01 Janar 2025

Profecitë e Marko Gjuriqit për Kosovën dhe Shumadinë

Nga Haqif Mulliqi

Marko Gjuriq, një përgjegjës për çështjet e Kosovës në Qeverinë e Serbisë, të thuash, nuk ka ditë kur nuk e bënë një deklaratë të çuditshme, e ndonjëherë edhe skandaloze.

Të këtilla ishin dy deklaratat e fundit të tija që kishin të bënin me një pjesë të lojtarëve të kombëtares shqiptare, që kanë origjinë nga Kosova, duke i cilësuar edhe si shtetas të Serbisë, e sidomos deklarata  për atë se Kosovën, pas 50 vjetësh e sheh diçka si Shumadinë, por më të qetë.

Këto deklarata, mbi të gjitha, mund të konsiderohen naive dhe të pamatur për një politikan i cili do të duhej, për shkak të pozitës që mban të ketë edhe, sadopak, sens diplomati. Në fakt, edhe këto dy deklaruat të tija, sikundër të gjitha) të tjerat në rrjetet sociale, dhe jo vetëm zgjojnë një varg reagimesh, talljesh përbuzjesh, por nuk mungojnë as fyerjet. E, ata që reagojnë rëndom janë shqiptarët që bëjnë “pallën e qejfit” ( vetëm në kuptimin siç i themi ne në Kosovë) në internet dhe kjo nuk na habitë, por, është e habitshme se një tutkuni si ky nuk i reagojnë serbët. Arsyet për këtë mund të jenë dy: e para, ndoshta vetë serbët nuk e marrin seriozisht M. Gjuriqin, apo edhe tjetra se mos vallë serbët tjerë mendojnë si ky, gjë që s’është e besueshme.

Ajo që bie në sy është se deklaratat e këtilla e Marko Gjuriqit shpërndahen në mënyrë të bollshme nëpër mediet (sidomos portalet) në Kosovë.

Ata që i ndjekin mediet elektronike në Serbi thonë se më shumë se  në vetë Serbinë. Ndoshta ne këtu e marrim më seriozisht seç duhet këtë far Markon!?!  Fundja, cili serb, atje, mendon se më shumë se gjysma e futbollistëve  të kombëtares së Shqipërisë na qenka serbë!? Po kush, shtrohet pyetja, e eliminoi nga kualifikimet për evropian Serbinë atëherë?! Që kur qenkemi edhe ne të tjerët shtetas të Serbisë, vallë dhe përse, ata që shkojnë atje duhet t’i tregojnë një polici një dokument identifikues për të kaluar kufirin, të cili, si brenda një rrethane surrealiste Beogradi e quan pikë administrative!? Apo edhe: pse Marko Gjuriq, meqë qenka kështu puna, u detyruaka atëherë që t’u bëjë kërkesë me shkrim (përmes zyrës ndërlidhëse në Kosovë) organeve përgjegjëse të Republikës së Kosovës për t’u futur në territorin e vendit tonë?
U tha se deklaratat e Marko Gjuriqit janë “margaritarë” të budallallëkut, dhe ato, mendojmë se e shpërfaqin mendimin tonë të përgjithshëm se cili është rezoni i përgjithshëm i pushtetarëve në Beograd.

Hajde ta pandehim një rrethanë se si i gjykojnë diplomatët e huaj zyrtarët e Beogradit kur Kosovën e quajnë “krahinë e jugut e Serbisë”, ‘”pjesë e Serbisë nën protektorat të Kombeve të Bashkuara” apo me slogane të ngjashme. Në veçanti kur diplomatët vijnë nga vendet të cilat e kenë njohur tashmë Kosovën dhe, është evidente e po e ndihmojnë Kosovën në proceset e integrimeve, ndonjëherë edhe më shumë se vetë liderët politik dhe shtetëror në Prishtinë.

Për ata që nuk e kanë harruar krejtësisht serbishten (apo serbokroatishten siç kemi dëshirë ta theksojmë më butësisht) do t’ua kujtojmë një thënie të cilën e artikulojnë serbët për veten dhe punët e tyre: “Srpska posla” (punë serbësh) e që mund të përkthehet edhe si budallallëku serb. Kështu na vijnë, jo rrallë edhe deklaratat e Nikoliqit, ato të Daçiqit, e në veçanti të kampionit në “Stend up komedisë” diplomatike serbe: Marko Gjuriq, një djaloshi me fytyrë budallai i cili e ka vetëm një detyrë të vetme për të cilën paguhet: t’i gënjejë serbët përditshmërisht dhe t’ua prolongojë ëndrrën për Kosovën serbe.

