27 Dhjetor 2024

Pse nuk po ndryshon Serbia

Shkruar nga Ali Mehmeti

I vetmi dallim ndërmjet partisë socialiste të Millosheviqit dhe asaj nacionalsocialiste të Hitlerit ishte që adhuruesit e partisë së Hitlerit besonin se “raca ariane” duhet ta sundoj mbarë botën, kurse adhuruesit e Milosheviqit ishin më “modest” dhe besonin se “raca serbe” duhet t’i sundoj vetëm territoret e ish Jugosllavisë.

Pas përfundimit të luftërave të fundit në ish Jugosllavi në vitin 1999 të shkaktuar nga hegjemonizmi serb, ardhjes së Zoran Gjingjiqit në pushtet në Serbi dhe sidomos pas shkuarjes së Millosheviqit para Gjykatës ndërkombëtare për krime lufte në Hagë në vitin 2001, filloi të shpresohet se në Serbi po frynë erë ndryshimi.

Ndoshta edhe do të ndodhte ndonjë ndryshim i vogël, sikur të mos ndodhte vrasja e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq në vitin 2003.

Edhe sikur të ndodhnin këto ndryshime, ato do kishin për qëllim ndryshimin e strategjisë dhe taktikës dhe jo ndryshimin e qëllimit përfundimtar, që është mospranimi i shtetit të Kosovës dhe pritja e ndonjë kohe më të përshtatshme për rikthimin e saj në gjirin e Serbisë, nëse jo të tërën, atëherë një pjese të konsiderueshme.

Por as ky ndryshim nuk ndodhi dhe në pushtet u rikthyen dy parti që shkaktuan të gjitha luftërat në ish Jugosllavinë. Partia e Millosheviqit që quhej socialiste, por në fakt ishte nacionalsocialiste (sikur ajo e Hitlerit).

I vetmi dallim ishte që adhuruesit e partisë së Hitlerit besonin se “raca ariane” duhet ta sundoj mbarë botën, kurse adhuruesit e Milosheviqit ishin më “modest” dhe besonin se “raca serbe” duhet t’i sundoj vetëm territoret e ish Jugosllavisë.

Dhe partia radikale e Sheshelit që më shumë do i shkonte për shtati emri partia fashiste (sikur ajo e Musolinit). Madje, jo vetëm partitë e njëjta por edhe njerëzit e njëjtë u kthyen në pushtet, Daçiq, Vuçiq, Nikoliq, Dikoviq, Drecun e tjerë.

Dhe mund të duket çudi e madhe se si serbet nuk u mbushën mend. Pavarësisht që humbjet që i shkaktuan popujve tjerë, para së gjithash boshnjakëve, shqiptarëve dhe kroatëve, por edhe krejt regjionit, janë të pakrahasueshëm më të mëdha se sa ato që i pësuan vet, megjithatë as humbjet e tyre nuk janë të vogla, edhe pse vetëm Serbia ende nuk ka publikuar numrin e viktimave të tyre.

Ky mospublikim bëhet qëllimisht për të mundësuar manipulimin e këtyre numrave në mënyra dhe për nevoja të ndryshme, si për shembull që ushtarët e vrarë të paraqiten sikur civilë, që viktimat e zhdukura në Kroaci të paraqiten sikur viktima të zhdukura në Kosovë për nevojën e balancimit të krimeve apo edhe për kombinime dhe për motive tjera.

Ky mospublikim mund të jetë një temë interesante për hulumtim. Dhe çudia e dytë është se si regjimi i Millosheviqit nuk pati asnjë rezistencë brenda Serbisë, me përjashtime të rralla, numri i të cilëve nuk kalon gishtat e një dore.

Këto përjashtime janë: Dragisha Pavlloviq (sekretar i partisë për qytetin e Beogradit) që e shkarkuan pas pak muajsh në vitin 1986, Bogdan Bogdanoviq (arkitekt, profesor, intelektual i njohur dhe kryebashkiak i Beogradit) i cili u detyrua të emigroj në Austri në vitin 1993 edhe pse në moshë të shtyre, Sllavko Quruvija (gazetar) i cili u ekzekutua nga shërbimi i fshehtë serb në vitin 1999 dhe Natasha Kandiq (themeluese dhe drejtoresh e Fondit për Drejtën Humanitare në Beograd) që për çudi mbijetoi të gjitha furtunat dhe sot e kësaj dite është halë në sy të regjimit të Beogradit.

Kjo e fundit më shumë ka bërë për hulumtimin e krimeve të luftës mbi shqiptarët në Kosovë sesa vet shqiptarët.    

Për të kuptuar pse ky ndryshim nuk po ndodh dhe i cili, sipas meje, as që ka për të ndodhur në 40-50 vitet e ardhshme, madje as atëherë nëse nuk plotësohen disa kushte, duhet të themi disa fjalë për programet shkollore nëpër shkolla fillore dhe të mesme serbe.

Si nxënës i këtyre shkollave, edhe sot pas 40-50 viteve mbaj mend përmendësh shumë vargje nga opusi i këngëve epike popullore serbe.

Ky opus është i ndarë në tre cikle ku njëri nga ato quhet cikli i Kosovës. Këngët/vjershat e këtij opusi kanë tre motive: trimërinë, tradhtinë dhe mallkimin.

Meqenëse këto këngë janë krijuar pas robërimit nga Perandoria Osmane është e natyrshme se ato kanë pasur për qëllim ta mbajnë moralin e popullit të dëshpëruar pas disfatës, duke hiperbolizuar trimërinë e luftëtarëve serb dhe duke i shndërruar në legjenda, por njëkohësisht duke kërkuar fajin për disfatë tek tradhtia, kurse asnjë fjalë të vetme për faktin se në betejën e Kosovës merrnin pjesë edhe popujt tjerë të Ballkanit, që vërtetohet nga faktet historike.

