Pse Korça, si start i ri për bashkëpunimin me Shqipërinë
Shkruar nga nga Behgjet Pacolli
Është një kënaqësi e madhe dhe surprizë e bukur për mua të gjendem sot në Korçë, në këtë vatër të shqiptarësisë tash e mot. Korça prej nga ku ne po i ofrojmë botës kartolinën e mbledhjes sonë të përbashkët, është njeri nga djepet e qytetërimit dhe të Rilindjes sonë kombëtare. Për më shumë jemi në kuadër të fillimit të vitit të Skënderbeut..
Kam ardhur në Korçë në vitet 80, për të sjellë makineri për një fabrikë trikotazhi. Kam mësuar se ajo fabrikë që dikur ishte një qendër e rëndësishme e jetës ekonomike të qytetit, që punësonte mijëra gra dhe vajza sot nuk ekziston.
Jam përpjekur ta imagjinoj shpesh veten time në këtë qytet. Sigurisht kam dëgjuar shumë për Korçën e Rilindjes, për Korçën e serenatave, për Korçën e traditës urbane dhe qytetare ; për një qytet të harmonisë fetare, për Korçën ku kryebashkiakët Niko Peleshi, Sotiraq Filo kanë bërë shumë punë të mira me përfaqësuesit e partive të të dy krahëve.
Për Korçën që e ka ndihmuar shumë Kosovën veçanërisht gjatë krizës dhe ministri i bujqësisë Niko Peleshi më ka treguar për mikpritjen korçare. Ju them një falemnderit të madh korçarëve për atë mbështetje tuajën asokohe.
Jam nderuar me titullin Qytetar Nderi nga Korça, nga bashkiakët e të dy krahëve, dhe më vjen mirë shumë që një pjesë e Jugut të Atdheut, më nderoi kaq shumë. Siç kam thënë dhe në Lezhë ku më kanë nderuar gjithashtu me këtë titull "Nema profeta in patria sua". Askënd nuk e bëjnë profet në fshatin e vet.
Unë në Korcë si dikur patër Anton Harapi nga Shkodra
Këshilltarët e mi, më vendosën para vëmendjes sime, me rastin e kësaj vizite kujtimet e Patër Anton Harapit, një figure të lartë të Kishës Katolike shqiptare, i cili e ka vizituar Korçën dikur në vitet 30, vizitë nga ku ka mbetur me përshtypje të mrekullueshme. Ai vinte nga Shkodra, një tjetër vatër e kulturës kombëtare, e qytetërimit tonë kombëtar..
Është një shkrim i tij me titull Korçë e Shkodër që e gjen në librin "Shqyptari dhe bota e tij".
"Ndryshme e largësi të mëdha kemi për të gjetë jo vetëm ndermjet këtyre dy krahinave, por dhe në mes të viseve e qyteteve të tjera të Shqypnisë. Larg syve, larg zemrës, jo pse gjindemi larg, por pse i rrijmë larg shoqishoqit."
Harapi del shumë entuziast nga kjo vizitë,-ashtu si dhe unë- veçanërisht për pjesën e vjetër të Korçës, për qytetërimin që gjeti këtu, për qytetarët e Korçës, për korçarët dhe korçaret.
Unë Korçën urbane, jetën qytetare, një çezëm publike në mes të qytetit ku shkruhej në dialektin korçar: këjo ujë nuku pihet - s’mund ta përshkruaj më bukur sesa ai!
Besoj shumë tek fjalët e tij të mrekullueme:
për hapjen mendore të korçarit që ka udhëtuar nëpër botë, që e ka sinorin e jetës së tij më të haptë se i shkodranit ;
që vishet mirë, pavarësisht si jeton në shtëpi,
që ka një qytet homogjen, "me katunde të bukra, të vendueme andej këndej fushe, me ato shpija të grumbullueme si qyteza të vogla, stolia më e bukur e rrethit të Korçës ;"
Korça kishte asokohe shumë shkolla dhe ja kalonte Shkodrës për numrin e tyre.
Dhe diçka që më ka bërë përshtypje për jetën intelektuale të Korçës prej fjalëve të Harapit- ishin fjalët:" Oh, sa më pëlqen rrethi intelektual i Korçës, sa u gëzova, kur më thanë se gati për çdo të djelë, u bajshin konferenca publike gratis para popullit".
