Pse nuk duhet të heshtim
Shkruar nga Metush Zenuni
Dua të them shumë gjëra, por nuk po mund ti them dot. Gjatë luftës, nuk munda të shkruaj asnjë poezi, sepse kur gjëmon topi thonë, fjalët janë të tepërta.
Njëzetë vjet pas luftës, çuditërisht më kanë humbur fjalët, nuk po mund të them asgjë. Tani topat e çlirimtarëve nuk po gjëmojnë, por po rrahin e po zhurmojnë dairet e qyqarëve dhe mjerimi i qyqarëve.
Njëzetë vjet ne i hapëm rrugë lirisë dhe rrjedhës së lumit të popullit, për të ngritur kalanë e Rozafatit, të cilën mijëra herë e mijëra vjet na e shembnin të tjerët.
Heshtëm, sepse folëm kur duhej, me gjuhën e topave, të besës, të trimërisė dhe të guximit djalosharë. Heshtëm, sepse liria për neve do të thonte lumenjë gjaku të shokëve tanë, miliona vite burgje, sakrifica, dhunime, internime, luftë, ringritje e kryengritje!
E tani pse nuk kemi forcë të flasim, vallë ku na iku muza e orës së mirë, e fjalës, e dëfrimit, festave ahengjeve?!
Luftëtari i dritës, nuk është pjesë e turmës, ai hesht kur të gjithë flasin, bërtet kur të gjithë heshtin, qeshet si i çmendur kur të tjerët janë në gjumë, pastaj rikthehet në heshtjen e tij, kur bleron pranvera e valëzon puhiza në gushtin me vapë.
Por, a mund të heshtet kur toka për të cilën luftuam, bëhet plaçkë tregu dhe hidhet në pazarin e leckave pa vlerë. A mund të heshtet, kur luftëtarit i vritet liria, nga ata që e vrisnin edhe luftën.
A mund të heshtet kur batakqinjët, haxhi Qamilët, dallkaukët e kopukët, ata që bënin qejfe kafeneve e bareve të natës, ata qê mallkonin luftën dhe djemt e vajzat më të mira, dhe iknin ka sytë këmbët, sot marrin para nga buxheti i shtetit dhe nderohen si luftëtar, paguhen si veteran lufte dhe u thurret elozhe për meritat e tyre.
A mund të heshtet kur spiuj, dallkauk e kopuk, zhvatin e vjedhin shtetin e Kosovës, pa i dhënë asgjë këtij shteti, kurrë dhe asnjëherë brez pas brezi. Si mund të bëhen milioner një njeri, çoftë edhe ish- luftëtarë, kur një popull vuan për bukë e dritë, në kohën kur luftëtarët e heshtur e të thjeshtë, luftojnë çdo ditë për jetë a vdekje, në kohën kur shumë luftëtarë, bëjnë vetëvrasje duke mos mundur ti përballojmë vuajtjeve, çnderimit e përbuzjes.
A mund të heshtet, kur fëmijët e lindur në liri, nuk jetojnë të lirë, në atdheun e tyre, të larë me gjak nga prindërit e tyre.
A mund të heshtësh, kur mu në zemër të atdheut e mu në zemër të lirisë, vritet në natën e errët, barbarisht, flakadajt e lajmëtarët e lirisë dhe dritës. Si mund të heshtet kur spiujt e UDB-së, paramilitarë serb e rus, ladrojnë lirshëm në tokën tonë, përderisa çlirimtarët ndiqen, denohen, dëbohen e burgosen nga po ai shtet për të cilin luftuan.
Kujt i dhemb më tepër robërimi i atdheut në liri, sesa luftëtarit të dritës. Kush guxon të flasë kur atdheu rrezikohet më shumë e më parë, se ai, e si ata që gjymtyrët i lanë shkrepave e greminave të atdheut të robëruar.
A duhet të heshtim edhe më tutje për hir të unitetit të rejshëm, për hir të një morali, të cilin e vranë ata, pikërisht ata qê e vranë dhe e vodhën lirinë e Kosovës.
Prandaj,
Është momenti i fundit që organizatat e luftës së UÇK-sê, të shëndërruara në degë e nëndegë të PDK-së, të flasin jo me zërin e partisë, jo me zërin e hatrit për atë ose këtë lider, por të flasin me zërin e luftëtarit të vijave të frontit pa dallime politike, fetare e lokaliste, të flasin dhe të ngrisin zërin në kupë të qiellit për të mbrojtur vlerat e luftës, bijt e saj, por edhe frytet e luftës çlirimtare.
Është momenti i fundit që luftëtarët e lirisë të pastrojnë radhët e saja jo në Hagë, por në nëndegë e degë, aty ku njihemi të gjithë dhe dihen me numra të gjithë ata që ishin e nuk ishin në radhët e UÇK-së.
Është momenti i fundit që luftëtarit e lirisë, ata që vërtetë luftuan dhe e shijuan aromën e barotit, tê ulen dhe të marrin vendime, të marrin vendime për të mbrojtur frytet e luftës së tyre, për të marrë vendime që askujt, kushdo qoftë ai, ish luftëtar e komandant, apo edhe funksionarë shteti i çfarëdo pozite qoftë, të mos i lejojë të përdhosë lirinë e shtetit të fituar me gjakun e bijave e bijve më të mirë të saj!
Nëse heshtim, do të na mallkojë e ardhmja!