26 Dhjetor 2024

Pse do të vazhdoj

Shkruar nga Daut Haradinaj


Kur nuk funksionon shteti ligjor zënë vend thashethemet. E që në Kosovë tashmë është etabluar sistemi i thashethemeve të cilat vlejnë si të vërteta pas të cilave thashethemxhinjtë fshihen si minjtë kjo gjë dihet. 

Ky fenomen nuk është i ri dhe nuk ngjet vetëm në mesin tonë. Gjithsesi, tek ne nga ky zanat jetojnë e përfitojnë parapolitika, ekonomia, portalet e mediet mercenare si dhe qarqe të caktuara politike e financiare.

Prandaj edhe nuk kalojnë ditë, javë, muaj e vite të tëra që këto dhe këso thashethemesh të mos përsëriten kudo në vend. Nga fshatrat e thella të Dukagjinit e Drenicës, Llapit e Anamoravës e deri në Prishtinë. Dhe anasjelltas.

Jo rrallë njeriu e ka mëse të vështirë ta kuptojë prej nga dhe si vijnë këto llafe të cilat mëpas shëndërrohen në mite të cilat  bëhen edhe më të vërteta sesa vet e vërteta. Dhe kjo e fundit nuk është e vështirë të shihet dhe dihet!

Sepse megjithatë jemi një shoqëri dhe vend kaq i vogël sa çdokush që mendon se mund të ikë nga ajo që e ka folur ose bërë thjesht e ka të pamundur. Qoftë kjo për mirë ashtu edhe për keq.

Thënë shkurt: puna e atyre profesionistëve që u përmendën më sipër është e thjeshtë. Sepse ata e dijnë këtë gjë. Pikërisht për këtë shërbehen me metodat e njohura të mafisë së kuqe (red mafia), të cilën këtu është vendi ta quajmë edhe nacionalsocialiste. Moto e punës së tyre është ajo pra që qe sprovuar edhe në histori: rrena që përsëritet 99 herë, herën e 100-të do të besohet si e vërtetë!

Nuk ia vlen të zgjatem kush dhe kur i ka përdorur këto metoda. Tekefundit ata që  konstruktojnë dhe mëpas edhe lansojnë “lajmet” në fjalë dihen e njihen në Kosovë. Me emra dhe mbiemra. Dhe atë jo vetëm prej dje apo sot por prej pasçlirimit të vendit. Është një traditë që e kanë nga metodat që ua kanë mësuar nga koha e Titos e pastaj edhe Milosheviqit.

Nuk po flasim këtu për simpatizues të njërit apo tjetrit diktator. Jo. Fjala është për bashkëpunëtorë të atyre regjimeve të cilët edhe sot e kësaj dite në vendin në të cilin jetojnë  dhe veprojnë- Kosovë, munden të mbijetojnë vetëm falë “punës” së tyre. E ajo është: të gjenerojë thashetheme, kriza, vjedhje, korrupsion, dëshmi të rrejshme, mashtrime e çka jo tjetër. Këto metoda të “punës” së tyre janë edhe ushqimi, buka e tyre e përditshme!

E kam thënë publikisht dhe po e përsëris: personalisht nuk do të toleroj më asgjë! Nuk do ndalem në asnjë çast që të denoncoj secilin që flet në emrin tim dhe në emrin e familjes sime. Po e them dhe po e përsëris publikisht që është duruar për 15 vite me radhë të bëhen shpifje dhe lansohen thashetheme të cilat herën e 100 janë besuar si të vërteta. Ashtu siç doli e vërteta rreth rastit “Pandora”, ku në ditët në vijim do i bëj publik edhe emrat e banorëve të pallatit në fjalë në mënyrë që të shohim se kush janë fatlumët, ku kanë punuar dhe ku janë të angazhuar!  Njëkohësisht do ndalem veç e veç tek secila përfolje që është bërë për vite e vite në emrin tim! Por për këtë pak më vonë.

Është e drejtë legjitime e edhe atyre që i quaj dhe njoh si përkrahës të mi apo partisë ku jam anëtar poaq  sa është e drejtë legjitime e atyre që i shohin me dyshim këto ndërhyrje publike që po i bëj dhe po i bëjmë kohëve të fundit, pra është e drejtë legjitime e të dy palëve të pyeten pse tashti dhe pse kështu?

