22 Dhjetor 2024

Privatizimi në Kosovë dhe Kosovatex-i si model suksesi

Shkruar nga Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti

Procesi i privatizimit në Kosovë filloi një dekadë më vonë se në shtetet tjera që dolën nga sistemi i ekonomisë me planifikim qëndror. Kosova e okupuar politikisht mbeti me eksploatim të egër ekonomik që se njohin as edhe kolonitë e gjashtëdhjetave të shekullit të kaluar.

Procesi i privatizimit në të gjitha ish republikat Jugoslave filloi me qeverin e fundit të Ante Markoviçit me një ligj sistemor federal i njohur edhe me sinonimin ,,Ligji i Markoviçit,,. Në atë kohë në Kosovë, jorastësisht, filloi procesi i diferencimit ekonomik të shqiptarëve dhe marja në qeverisje e të gjitha sistemeve ekonomike relevante kosovare nga regjimi fashist i Milosheviqit. Erozioni tekniko-teknologjik, organizativ dhe financiar i ndërmarjeve kosovare i ,,dehidroi,, ato nga potenciali ekonomik i kohës. Për një dekadë të tërrë të eksploatimit të egër i solli ato, në pragun e greminës ekonomike duke i paaftësuar për të mbijetua në tregun vendor dhe regjional.

Sipas Raportit hulumtues te Institutit ,,Riinvest,, në Mars të vitit 2000, kapitali fiks i ndërmarjeve kosovare vlerësoheshte me reth 1,8 mrd.Euro vlerë nominale dhe me shkallë mesatare të amortizimit prej 55-60%. Vlera neto e kapitalit fiks rezullton të kishte qenë rreth 750 mil.Euro! Nëse kihet parasyshë se detyrimet totale të këtyre ndërmarjeve janë dyfish më të larta se kërkesat e tyre atëherë edhe kjo vlerë aproksimative e tyre vihet në pikëpyetje. Sa për krahasim dhe krijim të kuptimit për lexuesit, vlera nominale zyrtare e kapitalit shoqëror të ndërmarjeve në Maqedoni në vitin 1989 ishte 2 miliard e 329 milion Euro dhe ekonomistët konsideronin se ishte disa herë e nënvlerësuar.

Ky kapital u privatizua reth 60% me po të njejtin Ligj të Markoviçit deri në vitin 1992. Dihet se aso kohe (1989) ekonomía e Maqedonisë ka qenë për një nijansë më e fuqishme se ajo e Kosovës kurse nëse krahasohet vlera fillestare e kapitalit të Kosovës një dekadë më vonë, rezullton për 4-5 herë vlerë më të vogël (pa llogaritur këtu faktorin kohë dhe vlerën anticipative të parave). Ky eshte ,,rezulltati,, i kolonizimit të Kosoves për një dekadë!

Objektivat fundamentale të procesit të privatizimit duhet të jenë: ngritja e efiçiencës dhe aftësisë konkuruese të ndërmarjeve, drejtshmëria në privatizim dhe kohëzgjatja e procesit. Në përpouthje me këto objektiva përzgjidhen edhe modelet e privatizimit.

Në rastin e Maqedonisë pothuaj se nuk u përmbush asnjëra nga këto objektiva, para se gjithash për shkak të përzgjedhjes së gabuar të modelit (privatizim i brendshëm-insajder) dhe për shkak të kapaciteteit të kufizuar të institucionave gjithnjë i shoqëruar me motivet korruptive të klasave politike.

Kosova përzgjodhi modele më efikase-atë të Spin-Off dhe të likuidimit (bankrotit) vullnetar. Avantazhi në modelin e ,,spinofit,,-privatizim konkurent dhe transparent nuk arriti të efektuohet sa duhet për të njejtën arsye-mungesa e kapacitetit institucional të institucioneve të brishta të UNMIK-ut, të atabluara bile me vonesë, tre vjet pas përfundimit të luftës.

UNMIK-u humbi tre vite tejet të vyeshme edhe për shkak të hamendjeve për karakterin e pronës shoqërore dhe mosnjohjen e realitetit historik se ajo padyshim është krijua nga shoqëria kosovare dhe vetëm asaj i takon. Menaxhimi i ,,spinofëve,, nga AKM-ja e etabluar nga UNMIK që në vitin 2002 dhe deri në Gusht të vitit 2008 ishte jo vetem joefikase por edhe shumë byrokratike. Mbase me më pak përfolje për korrupcion.

Përgjegjësitë e AKM-se së UNMIK-ut në Gusht 2008 kaluan në AKP-në e formuar si Agjencion i pavarur nga Parlamenti i Kosovës me një strukturë udhehëqëse të Këshillit të Drejtorëve me përbërje 5 anëtar vendor dhe 3 anëtar nderkombetar.

Objektivi bazik i AKP-së ishte sa më shpejt të vazhdojë të  pregaditë ndërmarjet me kapital shoqëror për privatizim respektivisht transformim të pronës poashtu në dy modelet e theksuara.
     

Përgjegjesia e AKP-së është kapitale dhe historike. Kapitale për shkak të peshës specifike të kapitalit të patransformuar që duhet të jetë fundament për zhvillimin e ekonomisë kosovare-pra ky transformim të bëhet sa efikas poaqë edhe konkurues e transparent për dhënje të shanseve të barabarta të gjithë investitorëve-si të brendshëm ashtu edhe të huaj. Me këtë krijohen kushtet për një ekonomi tregu funksionale.

