Qetësi para furtunës apo djersitje para flladit
Shkruar nga Behxhet Sh. Shala - Bajgora
Midis dy të vërtetave apo midis dy mashtrimeve: Çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi u bë përallë e cila nuk po e kryen detyrën e përrallës që i qetëson dëgjuesit por po prodhon pasiguri dhe ankth.
Ky demarkacion, së paku vitin e fundit e ka krijuar një gjendje të jashtëzakonshme ku gazi lotsjellës u bë meny e përditshme e qytetarëve të Prishtinës, deputetëve të Kosovës si dhe e policëve të këtij vendi që thuaja janë rritur me gazin lotsjellës.
Në këtë situatë të jashtëzakonshme është bërë e zakonshme që deputetët, në vend të pyetjeve parlamentare, draftimit të ligjeve dhe përfaqësimit së të drejtave të qytetarëve, armatosen me bombola gazi duke i aktivizuar pastaj në vende të caktuara gjithnjë brenda Kuvendit të Kosovës.
E kemi një situatë kur alamet burra aktivizojnë bombola të këtij gazi sikur edhe kur zonja të nderuara, sharmante dhe të respektuara e bëjnë tymnajë Kuvendin e Kosovës me gaz lotsjellës!
Është një ndjenjë jashtëzakonisht e rëndë të shohësh deputetë të Kosovës të prangosur sikur të ishin hajna pulash apo hajdutë të xhepave. Këso pamje nuk mund të gjeni në asnjë vend të botës.
Gjithashtu, e kemi një pamje të keqe dhe ndjenjë gjithashtu të keqe kur përballeni me gjendjen kur policët e Kosovës, pa fajin e tyre, bombardohen me gjësende të forta vetëm pse janë në zbatim të ligjit.
Qytetarët e Kosovës, së paku këtë vitin e fundit kanë mbetur të ndrydhur midis çekanit dhe kurdhës apo midis të vërtetës apo mashtrimit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi! I kemi në të njëjtën kohë dy të vërteta të mëdha apo dy mashtrime edhe më të mëdha për këtë demarkacion.
Komisioni Shtetëror që identifikohet me pushtetin apo pozitën, nuk e lë asnjë dyshim për rregullsinë e këtij procesi të demarkacionit ndonëse ky proces njihet për mungesë të skajshme të transparencës dhe gjërat janë bërë të ditura vetëm pasi i doli tymi!
Ky komision edhe tash këmbëngul se çdo gjë është në rregull dhe se Kosova nuk humbë asnjë pëllëmb toke.
Ekipi i Ekspertëve prapa të cilit janë opozita dhe ata që nuk pajtohen me këtë demarkacion, me siguri absolute thotë se Kosova humbë mbi 8200 hektarë të territorit dhe se tërë procesi i bisedimeve ka qenë i mbuluar me errësirë dhe të panjohura gjë që deri diku edhe ka të drejtë. Pikërisht mendoj në mungesën e transparences kur e them se deri diku ka të drejtë!
Nuk jam ekspert për shenjimin e kufijve sikur që duket se askush në Kosovë nuk është ekspert për këtë çështje prandaj, shifra prej 8200 hektarë më trondit deri te thonjtë e këmbës.
Shtetet kanë bërë luftë për territore shumë më të vogla se humbja e supozuar, nga ana e Ekspertëve të Pavarur, e territorit të Kosovës e lëre më nëse e humbni thuaja 1% të territorit të vendit.
Loja me shifra në Kosovë është shumë e rrezikshme edhe nëse flitet për qëllime të mira apo zbulim të së vërtetës!
Jemi dëshmitarë se, për një çështje shumë të ndjeshme sikur është ajo e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, është shkaktuar konfuzion sepse vazhdimisht është përmendur shifra prej 20.000 femrave të dhunuar ndërsa askush nuk ka qenë në gjendje të ofrojë një listë të saktë edhe me vetëm 500 femra të dhunuara.
Prandaj e them se është shumë e rrezikshme loja me shifra sidomos kur ajo ka për qëllim përfitime materiale apo përfitime politike!
