01 Janar 2025

Qasja e gabuar ndaj problemeve nuk sjell zgjidhje të tyre

Shkruar nga Rrahman Jasharaj,

Të nderuarit përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale të pushtetit, e di se kjo këshillë imja nuk do Ju pëlqej, por po ua them publikisht. Ju keni qasje të gabuar ndaj problemeve ekzistuese e reale dhe prandaj kjo qasje edhe nuk sjell zgjidhjen e tyre.

Ju kujtoj se Kontrata Kolektive e sektorit të Arsimit Parauniversitar është nënshkruar në prillin e vitit 2014 dhe ishte marrëveshje që për shkak të mos planifikimeve buxhetore të pritej janari i vitit 2015 për t’u bërë këto planifikime. Planifikimet, po thoni , nuk janë bërë  dhe kjo ishte qasje e gabuar.

Ju kujtoj se kryetari i SBASHK-ut me stafin e tij udhëtoi komunë me komunë dhe u takua me drejtorët e DKA-ve që në verë duke alarmuar se janari po vjen dhe se duhet përgatitur për implementimin e Kontratës Kolektive. Ata pohuan me kokë dhe e lan me aq. Qasje e gabuar.

Ju kujtoj se u zhvilluan takime e takime me qeveritarë të lartë dhe SBASHK-u alarmoi për gjendjen dhe e tha troç se po nuk u zbatua Kontrata Kolektive nga 10 janari do të ketë veprime të përshkallëzuara sindikale. Institucioneve qendrore e lokale nuk u kishte lënë përshtypje kjo. Qasje e gabuar.

Erdhi e marta dhe greva njëorëshe nisi në shkollat fillore e të mesme të Kosovës. Mbi 95 % e institucioneve arsimore të Arsimit Parauniversitar respektuan kërkesën e tyre të përforcuar me nënshkrime. MASHT në komunikatën e vet përmend disa shkolla që nuk ishin në grevë , por pranë atij numri është dashur të cek sa institucione shkollore iu përgjigjen grevës. Qasje e gabuar.

SBASHK-u ka treguar publikisht se nuk ndalet me të martën, por veprimet e përshkallëzuara do të vazhdojnë.  Institucionet qendrore e lokale  duhet ta kuptojnë seriozisht situatën dhe të ulen e të gjejnë  zgjidhje. Implementimi i plotë i Kontratës duhet të ndodh dhe duhet të gjenden mjete se nuk janë shumë dhe nuk kërkohet të ndahen të gjitha për një herë , por pjesë- pjesë sipas muajve të vitit.

Institucione qendrore e lokale ndërrojeni qasjen ndaj këtij realiteti. Angazhohuni sinqerisht dhe zgjidhje ka dhe është e lehtë. Nëse vazhdoni  me avazin e vjetër mos harroni se qasja e gabuar ndaj problemeve nuk sjell zgjidhjen e tyre. Mos harroni se problemet mund të trashen. Mos harroni se SBASHK-u deri në implementimin e plotë të Kontratës Kolektive do të vazhdojë me veprimet sindikale sepse kjo është e drejtë e garantuar me ligjet gjegjëse të Kosovës dhe me Konventat Ndërkombëtare.

( Autori është kryetar i SBASHK-ut)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)