27 Dhjetor 2024

Pushteti nuk fitohet me retorika boshe dhe karta të djegura!

Shkruar nga Faik Krasniqi

Çfarë do bënin partitë opozitare sikur Thaçi të mos ekzistonte? Ai është thesari i tyre, është “platforma” e tyre.

Imagjinoni sikur Thaçi p.sh. për një moment të mos ishte aq dinak, autokrat dhe despot, dhe të deklaronte që nuk do garojë më për kryeministër pas përfundimit të mandatit aktual të tij, dhe që do japë dhe dorëheqjen si kryetar i PDK-së në fund të këtij mandati. Ose që do të dalë komplet në pension politikisht.

Kjo do ishte padyshim diçka pozitive për politikën shqiptare (pasi tash e 15 vite vetëm po riciklohen të njëjtat figura), por do ishte një bombë për opozitat e Thaçizuara shqiptare. Ata do detyroheshin pastaj të bënin platforma reale politike, se nuk do kishin më Thaçin si platformë. Ose do kapeshin me një individ tjetër për t\'u Thaçizuar.

Thaçi padyshim që për shumë arsye nuk duhet të garojë dhe të jetë më në krye të PDK-së, e aq më pak në krye të qeverisë. Po është pikërisht kjo arrogancë Thaçiste që shihet dhe tek liderët e tjerë politikanë, liderë partiakë, qeveritarë dhe ish qeveritarë, ministra dhe ish ministra, deputetë dhe ish deputetë, zyrtarë të lartë dhe ish zyrtarë të lartë, e kombinuar me dukurinë e Thaçizmit, dmth të polarizimit të çdo gjëje dhe metaforizimit të situatës vetëm tek një person, që mundëson rrumpallën.

Thaçi bënte të njëjtën gjë vetë kur ishte në opozitë, por edhe si kryeministër. Ju kujtohen fjalimet e tij të zjarrta dhe epitetet që i vinte, të cilat i kishte automatikisht dhe pavarësisht se cila ishte situata konkrete për të cilën ai fliste?

Këtë po bëjnë dhe këta që tani janë në opozitë, përfshirë dhe pinjollat e rinj, dhe po bëhen po aq qesharak sa që ai po kritikon.

Po kujt i plasi për Thaçin apo tjetrin çfarë thotë. Jepini popullit një alternativë se çfarë do bëni dhe për hallet e tij! 

Në vend që partitë opozitare të merren me program, të pastrojnë partinë nga njerëzit e konsumuar (kartat e djegura), nga të korruptuarit, njerëzit që janë nën hetime, e të fusin në lista shumicën e njerëzve figura të reja, me biografi të pastër, njerëz me energji të reja dhe vizion të ri, ata nuk punojnë në këtë drejtim, por merren me Thaçin dhe nuk kontribuojnë asgjë.

Çdo parti politike synon ta fitojë pushtetin. Në rregull. Për këtë gjë mbahen edhe zgjedhjet. Qytetarin për ta bindur për të votuar ndryshe, duhet ta bindësh me njerëz adekuat. Po ku i kanë njerëzit e tillë?

Pushteti nuk fitohet me retorika boshe se \'\'do ta mundim Thaçin\'\'. Nuk fitohet pushteti as me njerëz të njëjtë (karta të djegura) që janë në skenën politike tash e 15 vite, e as me njerëz me biografi të dyshimtë. Nuk fitohet pushteti as me sondazhe që bëhen sipas dëshirave të partive.

Kjo vlen për të gjitha partitë (pozitë dhe opozitë) nëse duam të kemi një Parlament dhe një Qeveri me njerëz të pastër dhe intelektualë të mirëfilltë. Pushteti fitohet me vizion, me program të kapshëm, njerëz adekuat, të ndershëm, intelektualë të mirëfilltë dhe që kanë vizione të qarta se si ta udhëheqin shtetin.

Nëse opozita nuk zgjohet nga gjumi dhe të reflektojë, Thaçin së bashku me kompaninë e tij do ta kemi edhe për katër vite kryeministër dhe në Qeveri!


(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i \'\'Nismës për Kosovën\'\')

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)