26 Dhjetor 2024

“Pushkatojeni“ Adem Mikullovcin, nëse doni t’i zgjidhni problemet!

Shkruar nga Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA

Ngërçi politik apo ngërçi në kokë

Seanca konstituive u zhvillua ashtu siç nuk do të duhej të zhvillohej, me shantazhe, frikësime, linçime publike dhe terrorizim të deputetëve të shënjestruar dhe qytetarëve të Kosovës. Deri më tani ishte vendosur një praktikë e mirë dhe nuk ka pasur probleme kur është dashur të zgjidhej kryetari i Kuvendit, nënkryetarët dhe kryesia.

Viti 2014 ishte viti kur me një vendim të Gyjkatës Kushtetuese u ngatërruan gjërat aq shumë duke krijuar një bazë ligjore për legalizimin e bllokimit të proceseve që po vërehen pikërisht këto ditë kur edhe dështoi seanca konstituive e Kuvendit. Deputetët u treguan të mirësjellshëm dhe korrekt vetëm derisa u certifikuan si deputetë e që ua mundëson t’i marrin pagat, kryesisht të pamerituara.

Seancën konstituive të Kuvendit, sipas një skenari të zbatuar deri më tani dhe që nuk u kundërshtua asnjëherë e udhëhoqën deputeti më i vjetër në moshë dhe ai më i riu. Rastisi të jetë Adem Mikullovci nga VV dhe Teuta Rugova nga LDK. Jam i sigurt se asnjëri nga ta, po të pyeteshin, me dëshirë nuk do të uleshin në ato karrike.

Adem Mikullovci nuk kishte përvojë në udhëeheqjen e seancave paralamentare andaj bëri disa gabime që kurrsesi nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e punës së seancës konstituive. Ai e kishte përkrahjen e stafit mbështetës të sekretariatit të Kuvendit mirëpo stafi nuk mund t’ia lexonte mendimet e pathëna apo të fliste në emër të tij.

Ishte një situatë tragji-komike kur kryesuesi i seancës konstituive e deklaroi si të mbyllur seancën në vend se të thotë se seanca shtyhej për një kohë të caktuar apo pacaktuar. Të pranishmit në sallë por edhe ata para ekraneve televizive e kanë parë reagimin plotë habi të stafit mbështetës, me vendimin e kryesuesit të seancës. Nuk e besoj se këtë gabim Adem Mikullovci e ka bërë me qëllim sepse askush nuk ishte përfitues nga kjo situatë.

Mungesa e përvojës dhe situatat jashtë kontrollit kanë ndikuar në këtë gabim të paqëllimshëm të cilin pastaj, thuaja të gjitha subjektet politike e përdorën dhe e keqpërdorën për qëllime politike. Adem Mikullovci, gjatë udhëheqjes së seancës konstituive është dashur të jetë i paanshëm politikisht e që nuk ishte, pa deklaruar se kush mund dhe kush nuk mund të bëhet kryetar i Kuvendit apo kryeministër. Ky ishte gabimi i vetëm i nipit të nipit, kurse gabimet tjera janë të papërfillshme.

Arsyetimi se nuk ka mundur ta thërrasë seancën e re pa pëlqimin e subjekteve politike nuk është i qëndrueshëm sepse kryesuesi i seancës konstituve të Kuvendit të Kosovës nuk ka asnjë detyrim ta konsultojë ndonjë subjekt politik për seancë të re për faktin se ishte vetëm një pikë e rendit të ditës: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, nënkryetarëve dhe këtu do të përfundonte roli i Adem Mikullovcit dhe Teuta Rugovës për të vazhduar pastaj me procedura tjera.

Nuk ishin as Adem Mikullovci e as Teuta Rugova përgjegjës për dështimin e seancës por ishin deputetët e papërgjegjshëm dhe inatçorë përkatësisht liderët e tyre, të uritur për pushtet. Me kushtetutën që është sot në fuqi në Kosovë, koalicioni fitues parazgjedhor apo subjekti që merr më së shumti vota e ka të drejtën ekskluzive ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe se ky propozim nuk ishte kundërshtuar deri më tani.

