti dhe subjekti qendror i zhvillimit. Paradigma e re që po kristalizohet si zgjerim i burimeve dhe kapaciteteve të njeriut për të influencuar, kontrolluar dhe për të qenë më i përgjegjshëm në raport me institucionet dhe politikat që ndikojnë në jetën dhe zhvillimin e tij, përmban në thelbin e saj përmirësimin e kapitalit politik, kapitalit institucional, ekonomik e social të çdo individi në mënyrë që të sigurojë zgjerimin e lirisë së zgjedhjes dhe veprimit.
Në këtë zhvillim fundamental, nuk ka asgjë të çuditshme që të drejtat e njeriut, demokracia, institucionet dhe qeverisja e mirë të bëjnë pjesë në të njëjtin pako së bashku me zhvillimin ekonomik, dhe në një kohë të afërme, sipas Sen të asimilohen plotësisht prej tij.
Simbioza treg i lirë demokraci reale po konsiderohet gjithnjë e më tepër si forma më e përsosur që siguron efikasitetin social maksimal dhe u krijon mundësi shumë vendeve e popujve që të marrin në duart e tyre zhvillimin nëpërmjet një procesi që garanton zgjerimin e lirisë së tyre në zgjedhjet e formave të zhvillimit, pa qenë të detyruar ti nënshtrohen doktrinave sunduese e imponuese standarde të institucioneve ndërkombëtare apo në shume raste dhe populizmit ekonomik e subjektiv të qeverive dhe opozitave politike të tyre në luftën e ashpër për pushtet.
Parimi themelor i konceptit të ri, se zhvillimi duhet të kuptohet si një proces i zgjerimit të lirive reale, është bërë tashmë adresë e detyrueshme në të gjitha punimet dhe analizat mbi zhvillimin, duke u larguar gjithnjë e më shumë nga konceptin që e profilizon zhvillimin duke u nisur nga baza utilitariste dhe reduktuar atë vetëm në dimensione ekonomike dhe materiale.
Esenca e procesit të ridefinimit të nocionit të zhvillimit është në vetvete një kritikë e hapur ndaj filozofisë utilitariste dhe konceptit të homos economicus, të cilat arsytoninë sakrifikimin e të drejtave dhe lirive në emër të parimit të maksimizimit të fitimit dhe utilitetit.
Ideologjia e re e zhvillimit synon që liria për eliminimin e varfërisë, të ushqyerin korrekt, shkollimi bazë, shërbimet shëndetësore themelore, formimi profesional, pjesëmarrja në vendimmarrje, gjykimi i politikave të rritjes, vlerësimi i mënyrës së shpërndarjes së efekteve të rritjes sipas grupeve të popullsisë apo zonave gjeografike, përfitimet nga shërbimet e ndryshme etj., të cilësohen si të drejta themelore të njeriut.
Në këtë mënyrë, ky grup i lirive transformohet në bashkudhëtarë të zhvillimit dhe dalëngadalë trupëzohet në pakon e të drejtave themelore të detyrueshme për tu zbatuar nga çdo institucion kombëtar apo ndërkombëtar, pa qenë nevoja ti lihet në dorë vullnetit, mëshirës apo subjektivitetit politik të politikanëve apo qeverive.
Lidhja demokraci reale-qeverisje e mirë-zhvillim ekonomik afatgjatë është rruga moderne drejt së cilës duhet të ecim, se çdo cenim apo mosrespektim i njërit prej këtyre elementeve të përkthehet në moszhvillim dhe prapambetje që na kushton të gjithëve.
Është koha që edhe në Kosovë, këto koncepte e praktika të bëhen pjesë e debateve thelbësore mbi zhvillimin, të bëhen pjesë e politikave të institucioneve publike e sektorit privat, të bëhen element i modernizimit të domosdoshëm të politikës dhe partneritetit me organizmat dhe institucionet ndërkombëtare të zhvillimit, sidomos me bashkimin evropian, që në një farë mënyre orientojnë tashmë rrugën tonë të zhvillimit.
( Autorja është master në shkencat ekonomike në marketing)