Por, për të qenë korrekt me lexuesin, megjithatë duhet të konstatojmë se, poqëse deklarata e parë e M. Gjuriqit për futbollistët e kombëtares shqiptare ishte vërtetë tepër groteske, megjithatë, deklarata e dytë se pas pesëdhjetë vjetësh “Kosovën e sheh si Shumadinë...” duhet marrë më seriozisht dhe më të qenë. Pse?

Në hapësirat e ish Jugosllavisë ka ndodhur dezintegrimi i plotë, por i papërfunduar. Nga krijesa artificiale në të cilën shqiptarët u trajtuan si qytetarë të rendit të dytë dolën shtatë shtete, me popuj të kënaqur dhe të pakënaqur, gjë që krijon balance të natyrshme në rastet e këtilla.

Mbase, më së shumti fituan shqiptarët, jo vetëm se e krijuan shtetin  e tyre në Ballkan, por edhe nga fakti se i shpëtuan asgjësimit të plotë nga Serbia dhe serbët. Gjithashtu, proceset në Maqedoni, pavarësisht nga politikat ditore, ecin në favor të shqiptarëve, zgjidhjet që shihen në horizont për fqinjin tonë jugor, janë shumë të favorshme për shqiptarët e atjeshëm, pavarësisht ngjarjeve ditore në Shkup. Edhe ish  ministrja e jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, diku në vitin 2006 apo 2007 i kishte rekomanduar shtetit helen që t’i braktisë politikat joracionale ndaj shqiptarëve ngase, në një të ardhme të afërme në Ballkan mund të jenë tre shtete shqiptare, duke llogaritur Shqipërinë e 1913, Kosovën dhe pjesën e pushtetit që do ta kenë, e mbase dominojnë shqiptarët në IRJ të Maqedonisë.

Gjithashtu as dezintegrimi i Serbisë nuk ka ndodhur krejtësisht, ashtu siç mund të pritet. Pakënaqësitë në Sanxhak janë të mëdha dhe, fqinji ynë agresiv, verior, do të ketë sfida vështirë të realizueshme  me sanxhaklinjtë pro-boshnjak (apo pro ilir e shqiptar). Dihet se, Nenad Çanak dhe të tjerët në Vojvodinë, paçka se janë serbë etnik, megjithatë, mundohen ta fuqizojnë një lëvizje indipendentiste për Vojvodinën, e cila, për herë të parë në histori iu bashkua Serbisë në Konferencën e Versajit  më 1919. Serbët  e kësaj pjesë të Serbisë së sotme, mund t’i realizojnë qëllimet  e tyre me ndihmën e pakicave të shumta që jetojnë atje e të cilat asnjëherë nuk e kanë konsideruar Serbinë vend të tyre. Dhe, të rikthehemi te Gjuriqi, dhe krahasimin që Kosova dhe Shumadia pas 50 vjetësh do të jenë një lloj, është një prej atyre deklaratave të rralla të këtij “diplomati” serb me të cilën mund të akordojmë në këtë çast.

Shumadia, një territor i varfër i Serbisë fqinje, për vite dhe dekada lufton për identitetin e tij serbian (jo serb në përgjithësi por ai të Serbisë). Shumadiasit e konsiderojnë veten të diskriminuar nga kontingjentet e joserbëve që e qeverisin këtë vend. Në mesin e tyre, besojmë bënë pjesë edhe Marko Gjuriq, që ka origjinë malazeze. Me një rast, diku në tetor të vitit 1991, gjet një interviste që kishim realizuar me intelektualin më të shquar malazez, Jevrem Bërkoviq, kur ishte arratisur në Tiranë, i shpëtuar nga shqiptarët, meqë deshi ta vras klika millosheviqiane në Podgoricë,  ai u shpreh, pak a shumë se: serbët janë populli më fatkeq në Evropë ngase udhëhiqen nga joserbianët: Millosheviq, Sheshel, Drashkoviq, Vuçiq, Tadiq, etj., të gjithë të tillë. Edhe ky grotesku gjithashtu.

Dhe, kjo është një nga arsyet se përse në Shumadi, siç shprehen njohësit e rrethanave të atjeshme, ditë për ditë është duke u fuqizuar ideja e pavarësimit të këtij regjioni të shtetit të sotëm serb. Në fakt, serbët do ta fitonin shtetin e zanafillës së tyre kulturore dhe historike (të Rashkës), ndërsa, profecia e Gjuriqit do të dilte më e saktë se sa profecitë e Nostradamusit: Do të mbetej edhe një pjesë tjetër e Serbisë, të cilin do ta njohim si Pashallëku i Beogradit, nga Kragujevci e deri në Zemun. Për serbët edhe kjo është shumë.
Por, sido që të jetë, del se, edhe në stend up komedi, thuhen gjëra të vërteta. Bile, zakonisht të vërteta. Bravos Marko Gjuriq. Veç përpara!

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)