25 Dhjetor 2024

Pse vendosa të kthehem

Shkruar nga Agim Bahtiri

Në vitet e 90-ta kur dhuna dhe terrori serb po shtrihej dhe thellohej në çdo familje të Kosovës, as unë dhe familja ime e cila jetonte ndershëm në fshatin Gushavcë, nuk mund ti shpëtonim këtij tmerri. Në familjen time u ushtrua presion dhe terror vetëm pse donim pak liri si gjithë populli im.

Si çdo i ri që nuk pajtohet me gjendjen e krijuar, me lot në sy dhe me kokën kah atdheu morra rrugët e botës. U vendosa në Hagë të Holandës. Jeta atje nuk ishte e lehtë, mirëpo me mund, me përpjekje, me djersë krijova kompaninë time. Me fëmijët dhe familjen time krijova dhe zhvillova biznese që tashmë kanë bërë rrugën e suksesit në gjithë globin.

Kompania ime Green Mushroom Farm dhe Mitrofresh, dhe unë si udhëheqës i kësaj kompanie kam marr çmimin e parë në Evropë dhe të dytin në botë për importin e kërpudhave nga Azia.

Unë krijova një familje të madhe duke ruajtur me fanatizëm traditën shqiptare, krijova një kapital të fuqishëm, krijova partneritet me kompanitë më të fuqishme të Evropës dhe të botës. Por asnjëherë dhe për asnjë çast nuk e gjeta qetësinë dhe dashurinë që e kisha në vendlindje, asnjëherë dhe për asnjë çast ëndrrat e mia nuk ndryshuan, gjithmonë gjumoja me ëndrrën e qytetit tim – Mitrovicës, me ëndrrën e atdheut tim – Kosovës.

Gjithë ky kapital i krijuar atje, gjithë kjo fuqi ekonomike e krijuar bashkë me partnerët e mi, shkrihet, shuhet përballë dashurisë dhe dhimbjes që ndjejë për atdheun dhe popullin tim.

Dhe mu kjo dashuri që pastaj shkon e thellon dhimbjen vunë në lëvizje gjithë qenien time, çdo qelizë e imja shtynë trupin, mendjen dhe zemrën time në drejtim të vendlindjes.

Unë u rrita buzë lumit duke ëndërruar për Mitrovicën, si mund të bëhej ajo, si mund të rritej ajo, si mund të prosperonte ajo. Por sot pas shumë vitesh në liri, ajo nuk po bëhet, ajo nuk është Mitrovica e ëndrrave të mia, përkundrazi ajo është Mitrovica e ëndërrave të dështuara, ajo është Mitrovica e një zhgënjimi të madh për mua dhe për qytetarët e mi.

Qytetarët e mi sot vuajnë dhe kërkojnë një kafshatë bukë, qytetarët e mi sot vuajnë dhe kërkojnë një vend pune, qytetarët e mi sot i gëzohen ujit, i gëzohen ardhjes së rrymës.

Kjo është e tmerrshme të ndodhë në qendër të Evropës një diskriminim kaq i madh, kjo është e patolerueshme. Bizneset detyrohen të mbyllin aktivitetet për shkak të rritjes së kostos dhe pasigurisë, rritjes së burokracisë lokale, janë mbyllur ndërmarrje, Kombinati Trepça ka mbetur në mëshirën e fatit.

Unë nuk erdha të bëjë politikë, as nuk erdha të bëjë famë, unë erdha si djali që I kthehet familjes në ditë të vështira, si biri që I kthehet shtëpisë për ta ribërë, për t’ia kthyer shpresën, besimin dhe krenarinë qytetit dhe qytetarëve të mi, Trepçës dhe minatorëve

Projekti im për Mitrovicën buron nga shpirti dhe është projekt për qytetarët të cilët I dua dhe respektoj shumë. Për mua rruga, uji, rryma është standard dhe nuk diskutohen këto probleme. Kudo në botën e qytetëruar këto trajtohen si probleme banale, edhe për mua këto janë probleme që as që dua ti diskutoj, sepse ato janë obligim dhe duhet të kryhen.

Por çka të bëjmë për varfërinë e skajshme, për njerëzit pa bukë, për njerëzit pa punë, për pensionistët pa barna, për studentët pa perspektivë, për rininë pa shpresë, për fëmijët pa çerdhe. Në Mitrovicë ekziston vetëm një çerdhe dhe ajo me kushte të tmerrshme. Merreni me mend numrin e banorëve të Mitrovicës dhe vetëm një çerdhe. Gjendja është e tmerrshme dhe secila shtresë e shoqërisë është e atakuar dhe nuk ka alternativë, nuk ka zgjidhje.

Vizioni im për Mitrovicën është i qartë:

Krijimi i vendeve të punës; e kam mundësinë dhe fuqinë që me partnerët e mi ta realizoj këtë; Ligji për Trepçën; është obligim dhe duhet të kryhet, kjo është pasuri e Mitrovicës dhe askush nuk mund të luaj me fatin e saj; Shala e Bajgorës: Brendi për qumështoren më të madhe në Ballkan ku parashihen dhe do të punësohen 1500 punëtorë; Zona e lirë ekonomike; Partneriteti publiko-privat; Administratë moderne dhe profesionale;

Këto janë vetëm disa pika apo shtylla të cilat do të fillojnë ta ndryshojnë Mitrovicën. Askush nga kundërkandidatët e mi, të cilët i ftoj të më bashkohen dhe ti përvishemi punës së bashku, nuk e kanë fuqinë ekonomike që t’ia kthejnë namin e dikurshëm Mitrovicës dhe ta zhvillojnë Mitrovicën. Këtë mundës dhe fuqi e kam unë dhe unë pas 3 nëntorit do ta bëjë këtë.

Nëse Brenda 3 viteve nuk i realizoj premtimet unë publikisht do të jap dorëheqje dhe do të kërkoj falje para qytetarëve të mi, për të cilët sot jam këtu dhe do të punojmë sëbashku për një Mitrovicë me perspektivë dhe me ardhmëri të sigurt.


(Autori është kandidat për Kryetar të Mitrovicës nga Aleanca Kosova e Re)

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)