Pse jetojmë?
Shkruar nga Faik Krasniqi
Lumturohemi me faktin që jetojmë në këtë jetë, që na pushton fort nën krahët e saj dhe na dhuron emocione të paimagjinuara, ëmbëlsohemi me freskinë dhe aromën e puthjeve që na dhuron dashuria e jetës sonë, meditojmë dhe ëndërrojmë për diçka më shumë, gjithmonë më shumë, sa herë i afrohemi një pragu më të lartë, përsëri nuk ngopemi me dëshirën për të shkuar më tej, kjo është të jetojmë si njerëz, të logjikojmë si njerëz, të edukohemi si njerëz dhe të ëndërrojmë dhe veprojmë si të tillë.
Jetojmë, përse jetojmë?
Qëllimi i gjithsecilit është të lëmë gjurmë në këtë tokë. Të ndihet emri ynë në ketë jetë, të mundohemi që nëpërmjet inteligjencës, zgjuarsisë, kureshtjes, hamendësimeve, ironisë, kënaqësisë, dashurisë, praktikës dhe veprave tona, të luftojmë për një jetë më të mirë.
Jetojmë që brezat që vijnë ta shohin me nostalgji punën dhe veprat e të parëve të tyre, dhe të luftojnë dhe ata që jeta e pasqyruar në shpirtin e stërmunduar të një brezi te mëparshëm, të gjejë përkrahje, mbështetje dhe të mos sugjestionohet nga frika e ekzistencës së një pesimizmi që kërkon të shuajë një planet të tërë.
Pse kemi lindur në këtë botë?
Shpesh gjykojmë se lindja jonë ka qenë e kërkuar nga të tjerë dhe jo nga ne, shpesh hidhërohemi me faktin që ne jemi pjellë e një ngjarje të emetuar nga shkarkime të fuqishme emocionale dhe erotike, që pushtuan një natë vere, dimri, vjeshte apo pranvere mendjet apo zemrat e prindërve tanë.
Shumë herë e shohim jetën të mbështjellë nga ajo guaska e ledhatuar e duarve të prindërve, e sjelljes së influencuar të ambientit përreth, dhe shpesh nxitojmë në arritjen e konkluzioneve të personalizuara nga një logjikë e pastër e pa sterilizuar dhe pasterilizuar më parë nga shoqëria që na ëmbëlson apo hidhëron me fjalët dhe veprimet e saj.
Kemi lindur në këtë botë, për ti shërbyer të mirës së njerëzimit, edhe pse egoja njerëzore, kërkon që në radhë të parë të arrijë të mirat individuale, përsëri kjo gjë e parë në një këndvështrim më të gjerë, dhe më të fokusuar, gjithë përpjekja e tij, gjithë ai vullnet, sakrificë, forcë të vendosura dhe të ofruara në shoqëri, kanë një rol shumë të rëndësishëm, atë të çuarjes së shoqërisë drejt principeve më të larta të jetesës.
Njeriu për njeriun është bishë, por është pikërisht kjo bishë e stërvitur inteligjente, që në saje të zgjuarsisë së saj arrin të emetojë me forcë, zjarr, dashuri, dhembshuri dhe zemërgjerësi, e në të njëjtën kohë bëhet burim i një ndenjeje të një smire të jashtëzakonshme në sytë e personave të tjerë, duke i bërë ata të gjykojnë mbi jetën e tyre, dhe të kërkojnë më shumë, duke nxitur tek ata shpirtin ambicioz, dëshirën për të arritur diçka më të mirë, për të arritur edhe ata majat.
Ambicie e kushtëzuar nga një fakt pozitiv për mbarë njerëzimin, duam të korrim suksese, duam të jemi të parët, duam që askush të mos jetë mbi ne, dhe të jemi ne ata që komandojnë, e pra nëse çdo kush synon majat atëherë edhe e ardhmja do të jetë më e mirë, se në saje të këtyre përpjekjeve të gjithsecilit për të bërë diçka më të mirë për jetën e tij, në mënyrë të pandërgjegjshme ai krijon mundësi të reja, dhe shpresa të reja për brezat e ardhshme.
Jetojmë, luftojmë, krijojmë, ndërtojmë, një të ardhme që të jetë shembull për të gjithë, edhe pse shpesh e lyer me gjakun e kuq të sakrificave njerëzore, kjo e ardhme duhet të jetë e denjë për brezat që do të vijnë.Jetojmë për të ndihmuar atë që ka më shumë nevojë.
Shpesh hidhërohemi duke parë mijëra persona të lënduar, persona të dëshpëruar, persona pa familje, pa strehë, pa të ardhme, pa para, pa praninë e një njeriu të dashur, që ti shtrëngojë fort në gjirin e tij dhe ti japi ngrohtësi.
Jetojmë në një jetë që është shumë kapriçoze dhe që nuk të afron pranë vetes, por të qëndron e ftohtë, e egër, e ashpër, e dhunshme, shpesh e pafajshme në sjelljen e saj, dhe e kushtëzuar nga veprimi i disa personave që deklarojnë se janë ata që do ti vijnë në ndihmë paqes, mirëkuptimit, tolerancës, dashurisë dhe një të ardhmeje më të mirë.
Duam të jemi të lumtur, duam të jemi të parët, duam të arrijmë çdo gjë që ëndërrojmë dhe dëshirojmë, duam të duhemi, duam të na jepet ngrohtësi, duam që të gjejmë mirëkuptim, po vallë ku po i kërkojmë këto?
Nëse nuk alternojmë vizionin e fantazisë së logjikës sonë me dashurinë e emetuar me forcë, zjarr dhe pasion nga zemra jonë, atëherë jeta do të jetë vetëm një vazhdueshmëri e njëtrajtshme e një vije fundi i së cilës është toleranca zero.
Jeta është e bukur, jeta është e dashur, jeta është e mbushur plot gëzim e hare, por që të arrish të futesh në zemrën e saj, në të privilegjuarit e saj, duhet që më parë të shikosh në brendësi të vetes, dhe të kuptosh se çfarë kërkon vërtet të arrish, cili je dhe si mund ta vësh zgjuarsinë tënde në të mirë të çdo kujt që të rrethon, duke i bërë mirë vetes, por në të njëjtën kohë duke i dhuruar dashuri, paqe dhe mirësi dhe personave që të rrethojnë.
Mos e shikoni jetën si një plaçkë që mund ta bleni dhe ta hidhni kur të doni, ajo është e vyer, e shenjtë dhe e dlirë. Portat e saj janë të hapura, por më parë duhet ti gjeni ato, për të arritur atë që të gjithë dëshirojmë, një të ardhme më të mirë dhe më të lumtur, paqe, harmoni, dhe gëzim.
(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme Lajm)