Fajësia për tradhti i adresohet princit serb Vuk Brankoviq, emër ky i shndërruar në sinonim për tradhti në literaturën serbe.

Nuk mund të mos e them, edhe pse nuk ka të bëj me këtë shkrim, se “shqiptarët e Ben Blushit” tek romani i tij “Të jetosh në ishull” prisnin ndihëm pikërisht nga ky princ serb(!). Shpresoj të ketë qenë në pyetje injoranca e Blushit. 

Dhe si vazhdim, meqenëse tradhtia ishte shkaku i humbjes dhe i vuajtjeve, atëherë duhej lëshuar mallkimin mbi tradhtarët. Sipas letrarëve serb, shumica dërmuese e këtyre këngëve është krijuar nga kisha serbe, madje disa nga to edhe disa shekuj pas betejës së Kosovës. Pra, është shumë e logjikshme që mallkimi të përdoret sikur mjet, sepse është kategori kishtare dhe përgjithësisht fetare, mjet i cili ka fuqi shumë të madhe ndikuese tek popullata e mesjetës.  

Për çfarë mallkimesh të rënda bëhet fjalë, do mundohem ta ilustroj me një përkthim të thjesht, jo poetik, që si i tillë tingëllon i shëmtuar por në origjinal është i bukur dhe emocionues:

Kush është serb dhe ka gjak serbi

Por nuk vjen në luftën e Kosovës

Fara ju faroftë

Asgjë mos i shkoftë mbarë pas dore

Mos pastë as vajzë as djalë

Në fushë grurë të bardhë, as në breg hardhi

Duke lëshuar mallkimin mbi të gjithë ata që nuk erdhën në betejën e Kosovës, në fakt apelohet që tradhtia (e supozuar) të mos përsëritet.

Duke u përsëritur, mallkimi ka ruajtur fuqinë e vet nëpër shekuj gjer në ditët tona, sidomos në shtresat e popullatës me besëtytni të shprehur, respektivisht me ndjenja fetare të shprehur. Dhe duke pas parasysh se serbet ende kanë lidhje të forta me kishën e tyre edhe mallkimi ka rol të rëndësishëm, mos të them vendimtar. 

Pra, kjo është teknologjia me të cilën kisha serbe popullit të vet nëpër shekuj ia ka futur në kokë se “Kosova është vuajtja, zemra, shpirti, djepi, Jerusalemi ... i Serbisë”, kurse në kohërat moderne këtë rol, paralel me kishën, e ka luajtur edhe shkolla, rol ky, që e luan edhe sot.

Dita e betejës së Kosovës, 28 qershori, është edhe festë serbe e quajtur Vidovdan. Për ta ruajtur simbolikën, jo rastësisht, pikërisht me 28 qershor 2001 Sllobodan Millosheviqi iu dorëzua Tribunalit të Hagës. Pra, sikur tradhtar mbi të cilin ra mallkimi, sepse edhe njëherë serbet humbën Kosovën.

Me fjalë tjera, Serbia e dorëzoi Millosheviqin në Hagë, jo pse shkaktoi qindra mijëra të vdekur, të dhunuar, të gjymtuar, të mbetur pa kulm mbi kokë apo pa nënë e baba anembanë ish Jugosllavisë, por, pse humbi Kosovën. Pavarësisht se ai nuk ishte asgjë tjetër përveçse ekzekutor i planeve dhe projekteve të hartuara nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë nga “Memorandumi i AShAS”, dokument ky i njohur për publikun nga viti 1985/86.

Defekti i këtij memorandumi dhe arsyeja pse dështoi, ishte sepse ai nuk parashikoi rrënimin e murit të Berlinit, ose më saktë rrënimin e Bashkimin Sovjetik. Imagjinoni sikur viteve 1989-99 të ishte në krye të Rusisë Vladimir Putin, apo ndonjë Putin tjetër?!

Pra, nuk ishte Millosheviqi fajtor për humbjen e Kosovës por hartuesit e projektit, të cilët nuk mund të shpalleshin fajtor sepse ishin të nevojshëm për hartimin e projektit të ri, tani më të adaptuar kushteve të reja.     

28 qershori edhe më parë është përdorur për simbolikë. Këtë herë për të simbolizuar trimërinë dhe patriotizmin. Në këtë ditë të vitit 1914 Gavrilo Princip vrau dukën Austro Hungarez Franc Ferdinandin në Sarajevë që u bë shkaktar i luftës së parë botërore gjatë së cilës humbën jetën afër 20 milion njerëz.         

Për fund fare. Serbia ndoshta edhe mund ta heq nga kushtetuta e vet nenin që përcakton Kosovën sikur pjesë të Serbisë, kurse ne bashkë me diplomatët e botës të kënaqemi dhe besojmë se serbet kanë ndryshuar, por serbet nuk mund të ndryshojnë pa i hequr paraprakisht nga plan programet shkollore dhe pastaj nga kokat e tyre, pjesët që flasin për Kosovën sikur për vuajtje, zemër, shpirt, djep, Jerusalem ... të Serbisë.

Deri atëherë, do të presin me durim ndonjë moment më të volitshëm, që ta rikthejnë Kosovën. Për ta rikthyer nga Turqia pritën pesë shekuj.

Kurse neve na mbetet të shpresojmë që në ndërkohë, ose do e bëjmë vet punën që na takon, ose që perandoria euro-atlantike të zgjasë përgjithmonë! Historia në mëson që asnjë perandori nuk ka zgjatur përgjithmonë.  

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)