08 Janar 2025

Pse Kosova nuk u pranua në UNESKO

Shkruar nga Ylber Vokshi -Ylli

Isha pjesëmarrës në një punëtori ku u prezantua “Udhëzuesit për Intervenime Emergjente gjegjësisht,në dhënien e ndihmës së parë në trashëgiminë e ndërtuar kulturore dhe historike në Kosovë”.

U trajtua kjo problematikë e rëndësishme për rehabilitimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike,duke iu përmbajtur normave dhe standardeve të ICCROM-it,një organizate simotër që vepron në kuadër të UNESCO-s.

Më befasoi për të mirë interesimi dhe prezenca e madhe e  studentëve të arkitekturës, etnologjisë e sociologjisë,për të fituar njohuri të reja në këtë fushë.

E kamë vështirë me i harruar fjalët e një zyrtari të lartë shtetëror,i angazhuar për pranimin e Kosovës në UNESCO, i cili me cinizëm pati deklaruar se ne nuk kemi ekspert të restaurimit,renovimit apo revitalizimit të objekteve të trashëgimisë.

Natyrisht se nuk kemi kur politikbërja kosovare fare nuk ka qenë e interesuar për fushën e trashëgimisë së ndërtuar,që të financoi krijimin e këtyre profileve të domosdoshme për një shtet,të interesuar ka pasur dhe ka edhe sot.

Në  mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme në Paris,Kosova nuk u pranua në UNESKO ( Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ),si anëtare e barabartë me 195 shtetet tjera të kësaj organizate,shumë të rëndësishme të OKB-së,pasi i munguan vetëm tri (3) vota për të përmbushur kushtin e 2/3 të votave.

Tani është krijua një momentum i ri në qasjen ndaj problematikave që i trajton kjo organizatë. Është e pa shpjegueshme se si 50 shtete së bashku me Serbinë, me këmbëngulje e kundërshtuan pranimin e Kosovës në këtë organizatë,shumë të rëndësishme për të gjitha shtetet e globit.

Dominoi ana ekstreme e politikës për të dëmtuar avancimin dhe pjesëmarrjen në të gjitha proceset progresive,që me të drejtë synohen nga të gjitha shtetet e botës,edhe shteti i Kosovës nuk bënë përjashtim.

Si një shoqëri e etshme për këmbimin e eksperiencave të reja në fushën e arsimit kulturës dhe trashëgimisë kulturore dhe historike,kërkesa ynë ishte legjitime.

Pati shumë reagime të matura dhe të pa matura nga i tërë spektri politik, organizatat e ndryshme nga shoqëria civile,por ajo që ishte ma e dhimbshme ishin reagimet të gërshetuara me dhimbje dhe emocione të gjeneratave të reja,të cilat ranë pre e propagandës së pa parë ndonjë herë në këto mjedise,për këso çështje shumë të rëndësishme dhe serioze për funksionimin e Republikës së Kosovës.

Na u servua si punë e kryer,pranimi i Kosovës në UNESKO e cila doli si parashikim tërësisht i gabuar. Një naivitet i tillë është i pa tolerueshëm,i pa pranueshëm,të cilin dinë ta bëjnë vetëm njerëzit që luajnë me ndjenjat e njerëzve tonë e posaçërisht rinisë.

Nga e tërë kjo “lobuesit” tonë fajtor kryesor e emëruan Serbinë me aleatët e saj historik,duke madhëruar tërë botën progresive e cila na përkrahu me ato vota,që në fund të procesit dolën se ishin të pa mjaftueshme për pranim në UNESCO.

Se kush janë serbët dhe cilat mjete dhe metoda edhe raciste, i përdorën për të minuar pranimin e Kosovës në UNESKO publikisht dihen. Nuk është dashur të befasonin askënd këto veprime,e ma së paku zyrtarët e lartë shtetëror të cilët ishin të angazhuar në proces.

Janë jo seriozitet dhe të ulëta deklaratat e dhëna pas dështimit tonë,u përmenden epitete të ndryshme për serbët të cilët është dashur ti njohin për sjelljet e tyre në shekullin e fundit ndaj Shqiptarëve.

Kemi edhe deklarata ekstrem të rrezikshme si ajo e një zyrtari të lartë shtetëror, ku fajtor për mos pranimin e Kosovës në UNESCO e etiketon opozitën për sjelljet e saja në kohët e fundit,kjo qasje është denigruese për një shoqëri që pretendon të jetë pjesë e botës demokratike.

Ajo çka është dëshpëruese është se sa nuk jemi vetëkritik me tërë situatën e krijuar në vitet e pas luftës së fundit,posaçërisht në fushën e trashëgimisë kulturore dhe historike. Gabimi elementar në lobim ishte që vetëm Ministria e Punëve të Jashtme e vetme kishte vepruar pa angazhimin e Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës.

