26 Dhjetor 2024

Problemi i PDK-së nuk janë Krasniqi e Limaj

Shkruar nga Xhevat Bislimi

Humbja e thellë e PDK-së në zgjedhjet e fundit nxori në publik dhe për publikun edhe një tendencë të ulët për ta “shpjeguar” humbjen e kësaj Partie (të atyre që e kanë uzurpuar këtë Parti) me Jakup Krasniqin dhe Fatmir Limën! Lansimi i kërkesave “PËR” dhe “KUNDËR” kthimit të këtyre dy figurave në PDK ia hoqi petën lakrorit.

Dje doli edhe një palë e tretë (neutrale) që u kërkon këtyre dy personaliteteve politike dhe publike që ta “qartësojnë pozicionin e tyre në PDK”! I gjithë ky angazhim i këtyre emrave që nuk janë vendimmarrës në këtë Parti u bë me porosi dhe me qëllim për ta larguar vëmendjen e anëtarësisë dhe të strukturës së kësaj Partie nga përgjegjësit dhe fajtorët e vërtetë të kësaj humbjeje dhe të kësaj gjendjeje kaotike në PDK.

Fajtorë dhe përgjegjës për humbjen e thellë të PDK-së dhe për gjendjen ku është katandisur kjo Parti  është ai dhe janë ata që e kanë uzurpuar këtë Parti dhe vendimmarrjen e saj. Është ai dhe ata që në këtë Parti, bashkë me ardhjen e tyre, sollën frymën e mundjes, të diferencimit, të përcarjes dhe të përjashtimit.

Përgjegjës dhe fajtor është ai dhe ata që suprimuan (de fakto) organet qendrore dhe vendore të Partisë, duke uzurpuar dhe përqëndruar vendimmarrjen dhe gjithë politikat e PDK-së në duart e tij-të tyre.

Përgjegjës dhe fajtorë për këtë humbje dhe çoroditje të PDK-së është ai dhe ata që mbytën debatin, dialogun, mirëkuptimin, solidaritetin, vlerat dhe demokracinë në këtë Parti, duke e zënë atë për fyti. Fajtor është ai që bashkë me ata që i solli në Parti u angazhua për ta mundur PDK-në brendapërbrenda.

Ishin pikërisht J. Krasniqi, F. Lima dhe shumë të tjerë ata që kërkonin në vazhdimësi dhe këmbëngulnin që të hapej debati dhe dialogu për shumë probleme të grumbulluara në Parti dhe në qeverisjen e vendit.

Ishte kërkesë dhe këmbëngulje e këtyre njerëzve dhe e shumicës absolute të Kryesisë dhe të strukturave të PDK-së që mos të përfshiheshin në listën e kandidimit për deputet emra që nuk kishin asgjë të përbashkët me PDK-në ose njerëz që e kishin vendin dhe mund të kontribuonin shumë më shumë diku tjetër e jo në Kuvendin e Kosovës.

Kryesia e kësaj Partie dhe Dega e saj në Prishtinë ishin unike edhe kundër kandidimit të Astrit Salihut për kryetar Prishtine, por i pari i PDK-së tashmë e ndjente veten Zot e pronar, ose siç nisën ta quanin anëtarët e Kryesisë, “ZEUS” të Partisë!

Ishte ai që ia imponoi PDK-së listën “Ibrahim Rugova”, Pacollin, ministrat dhe “përurjet” tjera që vinin nga i njëjti burim-shtrat! E gjithë kjo me qëllim që t’i mundte dhe përjashtonte nga Partia J. Krasniqin, F. Limën dhe shumë të tjerë që nuk po pranonin të ktheheshin në krah të djathtë, në një LDK të re! Ishte ai dhe ata që me një “deklaratë” të çastit e deklaronin PDK-në “parti të qendrës së djathtë”!

