25 Dhjetor 2024

Pse shqiptarët nuk revoltohen

Shkruar nga Faik Krasniqi

S’duhet harruar se shqiptarët ambientohen shumë shpejt me kushtet e mizërisë (fatkeqësisht) dhe, jo vetëm që s’u bie ndërmend të protestojnë, por as që mundohen të organizohen për të ndryshuar kushtet aty ku punojnë e jetojnë. Për mendimin tim, konstatimi i asaj të vërtete sot nuk është më i mjaftueshëm, ose më saktë nuk duhet të jetë.

Duhet vazhduar më tutje.

Çfarë duhet bërë?

Çfarë duhet bërë që ato nëna të thonë:

- Përse u dashka ta paguaj unë mungesën e energjisë së shtetit duke u sakrifikuar unë kurban…?

- Përse të rri jashtë orarit?

- Përse kam punuar gjithë jetën e jetës e akoma s’kam aq para sa të blej as ilaçet e mia?

- Përse...?

E ato i thonë të gjitha këto. Bile para pronarit i cili vë buzën në gaz, duke bërë ecejaket e tij po në këmbë, duke shtuar: “Edhe unë në punë jam rropatur si ju. E kini të lehtë t’jua rris pagën, po llogaritë e mia s’më dalin as mua …”!

E ato i thonë ato ankesa me zë. Nuk i thanë në rrugë? I ndanë me një të panjohur aty, ashtu siç i ndanë me sa të njohur e të panjohur çdo ditë.

Prandaj, unë si individ, nuk u mallëngjeva (mallëngjyer- ngashëryer (në fjalor), ndërsa mallëngjej- e prek thellë në zemër dikë duke i ngjallur një ndjenjë dhembshurie, keqardhje a mëshirë).

Mendoj, nëse një fjalë do ta përshkonte sado pak atë që mund të kem ndjerë e ndjej akoma, ka qenë dhe është fjala revoltë.

Në fjalorin tim jepet ky përkufizim:

Revoltë - zemërim ose ndjenjë pakënaqësie që shfaqet ose shprehet me forcë kundër dikujt a diçkaje. P.sh. revolta e shkrimtarit.

Tani e gjitha varet tek fjala “forcë”. Çfarë të nënkuptojmë me atë? Si e shpreha unë vallë atë “forcë”? A zgjodha rrugën e duhur? Apo thjesht u mjaftova me një justifikim: “Ja timen e bëra, për vete”! Me të drejtë pyetja do të ishte: Po çfarë bëre aman?

Përse ta shpreh me fjalë atë “revoltë” që u krijua brenda në shtypshkronjë? A thua se dua të mos humbasë diçka? A thua se dua të liroj vetveten nga gracka e diçkaje? A arritën fjalët ta shprehnin tamam “forcën” e revoltës?

Nëse po, ç’ndryshim të ketë? Vallë ku ta shohim tani atë forcë revolte të ndarë copa-copa në zemrat e disa individëve shqiptarë që jetojnë në katër cepat e botës e që janë mbledhur në një ekran kompjuteri për të bashkëndarë... Çfarë? A u bashkënda forca e revoltës?

Le të supozojmë për një moment sikur fjalët arritën të komunikojnë atë çfarë fshihej pas tyre; atë gjënë tejet të rëndë që e tërheqin akoma zvarrë në drejtime të ndryshme, të ngatërrueshme, anonime, joshëse, dykuptimëshe etj. Çfarë do të bëjmë atëherë ne me atë forcë?

Një përgjigje duket sikur imponon vetveten: Duhet shkuar më tutje! Shoqëria shqiptare nuk është memece. Po ta dëgjosh me vëmendje, aty zien revolta, e përderisa aty brenda zien revolta (e përderisa ne presim revoltën) do të thotë që jemi në rrugë të mbarë.

Por, në perëndim, ka domosdo një potencial “fuqie” që tregohet më i padurueshëm e më kërkues ndaj asaj “shoqërie shqiptare” me të cilin akoma identifikohet disi, diku… Ka gjithashtu mjetet për të mos i lënë fjalët të palosen mbi njëra-tjetrën e të kthehen vetëm në psherëtima…

Bashkimi i këtij potenciali të jashtëm me atë të brendshëm do të bëjë patjetër që forca e revoltës të shprehet në mënyrë më konstruktive, më frytdhënëse...


(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme \'\'Lajm\'\')

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)