Angazhimi në këtë proces shumë të vështirë të aderimit në UNESCO është dashur të jetë gjithëpërfshirës,nuk ka pozitë dhe opozitë në këto raste,duhej angazhim permanent i ekspertëve të shumtë,intelektualëve të pavarur,që të përfaqësojmë sa ma mirë shtetin e Kosovës.

T’i kthehem anës profesionale,trajtimit të veprimtarisë voluminoze që përfshihet në këtë organizatë të rëndësishme të OKB-së,gjegjësisht në promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, dhe fushave tjera që i ka kompetenca UNESCO. Të gjithë ne po e shohim ku kemi mbërritur ta katandisim arsimin, shkencën e pakët si dhe kulturën në vitet e pas luftës.
 
Do të ndalem në trashëgimin kulturore dhe historike të cilën në të gjitha anët,me të gjitha mjetet edhe sot po e shkatërrojmë,me vetëdije me të madhe po e zhdukim të kaluarën tonë,fare pa u brengosur për identitetin tonë urban dhe rural. Ndërtimet me leje e pa leje,uzurpimet e pronës publike, prishja e zbulimeve arkeologjike, zhdukja e tyre, janë vetëm një imtësi në arsenalin e veprimeve kundër ligjore që i kemi bërë këtyre viteve.

Kush na ka faj për këtë të huajt apo vet ne, të mendojmë pak për ketë çka jemi duke i bërë vetes,bota shef pasi ne këto veprime i bëjmë haptas pa u ngurruar fare,pa u fshehur nga organet shtetërore,që në princip nuk reagojnë edhe se e kanë detyrë parësore me e mbrojtur rendin,ligjin dhe kushtetutën.

Ma së pari duhemi me i rregulluar punët në shtëpinë tonë e pastaj me u treguar serioz dhe me kërkuar me u pranuar në UNESCO, dhe shumë institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Kosova ka çka ti ofroi botës në trashëgimi dhe në të gjitha fushat tjera,se çka fsheh nëntoka e saj është e pa imagjinueshme,vetëm duhet përkrahur hulumtime të reja arkeologjike për të cilat shumë pak është bërë.

Një dilemë e imja profesionale,e bazuar në gjithë atë se si punuam këto vite është” Çka do të bënim nëse ne do të pranoheshim në UNESCO ? ” Si perceptim i parë kjo pyetje duket se ngërthen një dozë pesimizmi, por situata reale e imponon atë. Sa ishim ne të përgatitur me u ballafaquar me të gjitha kërkesat që i kërkon UNESCO ? Mënyra se si është vepruar në këto vite me trashëgimin nuk inkurajon.

Anashkalimi i institucioneve përgjegjëse për trashëgimin në fazat e përgatitjeve për pranim ishte dëshpërues dhe u tregua me dështimin e diplomacisë tonë.

Pa dyshim  diplomacia e jonë e ka vendin e vetë,e përkrahur edhe nga faktori progresiv perëndimor në krye me SHBA-në,por atë nuk duhet lejuar që pas dështimit të fundit me UNESCO-n,edhe humbjet ti paraqet si fitore,apo të tentoi që fajin e vet të iu adresoi dikujt tjetër, si po tenton të bënë në rastin konkret.

Atëherë duhet ti ktheheshim realitetit tonë në të cilin kemi bërë shumë gabime strategjike në këto vite, si pranimi i trashëgimisë ortodokse si ekskluzive trashëgimi serbe (pako e Ahtisarit),që aspak nuk përkon me realitetin.

 Janë bërë gabime të shumta strategjike që gjithsesi duhet me i korrigjuar,për këtë kërkohet punë e vazhdueshme profesionale dhe angazhim i ekspertëve të shumtë të cilët janë të gatshëm të kontribuojnë, të cilët në këto vite me qellim apo pa qellim janë anashkaluar, izoluar,persekutuar,anatemuar mu nga kjo klasë politike kosovare.

Nuk është fundi i botës ky dështim,por duhet marrë mësim që në të ardhmen duhet punuar në mënyrë sistematike,me angazhim e të gjithë faktorëve relevant vendor dhe  ndërkombëtarë,në mënyrë që të përgatitemi në mënyrë dinjitoze dhe me ekspertizë profesionale,që me forcën e argumenteve që i kemi me bollëk, të mos dështojmë edhe herën tjetër kur do të piqen kushtet të konkurrojmë në UNESCO pas dy vite,se këtë e meriton populli i Kosovës si rrallë kush tjetër. 

/Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)