Jofituesit e zgjedhjeve nuk kanë asnjë të drejtë t’i caktojnë fituesit emrin e të propozuarit siç po veprojnë në rastin konkret. Jofituesit e zgjedhjeve kanë interes që të përshpejtohet zgjedhja e udhëheqësve të Kuvendit në mënyrë që pastaj ta fitojnë të drejtën, në rast të dështimit të PAN-it, ta formojnë qeverinë. Anjë koalicion normal apo fitues i zgjedhjeve nuk do të pranonte që jofituesi të vendosë se kush do të jetë kandidat i fituesit për kryetar të Kuvendit aq më parë që kjo është e rregulluar me Kushtetutën e Kosovës.

Në arsyetimin e VV për kundërshtimin e Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit ishte se nuk është figurë unifikuese dhe se është figurë kontraverse. LDK ishte më radikale sepse thoshte se Kadri Veseli është i padenjë për kryetar të Kuvendit ndonëse për tri vite me radhë e luajti rolin e kurvës politike në shërbim të PDK dhe Kadri Veseli. Ka mjaftuar që Kadri Veseli ta prek rrypin e pantallonave dhe LDK i ka lëshuar brekët. Për çfarë dinjiteti flasin sot! Për çfarë morali e kanë fjalën ?! Pse atëherë e votuan Kadri Veselin, në kohën kur e kundërshtonte një pjesë e LDK ! LDK nuk po udhëhiqet nga arsyeja pse e refuzon Kadri Veselin por nga inati dhe ndjenja e hakmarrjes për rrëzimin e qeverisë Mustafa dhe këtë e përsërit në çdo rast dhe ky është edhe argumenti i vetëm. LDK–në e kanë rrëzuar në rend të parë vet deputetët rebelë të LDK-së e pastaj ekzekurimin e kanë bërë PDK dhe të gjitha partitë tjera, edhe VV. Nëse VV udhëhiqet nga një parim i kundërshtimit, LDK nuk ka parime për këtë sepse për tri vite me radhë ka qenë pjesë aktive e orgjisë politike.

Të kontrabanduarit dhe të dhunuarit


PAN ka deklaruar se i ka numrat e nevojshëm për kryetar të Kuvendit dhe qeverinë Haradinaj. Doli se nuk i ka. Kam menduar se do t’i sigurojë 61 vota të nevojshme për formimin e qeverisë dhe Kuvendit ndonëse kam konsideruar dhe konsideroj se kjo do të ishte qeveri me këmbë të qelqit e cila do të shkërmoqej në çdo çast, aq më parë që nuk do të kishte jetgjatësi dhe nuk ishte interes që 61 deputetë shqiptarë (tash 60, pa Teuta Rugovën ) të mbesin në opozitë në një mjedis thuaja 94% shqiptare. Njihem si një kundërshtar i madh dhe pakompromis i politikës së Ibrahim Rugovës për të cilin mendoj se e ka penguar luftën çlirimtare. A kam të drejtë a jo është çështje e kohës dhe historisë, pasi të hapen letrat, pas një kohe të caktuar. Nuk jam marrë asnjëherë me familjen e Rugovës por as me Rugovën ad personem. E kam përkrahë çdokend që ka punuar dhe punon për këtë vend dhe që ka bërë sakrificë për këtë vend dhe këtë gyjsmëlirie që e kemi. Botërisht kam deklaruar se më shumë e çmoj sakrificën e një luftëtari të UÇK-së, edhe nëse ka luftuar një minut të vetëm se disa personave dhe familjeve që kanë jetuar dhe mbijetuar në çdo sistem kryesisht duke punuar në dëm të popullit, gjuhën e të cilit, për fat të keq e kanë pasur të njëjtë me ata që kanë luftuar, vdekur dhe syrgjynosur për këtë popull dhe Kosovën, si pjesë e pandashme e Shqipërisë, e ndarë në mënyrë të dhunshme nga shteti amë. Unë nuk bëjë dallim midis Fehmi Lladrovcit dhe Agim Ramadanit sikur as midis Ilaz Kodrës e Sali Çekut dhe shumë dëshmorëve tjerë që kanë rënë për lirinë e Kosovës.

