27 Dhjetor 2024

Pse nuk protestojmë

Shkruar nga Leutrim Sahiti:

Kosova edhe pas 9 vite si shtet, vazhdon të përballet me probleme të shumta duke u nisur nga niveli i lartë i papunësisë që arrin mbi 40%, mbi 60% e të rinjve të pa punë, shtet i izoluar, i vetmi shtet në Ballkan që nuk gëzon liberalizimin e vizave, varfëri, mungesë e cilësisë në arsim ku si rezultat kemi universitete që prodhojnë analfabetë funksional, niveli i lartë i korrupsionit e nepotizmit, tenderomani, kapje të Institucioneve, nivel i lartë i krimit e sjelljeve devijante, shtet i brishtë- pa ushtri dhe shtrirje të sovranitetit në tërë vendin, krizë ekonomik, politike e sociale, shoqëri e demoralizuar dhe pa shpresë.

Me gjithë këtë gjendje që përballemi çdo ditë prapë nuk protestojmë, ani pse pothuajse çdo të dytin qytetar që pyesim është i zhgënjyer me institucionet e Kosovës.

Pse ndodhë kjo?

Për të dhënë një përgjigje të  qëndrueshme duhet të bëjmë një analizë gjithë përfshirëse duke marrë parasysh shumë faktorë që ndikojnë në mos aktivimin qytetar dhe mos shfaqjen e pakënaqësive të shoqërisë.

Së pari duhet të ndalemi tek niveli i demokracisë në vend, lirive qytetare, hapësirës dhe fuqisë që ka shoqëria në vendimmarrje, se sa janë të hapura institucionet tona për pranimin e iniciativave  qytetare.

Nga raportet e shumta ndërkombëtare Kosova cilësohet si shtet pjesërisht i lirë dhe demokratik sa i përket lirive të qytetarëve e mediave,  prandaj edhe qytetarët kanë humbur shpresat që me protesta mund të ndryshojnë gjendjen në vend.

Për të pasur një qytetari aktive duhet të kemi një sistem arsimor cilësor, që promovon mendimin kritik, një arsimim që lufton nënshtrimin e qytetarëve ndaj pushtetit, duke luftuar çdo formë të sjelljeve sadiste dhe mazohiste.

Politikat arsimore në Kosovë janë hartuar për të pasur nën kontroll qytetarët nga pushteti, duke partiatizuar procesin e seleksionimit të mësimdhënësve, hartimit të kurrikulave shkollore dhe universitare. Vetë rritja e numrit të studentëve në fakultete i kontribuon heshtjes ndaj pushtetit, sepse duke rritur numrin e studenteve qeveria zvogëlon edhe numrin e punëkërkuesve dhe pakënaqësive ndaj pushtetit.

Nga politizimi dhe partiatizimi ekstrem i shoqërisë sot kemi një numër shumë të vogël të qytetarëve që nuk janë pjesë e ndonjë partie, kemi një shoqëri civile mjaft të dobët dhe të ndikuar nga politika, qytetaret i shohin partitë si mjet për tu punësuar dhe kështu mbesin me shpresë që x partia do t’i punësojë.

Aq shumë kjo klasë politike e ka partiatizuar dhe shtrirë ndikimin tek qytetarët, gjykatat e mediet, aq shumë e ka shtrirë rrjetin e  kontrollit  sa që çdo protestë ende pa filluar shkatërrohet dhe këto fatkeqësisht janë elemente të një pushteti totalitar, kështu të gjithë ata që fillojnë të ngritin zërin e tyre ose “rehatohen” nga pushteti ose pësojnë nga hakmarrja që ia bënë pushteti, prandaj dëgjojmë shumë raste kur qytetarët qortojnë njëri tjetrin se përse ka marrë pjesë në protestë me fjalët  “harroj që ki me u punësu”ose “ qysh bre ti po del kundër pushtetit”.

Periudha e gjatë nën sundimin e të tjerëve na ka ndrydhur dhe mbytur ndjenjën e dashurisë ndaj shtetit, ne nuk mendojmë për të mirën e përbashkët, ne kemi interes dhe përkujdesje vetëm për pronën tonë private, kurse për pronën publike edhe pse e shohim duke u shkatërruar nga njerëz të papërgjegjshëm ne nuk reagojmë, ne nuk e mbrojmë ambientin, nuk raportojmë krimin dhe korrupsionin sepse ne nuk e duam shtetit, shumë politikanë tonë shtetin e shohin si armik, të cilin duhet ta shfrytëzojnë për pasurimin e tyre, kurse qytetarët duke mos raportuar i kontribuojnë këtij shfrytëzimi.  

Të gjitha këto na bëjnë shoqëri pa ideale, shoqëri pa identitet  dhe vetëdije shtet-formuese, shoqëri e nënshtruar dhe e predispozuar për dështim.

/Autori është sociolog; Drejtor i Institutit për hulumtime dhe analiza sociologjike- Sociometri/

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)