Qeveria e re të fokusohet në zhvillim ekonomik
Shkruar nga Mr, Fidan Kosumi
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen me datën 8 qërshor të vitit rrjedhës padyshim se do të jenë në qendër të vëmendjes të tërë botës.
Mbarëvajtja e tyre do të jetë një indikator shumë i rëndësishëm i nivelit të arritur të demokracisë në vend dhe i funksionimit të institucioneve gjë që do të ndikojë edhe në procese të mëtejshme të vendit, e sidomos në ato që kanë të bëjnë me integrime evropiane.
Duke mos paragjykuar rezultatin zgjedhor, njëkohësisht duke marrë parasysh faktin se qeveritë paraprake kanë qenë të sfiduara me probleme të pastrukturuara, kryesisht politike, me siguri të madhe mund të konstatohet se qeveria e re definitivisht do të duhet të merret me problemet e grumbulluara ekonomike dhe të ketë në fokus zhvillimin ekonomik të vendit.
Sfidat më të mëdha para qeverisë së re në rrafshin ekonomik do të jenë zbutja e normës së papunësisë dhe mirëqenia sociale e qytetarëve. Sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në total është rreth 31% ndërsa papunësia tek të rinjtë deri në moshën 24 vjeç është 55.3%.
Nga të dhënat e Agjencionit të njëjtë mësohet se varfëria e përgjithshme në vend është 29.7% ndërsa varfëria ekstreme 10.2%.
Këto janë shifra serioze me të cilat duhet patjetër të merret qeveria e re. Përveç të lartpërmendurave, qeveria e re duhet të fokusohet edhe në sigurimin e zhvillimit të balancuar të vendit duke intervenuar në komunat më të pazhvilluara.
Hapi i parë i qeverisë padyshim duhet të jetë luftimi i korrupsionit dhe sigurimi i funksionimit të shtetit ligjor duke respektuar pavarësinë e të gjitha institucioneve.
Këto të fundit duhet të jenë pjesë e padiskutueshme e politikës së qeverisë së re e cila do të synojë të drejtojë vendin drejt integrimit në Bashkim Europian.
Nëse analizojmë situatën në rajon pas zgjedhjeve të mbajtura parlamentare 2013/2014 shohim se qëndrimet dhe veprimet e ndërmarrura nga qeveritë e reja pikërisht kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjithashtu qeveritë e reja zotohen se janë të orientuara kah kursimet duke ndjekur modelin gjerman të qeverisjes.
Një nga aktet e qeverisë në largim që nuk ka kaluar pa u vënë re ishte rritja e pagave të punëtorëve në sektorin publik, sektor ky i cili financohet nga taksapaguesit.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës burim kryesor i të ardhurave të ekonomive familjare janë rrogat dhe pagat nga sektori publik me 23%. Pikërisht pika më e dobët në qeverisjen e shtetit është fryerja e këtij sektori me punësim të pakontrolluar dhe rritje pagash për motive politike.
Parashtrohet pyetja: sa është rroga mesatare në industri apo në sektorin privat në krahasim me sektorin publik? Rritja e pagave të punëtorëve është një akt të cilin gjeneralisht në parim përshëndesin të gjithë, por shikuar nga aspekti ekonomik kjo rritje duhet të jetë në përputhje me rritjen e produktivitetit.
Rritja artificiale e pagave me implikim të politikës apo me forcë të sindikatave është vetëm rritje e kostos së prodhimit që rezulton me rritje çmimesh, gjegjësisht inflacion, duke zvogëluar prodhimin (output-in) në të njëjtën kohë.
Rritja e pagave në sektorin publik do të shtyjë edhe të punësuarit në sektorin privat për një akt të tillë pasiqë tendenca e punëtorëve është që të gjithë të trajtohen në mënyrë të barabartë (Golden rule rregulli i artë).
A do të mund të apsorbojë sektori privat një kërkesë të tillë? Me këtë rritje pagash a do të jetë ekonomia e Kosovës atraktive për investitorë të huaj nëse fuqia e lirë punëtore përdoret ende si strategji për tërheqjen e tyre?