Pas qershorit 1999 u krijua një situatë tjetër ku shumë luftëtarë të lavdishëm hyrën thellë lakrave duke u shndërruar në milionerë dhe duke rënë në kundërshtim me parimet dhe sakrificat që i bënë para e sidomos gjatë luftës. Milionerë u bënë edhe paqësorët apo ata që ishin në shërbim të armikut dhe kundër intereseve të popullit por këta nuk binin në sy. Fillimisht, pas përfundimit të luftës, kolaboracionistët që nuk bënë as rezistencë paqësore, u strukën nga frika për jetën e tyre dhe pritën gabimet e krahut të luftës të cilat ishin të shumta për t’u shndërruar pastaj në denoncues dhe akuzues kryesorë të luftës dhe atyre që e bënë luftën e lavdishme por që e shkelën me grykësinë e tyre.

Tash, nuk po dihet se kush e bëri luftën çlirimtare, kush e tradhëtoi ate, kush ishin të torturuarit në burgjet e Jugosllavisë dhe Serbisë dhe kush ishin torturuesit. Edhe tash, ata që i shërbyen Jugosllavisë dhe Serbisë janë në ofensivë politike duke ua mohuar sakrificat e paimagjinueshme që i kanë bërë familjet Jashari, Haradinaj dhe të tjera sikur edhe luftën legjendare, në kushte tmerrësisht të vështira dhe të pafavorshme që e bënë trimat e UÇK-së (pavarësisht përkatësisë politike dhe partiake ) sepse, ai që lufton për popull dhe liri nuk njeh parti e as politika të çastit.

Adem Demaçi ishte alfa dhe omega e përpjekjeve për liri dhe bashkim kombëtar dhe, edhe nëse dikush ka qenë dhe është kundërshtar i tij, këtë nuk mund ta mohojë. Ibrahim Rugova e zgjodhi rrugën e lehtë e cila doli të jetë shumë e vështirë. Tash, ta sulmoni dhe linçoni publikisht Teuta Rugovën se e voton Kadri Veselin për kryetar Kuvendi dhe Ramush Haradinaj si kryeministër të Kosovës është skajshmërisht e pamoralshme dhe e ligë aq më parë që këta që sot po e sulmojnë për tradhëti, në vitin 2014 e detyruan ta votojë Kadri Veselin, kryetar të Kuvendit dhe më vonë Hashim Thaçin për president të Kosovës. Cilat janë rrethanat e reja që atëherë paska qenë e moralshme dhe patriotike të votohen Kadriu dhe Hashimi ndërsa sot qenka e pamoralshme dhe tradhëti nëse votohet Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj përveç faktit se iu shkurtua mandati qeverisës Isa Mustafës! A ishte edhe atëherë LDK parti rugoviste apo u bë tani kur po keqpërdoret Rugova dhe familja e tij për shkaqe politike dhe marrje të pushtetit! Haxhi Abdyli u turpërua nga një dorë e ngritur e Teuta Rugovës që ishte në kundërshtim me ate të LDK–së e nuk po turpërohet nga qëndrimi shantazhues, joburrëror dhe jonjerëzor që e bënë duke e linçuar botërisht Teuta Rugovën. Turp dhe ligësi është t’ia mohosh të drejtën e shprehjes së vullnetit përmes votimit edhe atëherë kur nuk jeni në linja të përbashkëta. Ka mbetur te një pjesë e LDK –së ajo mendësia komuniste dhe jugosllave e imponimit të vullnetit politik në të kundërtën do të eliminoheni nga skena politike siç ngjau me një grup të anëtarëve të LDK–së, që nga koha e themelimit e që u eliminua nga LDK për shkak të mosbindjes së një mendësie politike. Pafytyrësia është antologjike dhe mbamendja është e shkurtër duke u përputhur me interese partiake, politike dhe të marrjes së pushtetit. Jo vetëm te LDK por edhe te subjektet tjera politike!

