Procesi i drejtë gjyqësor zbatohet në të gjitha rastet dhe gjithmonë
Shkruar nga Jonathan Ratel
Sundimi i ligjit është korniza bazë e rregullave dhe të drejtave të cilat e bëjnë të mundur një shoqëri të lirë, të drejtë dhe demokratike. Sundimi i ligjit është një sistem në të cilin askush, duke i përfshirë qeveritë ose politikanët, nuk është mbi ligjin, dhe secili është i barabartë para tij.
Sundimi i ligjit nënkupton se ligjet i mbrojnë të drejtat themelore, dhe se të gjithë kanë qasje në drejtësi. PSRK-ja ka një evidencë të fuqishme sa i përket ndjekjes së veprave të rënda penale, në përputhje me Ligjin për PSRK-në ligji i cili i përcakton obligimet ligjore të PSRK-së.
Nëse në PSRK paraqitet një kallëzim penal për ndonjë vepër, ajo ka obligim ligjor që ta shqyrtojë atë. Ndonjëherë këto kallëzime janë vetëm kallëzime: kallëzim pa ndonjë dëshmi që e mbështetë atë. Kjo gjë ndodh në të shumtën e rasteve.
Por, në rastet kur ne pranojmë ndonjë dëshmi, atëherë ne kemi obligim ligjor që ta shqyrtojmë atë dhe, nëse dëshmia paraqet dyshim të bazuar, prokurori duhet të vazhdojë procedurën duke e nxjerrë një Aktvendim për Fillimin e Hetimeve, ose AFI. Për këtë gjë, prokurori duhet ta ketë dyshimin e bazuar siç parashihet në Ligj. Pastaj, prokurori i ka maksimum dy vjet për ti kryer hetimet dhe për ta përgatitur rastin.
Në shkurt 2013, një prokuror i angazhuar në një hetim lidhur me krime të luftës dhe incidente pas-konfliktit, duke përfshirë vrasje të rëndë, e kishte nxjerrë një AFI. Këtu bëhej fjalë për pretendime jashtëzakonisht të rënda, të cilat është dashur të trajtohen me seriozitet.
Më pas, prokurori i kishte në dispozicion dy vjet për ta përgatitur rastin për tia kushtuar resurset hetimore, për ti shqyrtuar dokumentet ekzistuese lidhur me rastin dhe për ti intervistuar dëshmitarët e mundshëm.
Pasi ka punuar në këtë rast për gati një vit, ky prokuror vlerësoi se ekzistonin dëshmi të mjaftueshme për ta intervistuar të dyshuarin e këtij rasti.
Kjo është arsyeja pse në mëngjesin e ditës së hënë të kësaj jave (27 janar), një i dyshuar u paraqit vullnetarisht në stacionin policor në pjesën veriore të Mitrovicës, pas marrëveshjes paraprake me një prokuror ndërkombëtar të PSRK-së. Ai u intervistua në lidhje me pretendimet për krime të luftës në vitin 1999 dhe për incidentet pas konfliktit në vitin 2000, duke përfshirë vrasje të rëndë.
Në fund të intervistimit prokurori e ushtroi diskrecionin e tij dhe e ka ekzekutuar kërkesën për arrestimin e të dyshuarit. Po ashtu, ai i ka bërë kërkesë një gjyqtari të procedurës paraprake (një gjyqtar ndërkombëtar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë) për ta mbajtur atë në paraburgim.
Gjyqtari e ka miratuar kërkesën dhe kjo është arsyeja pse i dyshuari është ndalur në paraburgim. Gjatë gjithë kësaj kohe i dyshuari ka bashkëpunuar në tërësi gjatë procedurave gjyqësore.
I dyshuari është dërguar në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë (QPP), për shkak se kështu urdhëroi Gjykata. QPP-ja ka një të kaluar të dëshmuar për akomodimin e të paraburgosurve të përkatësive të ndryshme etnike.
Ajo i përmbush të gjitha standardet e BE-së për mbajtjen e të paraburgosurve. Të dyshuarit i janë mundësuar të gjitha të drejtat përkatëse të komunikimit me përfaqësuesin ligjor të tij.
Faza vijuese e procedurave gjyqësore ka qenë hartimi i Arsyetimit dhe Vendimit formal lidhur me caktimin e masës së Paraburgimit nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake. Këto pastaj janë përkthyer në gjuhën serbe dhe i janë dhënë të dyshuarit dhe përfaqësuesit të tij ligjor në përputhje me të drejtat e tyre sipas ligjit.
Po ashtu, ato i janë dhënë edhe prokurorit. Në Arsyetim janë paraqitur arsyet e hollësishme lidhur me vendimin të cilin e ka marrë gjyqtari. Tash, i dyshuari ka të drejtë që, nëpërmjet avokatit të tij të parashtrojë ankesë kundër Vendimit për Paraburgim.
Vendimi për paraburgimin prej 30 ditëve do të shqyrtohet në fund të kësaj periudhe, kur prokurori përsëri duhet ti paraqesë argumentet e tij lidhur me atë se pse duhet mbajtur të dyshuarin në paraburgim.
Deri në atë kohë, prokurorët do të vazhdojnë të punojnë në këtë rast. Ata mund të zgjerojnë ose ngushtojnë fushëveprimin e hetimit. Siç u tha më lart, rasti filloi zyrtarisht me një aktvendim për fillimin e hetimeve në shkurt të vitit të kaluar.
Mirëpo, edhe pse nuk ka nevojë të ngritët një aktakuzë deri në shkurt 2015, ekziston një supozim në ligj i cili thotë se një person i cili është në pritje të gjykimit dhe është në paraburgim mund të presë që rasti do të shqyrtohet me kohë.
Sikurse ndodh me procedurat gjyqësore në çdo demokraci, dy parime janë themeli i tyre. I pari është supozimi i pafajësisë, i cili vlen gjatë gjithë kohës deri në aktgjykimin përfundimtar të dhënë nga një gjyqësor i pavarur. I dyti është ligji, i cili siguron mbrojtje për të gjithë dhe zbatohet njësoj për të gjithë.
Puna e prokurorit është e vështirë. Shumë raste, veçanërisht ato të PSRK-së janë të ndërlikuara dhe përfshijnë shumë të dyshuar. PSRK-ja nuk pranon udhëzime politike; udhëzimi i saj i vetëm vjen nga ligji. Ligji është besnikëria e parë dhe e vetme, ndërsa PSRK-ja do të vazhdojë me ndjekje penale për vepra të rënda, krime të luftës, krim të organizuar dhe korrupsion.
Prokurorët e PSRK-së janë këtu për ta respektuar dhe zbatuar ligjin dhe ti kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të paanshme, të pavarur dhe me integritet. Kjo nuk do të ndryshojë.