Pastaj lista e veteranëve të luftës, atyre të skemave sociale apo të tjera! Sot, nuk më hynë në kokë se ka shqiptarë që i falë tokë një shteti tjetër!
Thjesht nuk ma kapë kjo rradakja ime këtë ose, mund të jetë se jam krejtësisht i painformuar apo injorant në këtë lëmi. Prandaj, më ka tronditë kjo shifër!
Nëse del e vërtet se Komisioni Shtetëror ka falur apo shitur tokë të Kosovës atëherë nuk do të ketë burg që do ti mbajë ata dhe nuk do të ketë tokë që do ti durojë varret e tyre përveç se nëse vorrosen në Serbi sikur që është rasti me Esat Pashë Toptanin.
Gjithashtu, nëse del se Ekipi i Ekspertëve e ka shndërruar profesionalizmin e tyre në bastore prej 8200 hektarësh duke u bërë mashë e politikanëve të opozitës, atëherë edhe këta duhet të barazohen për kah përgjegjësia me Komisionin Shtetëror!
Këtu nuk mund të kenë të drejtë të dyja palët sikur që as përgjegjësia nuk u takon të dy palëve! Është krijuar një hapësirë e artë për manipulim ; pushteti manipulon me masa se nuk mund ti kemi vizat pa demarkacion prandaj duhet të pranohet ashtu siç është kurse opozita çdo gjë në Kosovë e lidhë me 8200 hektarë, sidomos të ardhmen e saj politike!
Në këtë rast viktima reale janë qytetarët e Kosovës që janë ndarë edhe brenda familjeve për këtë çështje, deri më tash të paverifikuar dhe të ngelur në fushën e spekulimeve!
Nuk e besoj se ka të tillë që sot pajtohen me humbje të territorit sikur që nuk besoj se ka aventurierë aq të marrë që u hynë këtyre punëve!
Prandaj u bë mirë që kjo çështje u shty deri më 1 shtator dhe se kjo kohë duhet të shfrytëzohet për sqarimin e gjërave dhe përafrimin e pozicioneve në mënyrë që të arrihet një pajtueshmëri midis pozitës dhe opozitës. Madje, besoj se duhet të ndodhë edhe një shtyrje tjetër!
Nëse nuk ndodhë kështu, do ta kemi një tensionim të situatës ku të pakënaqurit e politikës do të manipulojnë me masën e pakënaqur dhe pasojat do të jenë të pashmangshme!
Shumë më brengos fakti apo lehtësia e pabesueshme e ndarjes në tradhëtarë dhe patriotë në përputhje me intereset personale dhe politike duke e shfrytëzuar apo keqpërdorur situatën e tashme!
Një numër jo i vogël i atyre që po ngrejnë akuza për tradhëti e njëkohësisht vëjnë mbi kokat e tyre aureolën e patriotëve, i kanë pasur familjarët që qençe i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë kurse tash, duke mos iu nënshtruar lustracionit po bëjnë përpjekje të pastrohen nga e kaluara! Nuk mbulohet dielli me shoshë! Kosova është shumë e vogël andaj dihet se kush dhe çka ka bërë për këtë vend!
Në vendet e transicionit e Kosova po e kalon një transicion të stërzgjatur bëhet me shumë sukses riciklimi i horrave në njerëz të ndershëm prandaj edhe prodhojmë këso situate sikur që i kemi dhe, prandaj ndërkombëtarët bëjnë çtë duan ndonëse në vendet e tyre nuk janë kurrfarë vlere!
Në Kosovë dikush po luan me zjarr duke akuzuar për shitje territoresh apo duke shitur territore apo duke ndarë qytetarët në patriotë dhe tradhtarë! Dhe, përfundimisht, ai që luan k..e me të tjerët, ose nuk ka fare k..e ose do të mbetet pa to !
Gjykata Speciale dhe gjeografia politike: Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Holandë dhe me staf 100% ndërkombëtarë dhe me të dënuar 100% shqiptarë që gjithashtu 100% do të vuajnë dënimet 100% jashtë territorit të Kosovës, është Gjykatë raciste sepse arreston, gjykon dhe dënon ekskluzivisht një përkatësi kombëtare kurse amniston një përkatësi kombëtare tjetër.
Është një përshtypje se më shumë i gëzohen kësaj Gjykate disa shqiptarë dhe sa vet serbët që, përmes lobistit të tyre Marti ( ç ) ndikuan në themelimin e kësaj gjykate speciale vetëm për shqiptarët!
Askush që e don të drejtën për vete dhe kombin e vet nuk do të duhej ti amnistojë kriminelët që kanë bërë krime ndaj të tjerëve, qofshin ata edhe armiq!
Lufta çlirimtare nuk ju amniston nga krimet që i keni bërë, nëse keni vepruar kundër zakoneve të luftës prandaj as Kosova nuk duhet të jetë përjashtim!
Krimi nuk ka përkatësi etnike sikur që as viktimat nuk mund të ndahen në bazë të përkatësisë etnike. As kriminelët nuk bëjnë përjashtime dhe nuk ka kriminelë pozitiv nëse i përkasin kombit tuaj dhe kriminel negative nëse i përkasin kombit që është armiqësuar kundër! Vetëm në këtë baza mund dhe duhet, edhe të kërkohet drejtësia, edhe të ndahet drejtësia!
Po këta që po i gëzohen kësaj Gjykate Speciale Raciste nuk e kanë qëllimin e drejtësisë por e bëjnë për përfitime politike duke shpresuar se kjo gjykatë do ta gjymtojnë kapacitetin politik të kundërshtarit!
Dhe këtu gabojnë shumë sepse asnjë gjykatë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përjashtuar ate të Nyrebergut, nuk ka shkaktuar tërrmete politike por vetëm ka bërë gërvishje sipërfaqësore apo ka areestuar njerëz me afaft të skaduar politik, si mbeturina dhe plehra të papërshtatshëm për riciklime politike.
Kështu do të ndodhë edhe në Kosovë sepse në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë qëllimi vendosja e drejtësisë dhe shpagimi i viktimave përmes drejtësisë!
Gjykata Speciale Raciste në Kosovë nuk do të shkaktojë tërmete por do të dështojë në rehabilitimin e viktimave.
Përfitues të kësaj Gjykate Speciale Raciste do të jenë hetuesit, prokurorët, gjykatësit, guardianët, avokatët dhe administrate burokratike ndërkombëtare që do të paguehen shumë për hiç asgjë!
Nëse e luftoni krimin në mënyrë selektive atëherë nënkuptohet se do të keni drejtësi dhe padrejtësi selektive që për rezultat do të ketë pakënaqësi selektive! Dhe pasoja selektive. Kështu që, nuk ka gjë prej kësaj Gjykate dhe nuk ka shpresa që kjo gjykatë ti fitojë zgjedhjet për një apo më shumë subjekte politike në Kosovë të cilat të gjitha ëndrrat për të ardhmën politike të tyre i kanë lidhur me Gjykatën Speciale Raciste!
Majlinda e majave të suksesit: Majlinda Kelmendi lindi për arritjen e majave të suksesit. Në Rio arriti majat mbi të cilat nuk mund të shkojë asnjë sportist.
Do të ishte fenomenale sikur mbi ato maja të mos dukej Hashim Thaçi që, për mendimin tim kishte marrë rrugë të gabuar. Ishte anomali që ekipi i Kosovës përbëhej nga 8 garues dhe 18 përfaqësues!
Aty e kishte vendin vetëm ministri i Sportit, Kujtim Shala kurse të tjerët, kanë mundur të shkojnë vetëm si turistë apo haxhinj!
Këta turistët institucionalë të Rio de Zhanerios ishin vetëm maska të cilat Shtëpia e vetme Publike me letra në Kosovë RTK përpiqej ti promovonte kot si koti ndërsa përmbajtja, protagonisti dhe kuptimi i Kosovës në Rio ishte Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj, Driton Kukaj.
Respekt edhe për sportistët tjerë që u përpoqën dhe asnjë respekt për ata që me para të popullit u rrezitën në plazhin e Kopakabanës!