Pse u injorua Burhan Kavaja
Shkruar nga Hysni Syla
Në eventin e mbajtur në Stan Tërg për shënimin e 27-vjetorit të grevës së famshme të minatorëve të Trepçës, dukej se çdo gjë është në rregull.
Madje, aty pati edhe një atmosferë goxha të ngrohtë, pasi si asnjëherë më parë, në shënimin e këtij përvjetori shumë të rëndësishëm për historinë e minatorëve dhe të Kosovës, ishin të pranishëm edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa, ministra, deputetë, drejtues të Trepçës në të kaluarën dhe tash, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së e shumë të tjerë.
Para qindra minatorëve që kishin mbushur sallën në mensën e xehetarëve, ku dikur ata bënin greva në shenj mospajtimi me regjimin e dikurshëm të Millosheviqit, u folën fjalë të shumta e të mëdha, si për të kaluarën, ashtu edhe për të tashmen dhe të ardhmen.
Por, fatkeqësisht, në këtë atmosferë pati edhe diçka që nuk shkoi si duhet dhe që i bëri shumë ish minatorë të dalin nga salla të dëshpëruar deh duke kritikuar ashpër organizatorin.
Kjo që ndodhi sot në këtë manifestim është skandaloze dhe e papranueshme. Si duket dikush po donë që të shtrembërohet historia, të injorohen kontribut dhënësit më të mëdhenj për organizmin e grevës 27 vjet më parë.\"
\"Si është e mundur që kryeprotagonisti kryesor i atyre ngjarjeve, organizatori i vetëm i grevës, drejtori më i mirë dhe më atdhetar në tërë historinë e Trepçës, Burhan Kavaja të injorohet kaq keq?\"
\"Askush nuk e përshëndeti, askush nuk ia përmendi emrin në asnjë rast, askush nuk e përmendi as shkarazi kontributin e tij. Është turp dhe organizatorët duhet të turpërohen, tha një ish minator grevist me lot në sy, duke dalë nga salla, pas përfundimit të manifestimit.
Dhe vërtetë, minatori kishte plotësisht të drejtë. Në një ngjarje ku flitej për një vepër të madhe të minatorëve, që tronditi themelet e ish Jugosllavisë dhe paralajmëroi lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, të mos përmendet emri i kryeprotagonistit, emri i atij që e organizoi dhe për tetë ditë me radhë e dirgjoi në mënyrën më të mirë të mundshme grevën, pra emri i Burhan Kavajës, është skandal i dorës së parë. Është injorim i historisë, është fyerje për Kavajën dhe minatorët e atëhershëm, turp dhe e papranueshme.
Të mos e përmendësh emrin e Burhan Kavajës në shënimin e përvjetorit të grevës së famshme të minatorëve që ai vet e kishte organizua, është njësoj sikur të mos e përmendësh emrin e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, kur të flitet për themelimin e shtetit të Kosovës, është njësoj sikur të mos e përmendësh emrin e komandantit legjendar Adem Jashari, kur flitet për themelimin dhe luftën e UÇK-së.
Dhe lëre që nuk u përmend fare emri i Burhan Kavajës në këtë përvjetor të shënimit të grevës së famshme të minatorëve, por atij nuk i ishte rezervuar vendi në rendin e parë, ani pse aty ishin ulur njerëz të tillë, që fare nuk e meritojnë dhe pa asnjë meritë, as për grevën, as për Trepçën dhe as për vendin.
Burhan Kavaja e kishte vendin fare pranë presidentes Atifete Jahjagës, kryeministrit Isa Mustafa dhe kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, e jo në rendin e dytë, ku vet e kishte zënë një vend, pasi që kishte ardhur nga Prishtina.
Ekspertin dhe patriotin e madh Burahna Kavaja e njoh qysh para grevës së famshme të minatorëve. E njoh në shpirt dhe e di shumë mirë se çka ai ka bërë për minatorët, për Mitrovicën dhe për vendin, në kohëra shumë të vështira, kur dikush as që guxonte të mendonte për punët e mira e të mbara që i bënte ai për të mirën e vendit.
E pyeta Burhanin pas mbarimit të manifestimit, se çka ndodhi, a mos ndoshta ai nuk deshi që ti përmendet fare emri. Por, jo, më tha ai prerazi.
Nuk e di se çka ndodhi dhe kush po tenton të ndryshoj historinë, të nënçmoj kontributin tim për dhe lidhur me grevën. Unë isha përgatitur që edhe në këtë tubim të flas për gjendjen e rëndë të 400 minatorëve, që nga 1.300 sish kanë mbetur ende gjallë dhe të kërkoj një trajtim të veçantë për ta. Por, askush nuk më përmendi, nuk më përshëndeti dhe nuk më ofruan fjalën, edhe pse një gjë të tillë e pritsha, sepse tashmë ishte bërë traditë që unë të flas në çdo përvjetor. Thënë të drejtën nuk u ndjeva mirë, tha ai.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, po theksoj në vijim vetëm këtë detaj, për të parë se kush ishte organizatori i vërtetë i grevës dhe kush i formuloi kërkesat. Në ditën e fillimit të grevës së minatorëve, pra 27 vjet më parë, përfaqësuesit e minatorëve i kishin dorëzuar Burhan Kavajës në horizontin e tetë një letër me kërkesa kryesisht sindikale, duke thënë se do të hyjnë në grevë përderisa ato të realizohen.
Por, minatorëve të tubuar në horizontin e dhjetë, ju kishte mbërri një letër tjetër, me kërkesat tashmë të njohur botërisht politike, kërkesa këto që ishin ndryshuar brenda pak minutash dhe të cilat, natyrisht se ishin përqafuar ngrohtësisht dhe me entuziazëm nga minatorët, sepse ato kishin të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave politike të shqiptarëve në Kosovës, me mbrojtjen e autonomisë dhe me shkarkimin e politikanëve që ishin rreshtuar kundër interesave të shqiptarëve.