18 Maj 2024

Protestat janë gur prove për çdo shoqëri demokratike!

Shkruar nga Faik Krasniqi

Në një shoqëri demokratike qytetarët kanë të drejtë të grumbullohen në mënyrë paqësore dhe të protestojnë kundër politikës së qeverisë apo kundër veprimeve të grupeve të tjera me demonstrata, marshime, peticione, bojkotime, greva dhe forma të tjera të veprimit të drejtpërdrejtë të shtetasve.

Veprimet e drejtpërdrejta janë të mundshme për të gjithë në një shoqëri demokratike, por zakonisht janë përdorur nga grupet e shtypura, të papërkrahura apo grupet e pakicave, të cilët kanë qenë të përjashtuar nga çdo mundësi tjetër për të ndikuar në politikën qeveritare. Protesta të tilla kanë qenë gjithmonë pjesë e shoqërisë demokratike.

Në ditët tona, protestat paqësore, që shpesh synojnë të tërheqin vëmendjen e mjeteve të informacionit, përfshijnë një varg të gjatë problemesh, duke filluar nga ndotja e mjedisit deri te armët bërthamore, çështje të politikës ndërkombëtare dhe diskriminimi racial dhe etnik. Formë e veçantë e veprimeve të drejtpërdrejta është e drejta e sindikatave për të organizuar greva kundër punëdhënësve, me të cilët ato kanë mosmarrëveshje që nuk janë zgjidhur me anë të bisedimeve.

Protestat janë gur prove për çdo shoqëri demokratike. Idealet e shprehjes së lirë dhe të pjesëmarrjes së shtetasve në jetën e shoqërisë mbrohen lehtë kur të gjithë tregohen të sjellshëm dhe pajtohen për çështje kryesore. Por kur protestuesit dhe objektet e protestës së tyre nuk pajtohen për çështjet kryesore, mosmarrëveshje të tilla mund të jenë të zjarrta dhe të acaruara.

Në të tilla raste mbetet vetëm një mundësi, ajo e ruajtjes së ekuilibrit, e mbrojtjes së të drejtës për lirinë e fjalës dhe të grumbullimit, gjithmonë duke mbrojtur rendin publik dhe duke kundërshtuar çdo orvatje për kërcënim ose përdorim dhune. Të shtypësh një protestë paqësore në emër të ruajtjes së rendit, do të thotë t’i hapësh rrugën shtypjes; të lejosh protesta të shfrenuara e të dhunshme, do të thotë t’i hapësh rrugën anarkisë.

Për arritjen e një ekuilibri të tillë nuk mund të jepen formula magjike. Në fund të fundit, një gjë e tillë varet nga përkushtimi i shumicës për të mbrojtur institucionet e demokracisë dhe parimet e të drejtave të individit. Shoqëritë demokratike janë në gjendje të përballojnë edhe mosmarrëveshjet më të hidhura midis shtetasve, me përjashtim të atyre mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me përligjjen e vetë demokracisë.


(Autori është publicist dhe redaktor në gazetën e përditshme \'\'Lajm\'\')

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)