Ishte ai dhe “logjistika” e tij që ia imponuan PDK-së një proces zgjedhor tërësisht kaotik dhe me nuanca të forta vagabondazhi me qëllimin e vetëm për ta mundur përfundimisht pjesën që kishte mbetur akoma me vlerat e kësaj Partie!

Ishte ai dhe ata që nuk lanë degë të kësaj Partie pa e përça dhe pa  e hasmu me njëri-tjetrin! Ishte ai me ata që imponuan edhe kandidaturat e fundit për kryetarë komunash pa pyetur për vullnetin e degëve dhe të anëtarësisë, pa pyetur për organet qendrore të PDK-së dhe pa marrë parasysh se disa prej tyre ishin mbytur në keqqeverisje, shpërdorim, nepotizëm dhe korrupcion.

Ishte ai me ata që imponuan në çastet e fundit edhe kandidaturën e Agim Çekut për kryetar Prishtine (sa për ta djegur njëherë e mirë). Ishte ai dhe ata që hynë në garë me tre ministra për Prsihtinën dhe nuk arritën as balotazhin!! Ishte ai dhe ishin ata që PDK-në e sollën në atë gjendje që gati në të gjitha komunat të jetë në garë me vetëveten, me njerëzit e saj!

Për Këshillin Drejtues të kësaj Partie as nuk mund të flitet që ekziston, sepse u krijua që të mos ekzistonte! Ishte ai dhe ata që e lanë edhe sot e kësaj dite PDK-në pa STATUT, sepse statuti, rregulloret dhe vetë Partia është ai me ata!

“Statuti, rregullat dhe rregulloret, thoshte Toni Bleri, na duhen për t’i edukuar dhe disiplinuar anëtarët tanë në mënyrë që kur ta marrim pushtetin të qeverisim me frymën e ligjit”. Mirëpo, ai dhe ata nuk janë të interesuar të qeverisin me frymën e ligjit, prandaj nuk u duhet Statuti, nuk u duhen rregullat dhe nuk u duhen rregulloret në Parti!

Ishte ai dhe ata që PDK-në duan ta shndërrojnë në një kopje të LDK-së, në një LDK të dytë! Por, ai dhe ata do të duhej ta dinin që Kosovës edhe një LDK i ka dalë për hunde, prandaj Kosova nuk mund t’i mbajë dy LDK!

Në fund të fundit, megjithë përurjet dhe përpjekjet për ta bërë PDK-në LDK populli i Kosovës, sidomos elektorati i PDK-së nuk ju pranon kurrë për LDK, sepse LDK-në e ka ky vend. Kjo u dëshmua edhe me zgjedhjet e fundit.

PDK-ja mund të rikthehet fuqishëm në vendin që meriton në Kosovë vetëm nëse “çlirohet” nga uzurpatorët, nga përurjet dhe nga hyxhymxhinjtë, që jo vetëm këtë Parti, por edhe Kosovën e kanë kapur për fyti dhe po ia marrin frymën.

PDK-ja mund të rikthehet fuqishëm dhe të mbahet e fuqishme në Kosovë vetëm nëse i kthehet vlerave të saj autentike, duke u kthyer të gjithë ata që janë detyruar të largohen nga kjo Parti pa dëshirën e tyre.

A i ka mbetur forcë kësaj Partie për ta bërë këtë mbetet të shihet, por unë dyshoj shumë. Dyshoj, sepse në Kosovë dhe në hapsirën shqiptare asgjë nuk ndodhë rastësisht.

Prandaj, druaj shumë (koha do ta vërtetojë) që edhe fati i PDK-së dhe angazhimi për mundjen e saj (pa përjashtuar edhe faktorë dhe interesa tjera…) është i lidhur me projektin e “decentralizimit”-bosnizimit të Kosovës dhe me marrëveshjet për “statusin” e pakicës serbe dhe të Serbisë në Kosovë.

(Autori është njëri nga themeluesit e PDK-së dhe anëtar Kryesisë së saj)
                                                     

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)