09 Janar 2025

Qeveria Mustafa i ka ditët e numëruara

Shkruar nga Faik Krasniqi

Jam kundër gjithë kësaj klase politike, por arrestimi apo më mirë të them kidnapimi i Albin Kurtit nuk është dashur të ndodhte, sepse ky arrestim është fryrje zjarri në këtë situatë të tensionuar, në të cilën ndodhet Kosova, dhe kjo mund të sjellë pasoja të paparashikueshme për vendin.

Arrestimi i Kurtit pa vendim gjykate është gabim amatoresk dhe sjellje e papërgjegjshme e këtij pushteti të papërgjegjshëm dhe kriminal.

Prandaj, për këtë arrestim të tij duhet të japë përgjegjësi Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe zyrtarët e lartë të policisë.

Madje, duhet të ketë edhe dorëheqje dhe shkarkime, për këtë gjest idioteskt, gjest që ka mundur t\'i kushtojë shtrenjtë shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

Por, këtu dikush po e luan lojën e dreqit. E kush tjetër përpos këtij pushteti mafioz, të korruptuar dhe të kriminalizuar, të cilët janë në gjendje të bëjnë çmos për pushtet. Por, edhe ta kallin, për pushtet dhe interesat e tyre personale.

PDK-ja veproi kur u mbështet për muri dhe nuk kishte nga t\'ia mbante më!

Isa Mustafa dhe LDK-ja, prej fillimit e kanë ditur që SHIK-u dhe PDK-ja, do të bëjnë çmos që ta rimarrin prapë timonin e Qeverisë, por nuk donin të besonin nga lakmia për ta shijuar edhe ata drejtimin e ekzekutivit.

Sepse koalicionin me LDK-në e kanë bërë përkohësisht, në mënyrë që t\'i ikin shkuarjes në opozitë, pas krijimit të koalicionit VLAN, kur PDK-ja u mbështet për muri dhe s\'kishte nga t\'ia mbante më.

Prandaj, këto përplasje që kanë filluar mes këtyre dy partive, kanë qenë të pritura që do të ndodhin, prej asaj dite kur lakmia për pushtet e Isa Mustafës dhe servilëve të tij e dërguan në prehrin e PDKsë dhe SHIK-ut.

Dhe, ky skenar i tyre po ecën shumë mirë, që postin e kryeministrit ta rimarrë prapë PDK-ja, e duke i ditur ambiciet e Kadri Veselit për t\'u bërë kryeministër, s\'do mend që i gjithë ky është një skenar i mirëpërgatitur nga ai.

Nëse kësaj ia shtojmë edhe deklaratat e fundit të disa zyrtarëve të PDK-së, që Qeverinë duhet ta drejtojë prapë PDK-ja, sepse Isa Mustafa nuk është i aftë për një gjë të tillë, e bën edhe më të fuqishme idenë se Mustafa është duke i numëruar ditët e fundit si kryeministër i Kosovës.

Me një gur vrau dy zogj!

PDK-ja në koalicion me LDK-në ia arriti qëllimin e saj dhe me një gur vrau dy zogj: Falë LDK-së qëndroi në pushtet dhe e bëri Mustafën dhe servilët e tij ta shkatërrojnë LDK-në, e cila e humbi më shumë se gjysmën e elektoratit të saj, kur bëri koalicion me PDK-në dhe rizgjodhi prapë lidershipin e vjetër.

Kështu që kurdo që të mbahen zgjedhjet kur do të mbahen, LDK-ja do të pësojë debakël, falë lakmisë për pushtet të liderit të tyre dhe disa servilëve dhe mjeranëve të LDK-së.

Sepse nuk pinë më ujë që kjo parti të luajë akoma rolin e viktimës në opinion publik, duke bërë akuza në drejtim të SHIK-ut, për vrasjen e anëtarëve të saj, siç fitonin gjithmonë vota, kur vetë shkuan dhe u ulën në prehrin e SHIK-ut!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)