Qetësia e drejtësisë përballë krimit
Shkruar Arbër A. Rexhaj
Herët në mëngjes dhe gati pothuajse për çdo ditë, djalin tim e dërgoj në çerdhe. Kur dal nga banesa ime pothuajse shumë shpesh e shoh Syl Hoxhën, kryeprokuror në Prizren, i cili i rehatuar, me duart kyç mbrapa shpine, ec, duke dashur sigurisht të humb peshë. Ai si gjithmonë këtë punë e bën herët në mëngjes dhe vetëm. Nga fytyra shihet se është rehat, i çliruar dhe i harruar nga të gjithë.
Fqinji im, Syl Hoxha, Kryeprokurori, i cili në të vërtetë do të duhej të ishte gardiani i drejtësisë në Prizren, i rrethuar me truproje, i përcjellë me një xhip të blinduar mirë, i rrezikuar deri në asht nga kriminelët, nga pushteti theqafës, ai është krejt ndryshe.
Edhe në mbrëmje kur më ndodh të dal për takime, të cilat nuk i kemi të rralla, atë sërish e shoh të vetëm, plot qetësi, me plot qejf duke marrë ajrin e freskët të mbrëmjes para se të bie në gjumë.
Në një tryezë të rrumbullakët ku ishim pjesëmarrës Kryeprokurorit ia shtrova pyetjen se a mund të na thotë një rast të vetëm, një kriminel të vetëm të cilin e ka hedhur prapa grilave.
Në vend të përgjigjes, ai më ka pyetur, ju po mendoni se unë skam bërë asgjë. S\'mbeti tjetër veç të përgjigjesha se Kryeprokurori në Prizren nuk ka bërë asgjë, ama bash kurnjëgjë.
Drejtësia në Kosovë, përkatësisht në Prizren është e partitizuar, ajo është selektive. Pra nëse ke mbrojtje partiake nga PDK-ja nuk të rrok fare, e kryen misionin partiak dhe atë personal, përfiton para jashtëligjshëm për partinë dhe veten, për fushatën që po vjen dhe nuk të ndjek asnjë prokuror.
Sa për drejtësinë, prokurorët dhe Sylën krejt Prizrenin edhe po ta vjedhësh edhe po ta kallësh atyre nuk iu lë përshtypje, zaten janë mësuar kështu.
Nuk kërkojnë mbrojtje, prandaj e bëjnë apologjinë se nuk i mbron askush. Janë formalist, sepse thirren shumë në rend, dhe meqenëse e kanë në duar zbatimin e ligjit, nuk e bëjnë për askënd, sepse frikësohen. Të tillët nuk duhet të jenë as Prokurorë e lëre më Kryeprokurorë.
Hiç më larg se në shtetet që i kemi afër, Maqedoni, Mal të Zi, Slloveni, e të tjera, prokurorët e kryeprokurorët janë personat më të rrezikuar sepse ndeshen dhëmb për dhëmb me krimin, prandaj në vend të politikanëve të cilit ecin me xhipa të blinduar dhe më përplot truproje, ata janë në qendër të mbrojtjes edhe me truproje edhe me xhipa të blinduar.
Rastin e Ramadan Mujës, kryetar i komunës së Prizrenit, në duart e tij e ka pasur prokurori Agron Matjani, ndërsa duke mos guxuar ta qonte lëndën më tej ai vetë mezi ka pritur tia dorëzoj EULEX-it.
Prandaj për të EULEX-i ka qenë vetëm shpëtimi. Paramendojeni një rast të tillë sa do të donte ta kishte një prokuror, i cili udhëhiqet mbi bazat ideale të drejtësisë kudo në botë. Sigurisht do të dëshironte të tregonte shëmbëlltyrën e mire.
Dhe sigurisht, fjalën përfundimtare drejtësia do ta thotë hiq më larg se sa ditëve në vazhdim. Mirëpo, kam dyshimet e mia, edhe pse nuk e njohim EULEX-in, edhe ai do të vepron krejt në mënyrë selektive, ose do ta dënoj krejt butësisht, ose do ta liroj nga aktakuza.
Një ditë në telefon më thërret një polic hetues, i cili kërkon të më marr në pyetje për një kallëzim penal të cilin e patëm ngritur ndaj Nexhat Çoçajt. Menjëherë u gjenda në polici. E shikoja fytyrën e policit i cili mbeti i habitur.
Ndërsa më vonë më tregoi se është shumë vështirë dëshmitarët, iniciuesit e kallëzimeve për ti shtyrë drejtpërdrejtë në pyetje. Dhe sigurisht në këtë mes është shantazhi, bile edhe dajaku nga PDK-ja, si strukturë kriminale.
Drejtorinë e Arsimit, falë një qytetari aktiv, patëm mundur që tia dorëzojmë një kallëzim penal, Prokurorisë Komunalë në Prizren.
Përmes transaksioneve bankare, patëm arritur që tia vërtetojmë se taksat tona kishin shkuar në speca e domate, çokolada e pije, pastaj në pushimet e tij me familje e të tjera. Ndërsa kanë kaluar një vit e më shumë, asnjë fjalë të vetme nga drejtësia. Ajo po vonon. Ajo fare nuk po funksionon.
Ne kemi ngritur edhe kallëzime të tjera, dhe nëpërmjet formave të ndryshme të aplikimit kemi denoncuar dhjetëra raste që kanë pasur të bëjnë edhe me përvetësimin e parasë publike. Mirëpo edhe ato raste ose na kanë kthyer mbrapsht, ose nuk janë përgjigjur fare.
Prevalla, është një fshat turistik shumë i bukur, por i degraduar deri më skaj, ashtu siç është degraduar nga mbindërtimet edhe Prizreni.
Megjithëse atje, krimi është miks, aty degradimin e kanë bërë edhe pushtetarët qendror por edhe ata lokal.
Tani drejtësia po merret me këtë çështje. Si dhe, tanimë pothuajse çdo qytetar i Prizrenit e di mirë se çka ngjarë atje.
Ndërsa drejtësia e di se atje ka degraduar i tërë fshati, dhe tani meqë gjendet përballë një shkëmbi shumë të madh, përballë qeveritarëve dhe opozitarëve qendror dhe lokal, ajo duhet ta thotë fjalën e vet. Se a do ta thotë, do ta shohim. Mirëpo kjo çështje është tejet e vonuar, kanë kaluar shumë vite.
Ndërkohë që Kryeprokurori Syl Hoxha me duart lidhur kryq, kokën përpjetë, në shëtitje, Prizreni është kthyer në një vatër të abuzimit me financat publike, korrupsionit dhe shkeljet e ligjit. Të tillë prokurorë janë në fakt \"bashkëpunëtor\" në vepër, sepse të tillët janë mbulesa më efikase e krimit.
(Autori është Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, në Prizren)