. Ja ç’thotë ai për mbyllje në krahasimin e tij për Korçën dhe Shkodrën:
Korçë e Shkodër dy qytete tipike të Shqipnië, njimend larg njera tjetrës, ndër dy skajet e kufive, por dy qytete ma të bukrat, ma të përparumet, qi si njana, si tjetra, kanë randësi të dorës së parë në këtë Zvicrën e Ballkanit." Por sot është koha të flasim për të ardhmen.
Ideja e Mbledhjes në Korçë
Në punën e vet, unë si gjithë njerëzit e politikës, dua të lidh të djeshmen, me të sotmen, të sotmen me të ardhmen, Veriun me Jugun. Lindjen me Perëndimin. Kosovarin me korçarin. Të gjithë shqiptarët bashkë. Të gjithë europianët bashkë.
Jam shumë i lumtur se ideja udhërrëfyese e Arbër Xhaferit të ndjerë që unë e artikulova për herë të parë si President në Parlamentin e Shqipërisë në 2011, me këmbënguljen e kryeministrit Rama, me stilin e tij, dhe tash me energjitë e kryeministrit tim Haradinaj, po mundësohet në Korçë.
Qyteti im i dytë, Korça, Korça e Edit ku ai kalon shumë kohë, na frymëzon të gjithëve. Ndaj kur propozova që Mbledhja të bëhej në këtë vatër të qytetërimit kombëtar, që ka ndihmuar aq shumë kosovarët në vitin 1999, Edi e pranoi idenë time menjëherë.
Nuk ka asgjë kërcënuese për askënd në këtë mbledhje tonën të përbashkët: në Korçën Kombëtare dhe Kozmopolite: shumë shpejt do ta kemi dhe Mbledhjen me Maqedoninë dhe Malin e Zi. Në lojën rajonale, kontinentale dhe globale, ne do bashkëpunojmë me fqinjët, me ata që na duan, me të ngjashmit, me ata që na intereson më shumë.
Korça të nxit për bashkëpunim rajonal
Korça e rilindasve, e bashkëjetesës fetare, ndëretnike, e bujqësisë cilësore, e tregëtoreve ballkanike, etj, të nxit për bashkëpunim kombëtar, por dhe për bashkëpunim rajonal.
Prej fëmijërisë, prej udhëtimeve të shumta në botë, prej ndërtimit, unë kam përfytyrime të mira gjeografike, apo gjeopolitike nëse doni:
unë e shoh Korçën, si epiqendra zhvillimore në bujqësi, në tregëti, në turizëm, në jetën akademike në trekëndëshin Shkup(pra dhe Prishtinë), Tiranë, Selanik.
Unë kam dëgjuar shumë për traditën e shkëlqyer të kursimit në Korçë, për traditën e madhe të punës, kudo në fshat dhe në qytet. Për bujqësinë, për prodhimet e mrekullueshme bujqësore bio, për ringjalljen e traditës së kooperativizmit. Për ndikimin e madh kulturor të hershëm të Korçës qoftë më në Jug, në Greqi, qoftë në Lindje, në Maqedoni.
E di mirë ndikimin e korçarëve në jetën kulturore dhe ekonomike të Selanikut në fillim të shekullit të 20, apo dhe më herët. E di pse kam lexuar nga që atje në Selanik vdiq një burrë i madh i Kosovës, si Hasan prishtina, i cili ka qenë për disa ditë dhe kryeministër i Shqipërisë.
Pyetje për Korçën
A i ka Korça kapitalet e mëdha njerëzore, kulturore, që të luajë rolin lidhës midis këtyre tre qëndrave të mëdha urbane, Shkupit, Selanikut dhe Tiranës, në këtë trekëndësh urban? Shtete anëtare dhe aspirante të BE?
A mundet Korça të ofrojë mundësi shkollimi pa kufizime për shqiptarët e Maqedonisë që janë pjesa e shqiptarisë që më së paku ka patur mundësi të arësimohet në nivelin universitar?
A ka Korça mundësi që të ringjallet kulturalisht dhe jo vetëm të rrezatojë në gjithë Shqipërinë, por dhe jashtë saj në këtë trekëndësh natyral? Rrugët ekzistojnë, por thjesht duhet të rrëzohen kufijtë !
A mundet Universiteti i Korçës dhe universitetet e tjera të rajonit që të thithë projektet, dhe të përgatisë projektet që e shohin këtë trekëndësh si të integruar, si një të tërë nga këndvështrimi ekonomik, kulturor, etj?
A ka mundësi Korça që pas ardhjes sime të mendojë më shumë për Kosovën, të binjakëzohet dhe me një qytet tjetër- veç Mitrovicës?
A ka mundësi që kjo vizitë të shërbejë ta duam më shumë njeri tjetrin, të ndiejmë më shumë për njeri tjetrin si thoshte Harapi dhe intelektualë të tjerë, dje dhe sot?
Me dëshirën për të frymëzuar korçarët të mendojnë më shumë për Kosovën, siç mendojmë ne për Shqipërinë, do citoj disa mendime të një ideologu tjetër të neoshqiptarizmës. Vangjel Koçës. Është me të vërtetë impresionuese të lexosh sesi një intelektual që vinte nga Gjirokastra, shprehte këto mendime në vitet 30 për Kosovën, në veprën e vet "njëmendësia kombëtare".
Janë të paktë ata mendimtarë tanët të cilët ta kenë shtruar seriozisht mbi tryezën e bisedimeve, problemin tonë më jetësor, çështjen e Kosovës...
Kanë shumë të drejtë ata prej nesh që mendojnë se një popull që heq dorë prej së drejtës të njëmendësimit të njësisë kombëtare të tij për të mos sakrifikuar asgjë, është popull pa vlerë etike. Po lavdi zotit, kjo ndërgjegje e detyrës nuk mungon në Shqipëri.
Vetëm po ta kemi Kosovën, ne mund të ngremë një shtet të lirë dhe të vetëmjaftueshëm me kuptimin e zakonshëm të kësaj fjale, pse në njëmendësi, autarki me kuptimin më të ngushtë të fjalës nuk ka. Me Kosovën mund të sigurojmë dalëngadalë njëfarë pavarësie ekonomike, me bazë ndërvarësinë ekonomike, e cila është një ligj që i lidh ndërmjet tyre kombet kontinentale dhe ndërkontinentale."
Nëse në vitet 30, ekzistonte një ndërgjegjësim i tillë në klasën intelektuale shqiptare, pse sot ai nuk duhet të jetë më i fortë? Sot ne bashkë me Shqipërinë, do të bëhemi bashkë në Unionin Europian.
Shqipëria dhe Kosova duhet të krijojnë realitete të përbashkëta. Të hapur dhe për vendet e tjerë.
Është krejt e qartë se krijimi i realiteteve ekonomike të përbashkëta e fizibël midis Kosovës dhe Shqipërisë, të hapur për bashkëpunim me aktorë të tjerë rajonalë, me holdingje publiko private në hekurudha, në autostrada, në shëndetësi, energjitikë thjesht rrisin konkurencën në rajon, e si pasojë rrisin cilësinë, rrisin mirëqenien e qytetarëve. Krijimi i këtyre realiteteve është pjesë e konceptit të Hapësirës rajonale të përbashkët, mbështetur nga Unioni Europian, ku shqiptarët do të përfitojnë më shumë se janë një komb, një gjuhë, një traditë, se kanë rini të mrekullueshme.
Nga këto realitete ekonomike të përbashkëta, në bujqësi posaçërisht, ku Korça ka traditë të shkëlqyer, në energjitikë, në shendetësi, ndoshta konkurentët rajonalë duhet të shqetësohen, po ky s’ është derti ynë. Ne nuk po ndryshojmë kufijtë administrativë. Ne thjesht po i zhvleftsojmë ata nëpërmjet ekonomisë.
Ndaj ne kemi ardhur në Korçë të frymëzohemi. Njëmendësia, por dhe ekonomia, na nxit gjithashtu për të bashkëpunuar në diplomaci, të kemi seli dhe përfaqsim diplomatik e konsullor komplementar dhe alternativ.
Bashkë si pjesë e Unionit Europian ku të dy shtetet aspirojnë të integrohen, do të jemi më të fortë. Bashkë do të na respektojnë më shumë.