Rritja e pagave do të ndikojë në rritjen e konsumit si dhe në rritjen e kredive për konsum. Kjo stimulon inflacionin. Rritja e konsumit dhe zvogëlimi i prodhimit vendor do të ndikojnë në rritjen e deficitit tregtar. Vendi vetëm do të hyjë më thellë në borxh, nuk do të pasurohet.
Rritja e pagave në sektorin publik nga qeveria në largim në prag të zgjedhjeve është vepër e cila siguron vetëm zgjidhje të përkohshme përderisa nuk çrregullohen treguesit makroekonomikë, hapi tjetër është ai që tashmë po zbatojnë me të madhe qeveritë e vendeve në rajon, politika restriktive, ngrirja apo zvogëlimi i pagave, largimi i punëtorëve nga puna.
Disa nga problemet e pashmangshme makroekonomike me të cilat do të përballet qeveria e re janë shkalla e lartë e papunësisë dhe zhvillimi i pabalancuar. Pavarësisht doktrinave liberale në ekonomi, papunësia është një tregues konkret se tregu nuk është i përsosur.
Nisur nga motivi kryesor i sektorit privat profiti, mund të konkludohet se aty ku nuk ka treg, gjegjësisht profit, biznesi nuk ekziston, gjë që mund të vërehet në komunat e pazhvilluara. Parashtrohet pyetja, kush duhet të merret me këtë? Padyshim se më këtë duhet të merret shteti, qeveria.
Roli i shtetit është i pakontestueshëm në rast kur tregu nuk ekziston apo dështon. Shteti duhet të përdorë të gjithë mekanizmat që ka në dipsozicion për të eliminuar mangësitë e tregut duke siguruar një ambient sa më të shëndoshë për zhvillim të ekonomisë.
Në këtë kuptim shteti duhet të sigurojë infrastrukturë adekuate, fonde për zhvillim, të mbështesë projektet siç janë inkubatorët e biznesit, zonat industriale etj.
Me një fjalë qeveria qëndrore së bashku me vetëqeverisjet lokale duhet të tregohen si partnerë të besueshëm dhe të sigurtë për sektorin privat.
Për të arritur këtë fillimisht duhet të sigurohet një komunikim dhe lidhje sa më e fortë ndërmjet pushtetit qëndror dhe atij lokal. Po ashtu, në drejtim të stimulimit të ekonomisë apo biznesit duhet llogaritur edhe në lehtësirat tatimore.
Në këtë kuptim duhet zbatuar një politikë selektive ekonomike sipas së cilës të gjitha komunat e pazhvilluara do të gëzonin status të veçantë në bazë të kritereve paraprakisht të caktuara si për shembull: numri i banorëve të papunë, numri i banorëve të cilët marrin asistencë sociale etj.
Të gjitha këto me qëllim që politikat e qeverisë të jenë të programuara ashtu që të sigurojnë zgjidhje konkrete e ato janë: zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit, rritja e standardit jetësor të qytetarëve etj.
Ndonëse politika selektive nuk është në përputhje me rregullat fer të qeverisjes, ajo është e domosdoshme për arsye se nëse lehtësirat do të vlenin për të gjitha komunat, përfshirë këtu edhe komunat e zhvilluara, atëherë nuk do të arrihej efekti i synuar sepse këto të fundit janë gjithnjë në avantazh për të thithur investimet, janë më atraktive dhe më të dëshirueshme nga investitorët.
Dalja e komunave të pazhvilluara nga gjendja e keqe ekonomike do të pasonte me dalje nga statusi i privilegjuar, kështu që politika selektive do të ndërpritej me përmbushjen e misionit të saj.
Një arsye plus pse të përdoret politika selektive është se të gjitha komunat nuk kanë kapacitete të barabarta për të hyrë në garë dhe nëse nuk ka ngjashmëri ndërmjet konkurrentëve atëherë nuk mund të flitet për konkurrencë.