Siç e kam theksuar edhe po përsëris: ka ardhur koha që më të mos heshtet. Haga është përmbyllur. Dikujt edhe s’i intereson se nëpër çfarë ballafaqimesh dhe vështirësish është kaluar nëpër atë proces të gjatë gjyqësor i cili natyrisht që u zgjat duke iu falenderuar edhe ndihmës së pikërisht thashethemexhinjve. Paragjykimet publike të cilat kanë ardhur si pasojë e fushatave mirë të përgatitura dhe saktësisht të dirigjuara i kanë patur frytet e tyre dhe ndoshta ka qenë naive të besohet që ato do ndalen. Por ja që këta që ato i kanë lansuar janë ende këtu dhe janë bile edhe në pushtet! Dhe këta nuk janë as fantomë e as të panjohur. Përkundrazi.

Rasti i fundit, sesi një portal mercenar përmes sekserëve medial  dhe shërbimit i cili për vete pohon që është “shuar” e që në të vërtetë është transformuar nga një shërbim nëntoke me duar të përgjakura dhe rrënjë të dyshimta në një, për rrethana të Kosovës,  konglomerat korrupsioni me sektorët për propagandë, shantazhim,  shpifje, fyerje dhe çkado që është nevoja,  tregon për atë që jo vetëm se është koha e fundit të flitet dhe luftohet kjo e keqe e madhe e Kosovës por edhe të nxirren në shesh të gjitha ato që deri më sot janë përfolur apo lansuar në eter si të vërtetat absolute.

Ato që me këtë rast dua t’i potencoj dhe në mënyrë të tërthortë t’i përgjigjem edhe fletrrufesë në fjalë janë të hartuar nga shërbimi në fjalë. Prandaj për sqarim:   AAK-ja nuk është pronë e askujt tjetër pos Kosovës! Ajo është pronë e anëtarëve të Aleancës, votuesve të Kosovës- edhe atyre që e votojnë por edhe atyre që s’e votojnë. Është subjekt dhe vlerë politike e vendit me orientime dhe politika të djathta dhe kombëtare.

AAK-ja  qe formuar si subjekt politik me një dhe të vetmin qëllim: që popullatës së Kosovës t’i dëshmojë se jo të gjithë udhëheqësit e UÇK-së kanë qenë pjesë e të frustruarve të luftës dhe pasluftës. Ata pra të cilët me metodat e tyre të bërjes së politkës kanë bërë çdo gjë që pikërisht atë luftë ta shëndërrojnë në një vlerë amorale dhe vendin ta katandisin në luftë civile!

Ata që sot flasin dhe mundohen që me temat e tyre të bëra edhe bajat le të shikojnë paksa: shtëpia e ndërtuar e Ramush Haradinajt është ndërtim me leje nga komuna, është ndërtuar para themelimit të institucioneve gjë kjo për të cilën ky është dashur për vite e vite të tëra të arsyetohej edhepse e ka potencuar që ka qenë ndihmë e miqve të tij që jetojnë e punojnë në SHBA e Zvicër, dhe ajo sot është një prej shtëpive të zakonshme të Prishtinës.

Le të shohim pra paksa pallatet e ndërtuara të pushtetmbajtësve të Kosovës të ndërtuara gjithandej në Prishtinë e zona tjera. Le të flasim e vështrojmë, e nëse doni edhe fotografojmë paksa pronat e tyre të pafundme nëpër vend! Të gjitha këto të ndërtuara me para të taksapaguesit, qytetarit të varfër e nëpërkëmbur të shtetit tonë! 

Për këtë dhe shumë shkaqe tjera them që denoncimi do të vazhdojë në çdo kusht dhe rrethanë- jo vetëm kur “Pandora” është në pyetje por për të gjitha rastet e deritashme ku jam përmendur dhe përmendem!  Në Kuvendin e Kosovës kam qenë kandidat për deputet me numrin rendor 50 kurse rezultatet nga ato votime të cilat kanë qenë votimet e turpit të Kosovës, nuk më kanë nxjerrë si deputetin me numrin më të madh të votave në AAK.

Për dijeni dhe kundër shpifjes së radhës: kurrë s’kam menaxhuar me para apo buxhet të shtetit dhe kjo s’don të thotë aspak që s’i kam kushtet sa të siguroj rrethana jetësore normale, mesatare për një ambient shqiptar të Kosovës, për familjen time! Ndjehem mirë me kolegë të partisë dhe për këtë mundet secili të pyet e pyetet.