Kjo tingllon leht por është tejet komplekse. Përgjegjësia historike është për shkak të  shansit për zbutjen e efekteve negative sociale të shkaktuara nga sistemi kolonizator. Me fondet që duhet ti krijojë përmes nje procesi konkurent, transparent dhe zero tolerancë ndaj korrupcionit të kompenzohen shtresat sociale që e kane krijuar këtë kapital përgjat 5 dekadave në historinë ekonomike të Kosovës. Rezulltatet dyvjeçare akoma nuk deshmojnë se AKP e shfrytëzon këtë shansë historik. Por procesi është në vijim dhe akoma ka kohë për përmirsime.

Edhe kjo tingëllon goxha idilike por të mos harohet se akoma shumë familje që sakrifikuan për lirinë e Kosovës edhe me shumë se një dekadë pas çlirimit akoma jetojnë nën tenda dhe të patrajtuar me programe sociale për shkak të mungesës së fondeve sociale që pjesërisht duhet ti krijojë AKP. Profiteret e tranzicionit nuk do tu gëzohen shumë miljonave të tyre në një shoqëri kur pensionet e atyre që e krijuan kapitalin janë të nivelit afrikan!
    

Të gjitha ndërmarjet që nuk kan perspektivë të qëndrueshmërise në tregun konkurent duhet të likuidohen. Kosova ka shanse të mësoj nga gabimet e tjerëve-rasti më i afërt është në Maqedoni. Shumë i kushtoi Maqedonisë tranzicioni akoma i pambaruar, pikërisht për shkak të politikave të paqëndrueshme socio-ekonomike. Krejt kjo për efekte të oportunitetit politik. Ndërmarjet ,,humballaqe,, sa here që injektoheshin nga subvencionet qeveritare aqë më shumë e humbnin afinitetin e qëndrueshmërise ekonomike ne treg. Edhe sot e kësaj dite shumë nga këto janë ,,rishtetëzua,, (nacionalizua sërish) për shkak të infuzioneve buxhetore të shtetit për ti blerë votuesit e punësuar në to.
    

Në kërkim të rasteve më të sukseshme të privatizimit të ndërmarjeve kosovare akoma lista është shumë e zbeht-si për nga numri aqë më tepër për nga efektet! Numri njëshifror dhe vlerat simbolike të investimeve në to (me përjashtim të ,,Feronikelit,,-edhe për shkak të trendit të konjunkturave në bursën botrore) janë shumë të pamjaftueshme për dëshmi suksesi në këtë proces. Ska vlera më të mëdha patriotike për Kosovën e pavarur se konsolidimi i ekonomisë së saj.

Qeveria duhet sa më parë të shpall sistem motivimi për pasuri dhe kontribut kombëtar, njësi të caktuara investimi, punësimi dhe eksporti. Këto tre indikatorë makroekonomik paraqesin fundamentin e një ekonomie kombëtare. Ka ardhur koha të ridizajnohet sistemi i vlerave kombëtare. Edhe dëshmorët e kombit do të prehen qetë kur pasardhësve të tyre u krijohet mirëqenje dhe kjo nuk është e mundur nëse nuk ndryshojnë sistemet e vlerave. Folklor patriotizmi duhet zëvendesuar me vlera reale-kjo duhet të jetë historia e re e Kosoves.
    

Këtë opinion e shkruaj nën influencën e vizitës së punës të një rasti të privatizimit të sukseshëm në Kosovë edhe përkundër shumë peripetive në këtë proces. Kosovatex-i, një ndërmarje e sukseshme në ish ekonominë e planifikuar të Kosovës pas një shkatrimi të plotë dhe spostim nga tregu regjional rikthehet në jetë përmes privatizimit me model Spin-off special me 4.mil.Euro investime kapitale dhe 200 punëtor.

Parakushtet e spinofit special investitori gjerman (fatmirësisht shqiptar i Gjermanisë) do ti tejkalojë-bile punësimin edhe do të dyfishojë pas 6 muajve në 400 punëtor, sipas planit te biznesit të tijë. Që të jetë kënaqësia edhe më e madhe krejt prodhimi (xhinsa të cilësis së lart) i destinohet eksportit gjerman, prej ku realizohen të ardhura devizore dhe sadopak zbutet bilanci tregtar respektivisht ai i pagesave të Kosovës.
    

Ne kushte konkurente dhe transparente, në pjesën e dytë të vitit 2006 Kosovatex-i është marrë në Zotim të investitorit nga AKM-ja e athershme duke paguar mbi 3,15 mil.Euro dhe duke mbajtur tash e 4 vite në kompenzim minimal pune reth 100 punëtor. Investitori aktualisht është në përmbyllje të investimeve kapitale mbi 5 mil Euro dhe mbi 200 punësime për të filluar me punë nga 1 Shtatori 2010.

Teknologjia tërësisht e automatizuar, kushtet e punës në reparte me standarde gjermane, sistemi organizativ dhe tekniko-teknologjik e bëjnë këtë kapacietet të radhitet ndër të parat në listën e sukseseve të privatizimeve përmes spinofit në Kosovë. Ky rast mund te shëndrohet në model suksesi dhe ,,banchmark,, për procesin e mëtejm të privatizimit të ndërmarjeve në Kosovë. Performancat e teknologjisë të instaluar në këto reparte janë unike jo vetëm për Kosovën por edhe regjionin më gjërrë.

Për hirë të korektësisë për këtë duhet faliminderuar edhe autoriteteve të AKP-së që treguan mirëkuptim për të vazhduar afatin e spinofit special si dhe durimin në përmbushjen e parakushteve që ishin goxha sfiduese-posaçërisht insistimi të mbeten investimet në industrinë përkatëse të tekstilit në kushte kur kjo industri zhvendoset nga kontinenti  e jo më nga rajoni. Besoj se bashkarisht investitori dhe AKP-ja ia dolën me sukses. Urime dhe suksese të reja.


Autori është Universiteti i EJL-Tetovë
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)