Qendra Historike e Prizrenit
Shkruar nga arch. Ylber Vokshi -Ylli
Është ma se e logjikshme së ligjet bëhen për të siguruar dhe begatuar jetën e një shoqërie,ato duhet të jenë në harmoni së pari me kërkesat e komuniteteve,pastaj me detalet teknike që ato duhet të përmbajnë,e së fundit me rregullimin shtetëror të asaj shoqërie.
Do të isha shumë kureshtar të dija se sa është respektuar ndonjëri nga parimet e cekura më lartë,në rastin e përpilimit dhe aprovimit të ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.
Nëse do ti punonim dokumentet hapësinore ashtu si parashihet me ligjet aktuale as që do të kishim nevojë të kemi elaborate apo projekte urbane speciale si po i quajnë \"Qendra Historikenë të gjitha vendbanimet e Kosovës.
Obligim i çdo shteti është të trajtohen barabar të gjitha qendrat historike të qyteteve (down town),dhe objekteve të trashëgimisë së pasur kulturore,e mos të na ngjanë si me ligjin për Zonat e veçanta të mbrojtura. Në pakon e Ahtisarit mbiu ky ligj,të cilin e aprovuan delegatët e Kuvendit të Kosovës në vitin 2008,u zyrtarizua si ligji obligues me nr.03/L-039/2008.
Për mua si profesionist,aspak nuk e kisha të qartë se si një veprim i tillë,i pa shpjegueshëm,që pakkush ka mundur ta parafytyrojë në qarqet intelektuale,po kalonte pa reagime së paku të profesionistëve,e sa për shoqërinë civile të fjetur as që duhej diskutuar para katër viteve. Ishte e domosdoshme me iu shpjeguar atyre deputetëve, se si po aprovonin një ligj të tillë i cili do shkaktonte reaksione negative kur do të fillon të aplikohet.
Jemi dëshmitar,kjo edhe ngjau këta muajt e fundit me ligjet e Prizrenit dhe Hoqës së madhe,të cilët dalin nga Ligji i vitit 2008 për Zonat e veçanta të Mbrojtura.
Për fat të keq reagimet e mija ishin zë i vetëm para katër vitesh,e që u treguan të drejta. Jam shumë i vetëdijshëm për obligimet dhe kompromiset e dhimbshme që i ka bërë kjo shoqëri në emër të pavarësisë,por këto duhej të ishin vetëm çështje teknike e kurrsesi politike,si u veprua në rastet konkrete në Prizren dhe Hoq të madhe.
Më duhet të theksoja vetëm dy imtësi nga ky ligj:
· Këshilli Zbatues dhe Monitorues KZM i ka disa autorizime që e venë në pikëpyetje ekzistimin e dokumenteve hapësinore dhe urbane komunale (PZhK dhe PZhU),në të gjitha ato Komuna ku ka zona të veçanta të mbrojtura. Ketë nuk do ta lejonte asnjë shoqëri !.
· Dispozitat e këtij Ligji nuk do të paragjykojnë të drejtat e pronësisë mbi pronat e ndodhura brenda këtyre zonave !,shkruan në ligj,e në anën tjetër në 50 apo 100 metra në perimetër ato prona janë të bllokuara. A ka ndonjë ekspert vendor apo ndërkombëtar të arsyeton apo të shpjegon në mënyrë profesionale këtë,se si pronari mundet të shfrytëzoi pronën e vet !. Është kjo shkelje elementare e të drejtës në pronë që sanksionohet në çdo shtet.
Ka edhe shumë çështje tjera që në kohën e fundit janë aktualizuar si Kushtetutshmëria, shkelja e të drejtave elementare të njeriut,etj.,por për ketë ka organe kompetente shtetërore që duhen me punuar dhe vepruar.