Qoftë nga brenda ashtu edhe nga jashtë. E kam thënë dhe e kemi thënë dhe e përsëris: më nuk do heshtim! Bile bile, do kërkojmë të dalin në shesh të gjitha përfoljet dhe thashethemet. Kush e ka, siç thotë populli, mizën nën kapuç, le të bëhet gadi dhe ballafaqohet me ato që ka lansuar apo pohuar për vite e vite të tëra.

Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e fundit i ka marrë mbi 100.000 vota. Dhe kjo dmth. se kjo parti ka strukturë mirë të organizuar dhe si e tillë do garojë në zgjedhjet e ardhshme. Ata që shqetësohen për sukseset e ardhshme të AAK-së kanë të drejtë. Sepse do dhe duhet të shqetësohen me rritjen dhe fitoren e Aleancës në zgjedhjet e ardhshme.

Si deputet dhe si luftëtar për lirinë e Kosovës, jam angazhuar dhe angazhohem që të mbroj kryekëput interesat e mijëra bashkëluftëtarëve të mi por edhe qytetarëve të vendit: duke filluar nga zona prej nga vij e deri tek Prishtina ku jetoj dhe punoj e ku kam një numër të madh të votuesve dhe simpatizantëve.

Pa lënë anash këtu as tema të rëndësishme, të intersit kombëtar siç janë RTK e QKU për të cilat mendoj që nuk janë në nivelin e duhur ashtu siç nuk është në nivelin e duhur shërbimet e shtetit për qytetarët e vendit të cilët vazhdojnë të jetojnë të izoluar e nëpërkëmbur si asnjë popull tjetër në rajon e Europë.

Këtë gjendje në të cilën vendi ndodhet e kanë kuptuar edhe qytetarët e Kosovës të cilët vazhdojnë të vuajnë pasojat e qeverisjes së keqe dhe tolerimit të krimit të organizuar. Prandaj duhet parë edhe nervozën e baronëve të kuq, bosave të krimit në Kosovë, të cilët në prag të fushatës për zgjedhjet e ardhshme po nevrikosen çdo ditë e më shumë! Pse? Sepse po e dijnë dhe po e ndiejnë që u ka ardhur fundi. Edhe atyre e edhe makinacioneve të tyre të cilat më s’pijnë ujë sepse në këtë vend edhe me një pasuri dhe të drejtë elementare qytetare bëhet politikë e bëhet fushatë: me ujin e pijes!

Atë që e thash pak më lart “për këtë pak më vonë” po e shënoj këtu: le të provojnë në çfarëdo mënyre të lansojnë të pavërteta dhe atyre do t’u dilet ndesh. Që kjo të bëhet do fillohet me të gjitha ato që më parë janë përfolur për vite e vite të tëra.

“Pandora” është vetëm fillimi. E kam thënë dhe e përsëris që nuk ka askush pse të frikësohet as trazohet nga fjalët “haraç”, “tall”, “përqindje”, “reket”, “lojëra fati” e çka jo tjetër. Për të gjitha këto kushdo që ka folur apo flet në emrin tim dhe tjetri është ndier i obliguar t’i përgjigjet atij “kushdo”-je, le të urdhërojë dhe le të më kontaktojë!

Le të frikësohen dhe trazohen të gjithë ata që në emrin tim apo në emrin e partisë për vite e vite të tëra kanë bërë gjëra të tilla. Dhe sidomos ata që kanë lansuar këso thashethemesh. Mos të fshihen më si minjtë por le të dalin dhe le të flasin: kur dhe ku!

Dua me këtë rast edhe njëherëqë t’i ftoj publikisht të gjithë ata pronar biznesesh e ndërmarrjesh, familjare apo aksionarë, të vogla e të mëdha, në çdo cep të Kosovës që të mos ngurrojnë të denoncojnë këdo që në emrin tim u ka kërkuar diçka apo u kërkon diçka.

Dua me këtë rast që t’i ftoj të shkojnë në policinë e shtetit, në EULEX - e nëse këtyre s’u besojnë, të lajmërohen në çdo adresë të partisë, qoftë në degë e nëndegë qoftë në Prishtinë dhe të njoftojnë për rastet në fjalë!

Ka ardhur koha që këto tema të mbyllen njëherë e përgjithmonë!

(Autori është Deputet nga radhët e AAK-së në Kuvendin e Kosovës)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)