Qenka e pamoralshme ta kontrabandoni një deputet (pajtohem edhe unë ) por qenka e moralshme ta dhunoni vullnetin e një deputeti të votojë në bazë të përcaktimit apo interesit ( për këtë nuk pajtohem ). Po flas hipotetikisht; nëse Teuta Rugova i kthehet kopesë politike, menjëherë do të falej dhe do të konsiderohej se po vepron në frymën rugoviane ! Nuk e them se PAN nuk ka bërë përpjekje ta bëjë për vete Teuta Rugovën duke përdorur të gjitha mjetet e lejuara dhe të ndaluara por të njëjtën gjë e ka bërë edhe LDK, duke e prekur në çështje më të ndjeshme, në çështje familjare e që do të duhej të ndaheshin nga politika. Këtu është paturpësia dhe imoraliteti i disa eksponentëve të LDK – që Rugovën e kanë dashur dhe e duan sikur borën e para 10 vjetëve. Teuta Rugova është viktimë e të dy blloqeve politike që duan pushtet me çdo kusht. Në këtë drejtim solidarizohem me Teutën sikur edhe me të gjithë ata që i nënshtrohen një terroririzimi personal dhe familjar për arritjen e qëllimeve politike dhe intereseve të përfitimit material.

Figura tragjike e Labinot Tahirit

Labinot Tahiri ka bërë karrierë muzikore dhe mirëqenien personale dhe familjare e ka arritur në bazë të zërit që e ka. Ka qenë i angazhuar edhe në aktivitete bamirësie që është për çdo lëvdatë pavarësisht nëse ka kontribuar me mjete vetanake apo mjete të siguruara nga të tjerët. Është me rëndësi se i ka lëvizur gjërat në drejtim të duhur ; ndihmë njerëzve në nevojë. Gabimin më të madh e bëri kur hyri në një fushë që nuk e njihet, ate politike. E llogarisë si figurën më tragjike dhe më humbëse të zgjedhjeve të fundit, anipse u bë deputet. Është fshehtësi publike se Labinot Tahiri llogaritej si vota e 61 –të e PAN-it gjë që edhe ky e bëri të ditur përmes deklarimeve publike. Deklaroi publikisht se do ta votojë çdo kandidat shqiptar për kryetar të Kuvendit ndërsa, nën presion të politikës u bë ushtar i dëgjueshëm i partisë. Dje, kur besohej se do votonte për PAN, nga kolacionet jofituese u shpall Moisi Golem politik dhe kombëtar kurse kur u disiplinua partiakisht, po shpallet hero i ditëve të demokracisë. Edhe Labinot Tahiri është joshur nga fituesi i zgjedhjeve, nuk e di me çfarë premtimesh kurse është dhunuar nga koalicionet jofituese me vurjen e damkës së tradhëtarit që, për mjedisin tonë mediokër dhe folklorik është ballë e papërballueshme. Po është çështje e tij se si do të sillet në të ardhmën aq më parë që në mesin e atyre që e kanë akuzuar për tradhëti kombëtare dhe politike, ka të tillë që e meritojnë Çmimin Nobel për tradhëti kundër kombit dhe shtetit, nëse do të ndahej një çmim i tillë !

Për mendimin tim nuk është faji te Teuta dhe Labi as për fituesit që nuk i siguruan numrat e as për jofituesit që nuk i kanë numrat dhe është krijuar një pat – pozicion midis dy lojtarëve të pasinqertë dhe hileqerë. Ndërkaq, hijenat dhe orangutangët e prapaskenës politike janë në gjendje gatishmërie t’ua nxjerrin sytë të dyja palëve, fituese dhe jofituese.

Inati si mjet bllokues apo interesi qytetar si mjet çbllokues

Mbështetur në interpretimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2014, PAN e ka të drejtën e vetme të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, cilin të dojë e jo sipas dëshirës së jofituesve. Jofituesit mund ta votojnë apo të mos e votojnë kandidatin e PAN-it por jo të vendosin për emër të kandidatit. Këto janë rregulla të demokracisë; vota e përcakton postin e jo dëshira. Deri sa nuk ndryshon Kushtetuta e Ahtisarit në Kosovë, do ta kemi këtë gjendje e cila, sipas meje duhet të ndryshojë në favor të shumicës parlamentare dhe pa të drejtë në në pakufi ta propozoni kandidatin edhe kur nuk i keni numrat e nevojshëm për zgjedhje të tij, pavarësisht emrit. Insistimi i jofituesve që ata të vendosin për emrin e kandidatit të PAN-it është joserioz, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me logjikën. Ky qëndrim imponues i jofituesve është përpjekje për bllokim dhe shkuarje në zgjedhje të reja të cilat i konvenojnë VV por jo edhe LDK-së. Këto zgjedhje i konvenojnë edhe PDK-së. Shkuarja në zgjedhje të reja nuk u konvenon disa deputetëve të cilët, në të ardhmën, jo që nuk do të bëheshin deputetë por do ta shihnin Kuvendin vetëm nga perspektiva e një kalimtari të rastit. Kadri Veseli, po të udhëhiqej nga inatet personale, kurrë nuk do të pranonte të dorëhiqej nga mundësia e të qenit kryetar i Kuvendit që ligjërisht i takon, nëse sigurohen votat. Me Kushtetutën në fuqi ka mundësi që deri në infinit të votohet për kryetar të Kuvendit. PAN, përkatësisht PDK bëri kompromis me këtë post të cilin VV nuk e pranon e as LDK që e quajnë shantazh ndonëse edhe këta e shantazhojnë PAN-in duke kërkuar tjetër emër anipse nuk kanë të drejtë. Kjo i bjen sikur nëse Albin Kurti e fiton të drejtën për formimin e qeverisë dhe, nëse mbetet 60 vota me 60 vota, PAN do pajtohej që të mbështesin jofituesit me largimin e emrit të Albin Kurtit nga manadatari për formimin e qeverisë.

Nëse dikujt i konvenon funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës pavrësisht emrave, atëherë këta janë jofituesit e zgjedhjeve të fundit. Por këtu pikërisht qëndron problemi; jofituesit nuk e votojnë kandidatin e PAN-it për kryetar të Kuvendit shkaku se kanë frikë se ato vota do të përdoren edhe për formimin e qeverisë Haradinaj. Këtu jemi në qorrsokak dhe pa dalje deri sa ndërkombëtarët nuk e prejnë nyjen e Gordit sikur që e kanë bërë gjithmonë! Atëherë do të shpërfaqet mjerimi i këtyre që po luftojnë për pushtet. Lufta nuk po bëhet për kryetar të Kuvendit sepse kjoi është e përcaktuar me Kushtetutë por lufta po bëhet për Ramushin apo për Albinin kryeministër. Nëse fillimisht Ramushi ishte jashtëzakonisht i angazhuar për postin e kryeministrit tash mund të thuhet se ka mbetë nën hije të ambicieve të Albinit ku Avdullah Hoti as që hynë në ndonjë kombinim ndonëse LDK e mashtron anëtarësinë se nuk hyjnë ma askend në koalicion nëse nuk e marrin udhëheqjen e qeverisë. Këto janë përralla sepse, i gjallë Albin Kurti, Avdullah Hoti as që mund t’ i marr erë postit të kryeministrit nëse në ndërkohë Ramushi nuk fiton. Në rrethana normale, asnjë forcë politike që është në skenën politike në Kosovë nuk e meriton udhëheqjen e shtetit e më së paku orangutangët e prapaskenës por se Kosova duhet të udhëhiqet nga një forcë krejtësisht e re politike. Po ku ta gjejmë atë forcë politike dhe ata politikanë të rinjë?! Mbase t’i sjellim nga Kina!

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)