Reagimin e shoqërisë civile dhe banorëve të Prizrenit dhe Rahovecit i arsyeton çdo njohës i mirë i trashëgimisë kulturore dhe historike. Harmonia fetare shumë shekullore po tentohet të prishet, jo vetëm në Prizren por në tërë Kosovën. Objektet fetare asnjëherë nuk iu kanë parapri ndasive.
Përkundrazi, ato janë trajtuar si pjesë integrale urbane dhe rurale dhe kanë qenë përbërës të identitetit urban. Cilat koka normale në tërë rruzullin tokësor do të pajtoheshin që një komuniteti fetar,në rastin konkret kishës Ortodokse serbe,ti epen kompetenca të paparashikueshme ndonjëherë,mbi komunitetet tjera fetare ?.
Shtrohet pyetja laike përse serbe,kur dihet botërisht se edhe shqiptarët ortodoks kanë jetuar dhe vepruar në këto territore në shekujt e kaluar,dhe kanë lanë gjurma të trashëgimisë kulturore dhe historike,e të cilat dikush i ka përvetësuar. Sa kemi mungesa të hulumtimeve të shkruara historike, arkeologjike dhe arkitektonike të kaluarës tonë të ndritshme. Për shkak të këtyre paqartësive po kemi,pakënaqësi të mëdha në popull dhe peticione e demonstrata të qytetarëve.
Besoi se askujt nuk i konvenon që në Kosovë të kemi shkelje të konventave ndërkombëtare,të cilat nuk lejojnë diskriminime të tilla,si parashihet në ligjin për Zonat e veçanta të Mbrojtura si dhe në ato të Prizrenit dhe Hoqën së Madhe.
Këto avancime që po i bëhen kishës ortodokse serbe ,para zbatimit po shkaktojnë revolta të arsyeshme të komunitetit,dhe do të kenë pasoja shumë të mëdha dhe çoroditëse në të ardhmen për të gjitha komunitetet fetare në Prizren dhe në tërë Kosovën. Në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore janë paraparë të themelohen 45 zona të veçanta të mbrojtura,a thua nga kush !.
Se ekziston një naivitet skajshmërisht i pa shërueshëm i popullit tonë,e tregojnë edhe disa zëra keqbërëse se ligji një herë duhet aprovuar pasi atë po e imponojnë ndërkombëtarët,e pastaj pasi do të vërehet se ai është i pazbatueshëm,atë mundemi ta rishikojmë apo ta ndryshojmë sapo të pranohemi në OKB.
Këto mendime tregojnë një papjekuri totale dhe pa përgjegjësi elementare,të atyre që mendojnë të luajnë me rregullat,normat,standardet dhe obligimet shtetërore në relacionet ndërkombëtare.
Organet kompetente të shtetit të Kosovës duhet ndryshuar dhe plotësuar (amandamentuar) ligjin për Zonat e veçanta të mbrojtura i cili bart në vete premisa ekstrem diskriminuese,duke ia përshtatur kërkesave të kohës dhe të gjithë komuniteteve fetare,si dhe të korrigjoi gabimet e para katër viteve.
Nuk duhet lejuar që këto dy ligjetë jenë kusht për heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur,si e potencojnë disa !. Për këto çështje Kosova ka ekspert dhe kapacitete intelektuale dhe profesionale, vetëm duhet me iu dhënë hapësirë dhe autorizime.
Paksa është dëshpëruese se sa pak sot përfillen apo respektohen qëndrimet konstruktive të ekspertëve kosovar si dhe vërejtjet,sugjerimet,propozimet konkrete të tyre profesionale. Kjo u vërejt,nga raportimet e medieve,në punën e Komisionit të Kuvendit për Bujqësi,Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor.
Nevojitet vullnet i madh me përkushtim dhe punë profesionale, pasi jam i bindur se edhe vetë z. Ahtisari si ndërmjetësues në rastin e Kosovës,nuk do ta dëshironte ketë situatë të tilla,të pa këndshme dhe absurde në shekullin 21.
(Autori është Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK), qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale)