22 Dhjetor 2024

Pseudopolitika që kërkon sakrifikim

Shkruar nga Arbër Zaimi

Politika për shqiptarët është shndërruar në një farë sporti të rëndë. Jo dhe aq për  ballafaqimet mes vullneteve, ideve apo intelekteve të aktorëve, se sa për shkak të shifrave marramendëse të parave që shpenzohen (e fitohen) në të.

Kështu në vendet më të varfra të Ballkanit, që janë Shqipëria e Kosova, ndodh që shpenzohen me miliona euro për të printuar postera e billboards-e, broshura e ftesa, për të reklamuar “eventet” e mundësuara nga kryeministrat apo kryebashkiakët e radhës.

Kontratohen firma të shtrenjta këshillimi e marketingu, e pastaj nisin festat me fishekzjarre për suksese simbolike, drekat e darkat e shtruara nëpër rrethe – për mësuesit, për mjekët, për biznesmenët, për gratë – duke shpresuar se me këtë lloj begenisjeje do të arrijnë të blejnë votën e atyre që në nxitim e sipër mund të etiketohen si “grupe interesi”.

Pastaj vijnë përurimet elektorale, mjeshtëria e prerjes së shiritit të kuq, organizimi i koncerteve, ftesat e lobbyist-ëve të huaj, e në fund fare blerja e votës me 20 euro për kokë. Gjithë këtyre kostove u rri si qershi mbi tortë fakti se media duhet të pasqyrojë gjithçka, sa më pozitivisht që të jetë e mundshme, e kjo do të thotë kosto…

Në kohë fushate politikanët nuk hezitojnë t’i bëjnë paratë rrush e kumbulla, ndërkohë që papunësia, varfëria, rrudhja ekonomike arrijnë kulmet, edhe sipas të dhënave zyrtare. Po edhe sikur të mos ishte kjo varfëri e skajshme, gjithçka bëhet qesharake nga vetë cilësia e politikës që arrijnë të prodhojnë këto miliona të shpenzuara.

Përse do të duhej të hynin në këtë qerthull shpenzimesh njerëz që s’kanë aspak lidhje me mendimin politik, njerëz si këta që kanë qeverisur për vite me radhë në Shqipëri e në Kosovë? Përgjigjja është e thjeshtë, për të marrë pushtetin. Ky është qëllimi i fundmë i tyre, që denoncon në të njëjtën kohë kufijtë e botëkuptimit dhe intelektit të këtyre aktorëve politikë.

Kështu Thaçët e Berishët, Mustafët edhe Ramët, e të tjerë me radhë nuk paraqesin dot një plan, nuk e dëftejnë dot të strukturuar vullnetin e tyre mbi atë se çfarë do të bëjnë pasi të marrin pushtetin. Ata premtojnë thjesht se do të menaxhojnë ditën (kush më mirë e kush më keq), sepse as që mund ta imagjinojnë se Politikja do të implikonte qëllime më të mirëqena se pushteti, qëllime për të cilat pushteti nuk është veçse mjet.

Shterpësia e mendjeve të aktorëve të deritanishëm politikë natyrisht që nuk është më në gjendje të mobilizojë njerëz, pasi është e paaftë të stimulojë imagjinatën për të ardhmen. Por mobilizimi është i domosdoshëm për të marrë pushtetin, e për këtë arsye politikanët vendosin të përdorin paratë e hilera të ndryshme nën etiketën “marketing” apo “fushatë”, duke hyrë kështu në garën e “blerjes së dashamirësisë” së opinionit.

Këta aktorë të dështuar që kanë uzurpuar skenën sajë rryshfetimit të publikut, nuk hezitojnë ta shfrytëzojnë atë skenë për të nxjerrë edhe më shumë para nga ç’shpenzojnë, nuk hezitojnë të shpallen haptazi si pasanikë, edhe pse në thelb s’mbeten veçse parvenues që në mënyrë brutale ekspozojnë pallatet e tyre luksoze, makinat e tyre të blinduara, dhe veshjet e shtrenjta në një apoteozë të kitsch-it.

Këta pseudopolitikanë që nuk mbërrijnë të ofrojnë gjë, madje nuk mbërrijnë as të shqiptojnë saktë ndonjë fjalë që bie era politikë kanë qenë risku i shqiptarëve tash e shumë vjet.

Veç shumë të këqijave që janë listuar e që mund të listohen për këta politikanë, do të doja të shtoja një. Pikërisht pse e kanë blerë skenën politike, pikërisht pse e kanë shndërruar atë në treg, ata i pengojnë qasjen çdo aktori të ri që do të mund të premtonte shpresë e ndryshim. Natyrisht, ata janë të hapur për “të rinj” që janë gati të hyjnë në vallen e blerjes së skenës, për “të rinjtë” që ëndërrojnë luksin dhe simbolikën e pushtetit.

Por nuk janë aspak gati për të renë politike, që në rastin tonë do të qe një organizim politik që e mobilizon qytetarin përmes frymës, përmes ideve e pozicionimit, e jo përmes parave. Kjo e re do të sillte në fakt fundin e pseudopolitikanëve, prandaj ata tremben prej saj, prandaj hyjnë në panik.

I tillë është rasti më i fundit në Kosovë, rasti i Vetëvendosjes. Kërcënimi për moslejimin e përfshirjes në zgjedhje të udhëheqësit të kësaj lëvizje, Albin Kurtit – kërcënim që bazohet mbi një skenar të pështirë që vë në diskutim qoftë dhe formalitetet demokratike (se thelbin as që po e diskutojmë këtu) – nuk është veçse rrekja e fundit për të ndaluar politikën e ideve në emër të politikës së parasë.

Nga ana tjetër, një sërë opinionistësh të respektuar në Kosovë e në Shqipëri në vend që të merren me analizimin e barrierave që i vendosen këtyre ideve të reja, në vend që të merren me kostot e mëdha të politikës që shtypin çdo përpjekje për të ngjallur të ardhmen, qortojnë Vetëvendosjen (në këtë rast) se përse përpiqet t’i kalojë këto barriera.

Ky fenomen mori jetë tek shkrimi i Armand Shkullakut në 18 nëntor në Express, ku gazetari i njohur ankohej se Albin Kurti na qenkësh bërë populist, pasi kish shitur shtëpinë për të financuar lëvizjen tek e cila bën pjesë dhe idetë e së cilës përfaqëson.

Shkullaku, në vend se të analizojë se çfarë e detyron Kurtin të bëjë sakrifica të tilla për të shtyrë përpara e për të strukturuar një ide që (siç konstaton vetë Shkullaku) është e mbështetur në popull, në vend që të kritikojë shtrenjtësinë e politikës në një vend kaq të varfër, kritikon përfaqësuesin e të vetmes pjesëmarrëse në zgjedhje që ka paraqitur një program e një qëndrim konsistent politik, se pse këmbëngulka në mbarëvajtjen e kësaj ideje.

Nuk është problemi se pse një aktivist me bindje të forta politike sakrifikon për hir të këtyre bindjeve, problemi është se përse establishmenti aktual politik (që bindje s’ka hiç), e ka bërë të detyrueshme sakrificën, duke e shndërruar politikën në një mollë të ndaluar për ata që s’kanë mundësi të shpenzojnë milionat e keqqeverisjes.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)