Prishtinës i duhet një xhami vërtet e re
Shkruar nga Xhavit Nura
Debati për xhaminë e re në Prishtinë ka ngjallur shumë reagime. Disa po përpiqen që Prishtina të ketë një xhami të vërtetë, kurse një pjesë në emër të asaj se nuk po u pëlqen projekti dhe arsyetime të tjera të ndryshme, po përpiqen ta prolongojnë këtë proces.
Në një libër të ariktekturës shkruan se “ne nuk mund të jetojmë pa arkitekturë”. Arkitektura fillon të vlejë kur shkon përtej se të na mbrojë nga forcat e natyrës, atëherë kur fillon të marrë kualitete të artit. Kështu mund të thuhet se arkitekturë është ajo kur njerëzit ndërtojnë të ndërgjegjshëm se ata janë duke bërë diçka që arrin përtej praktikes.
Arkitekti Ludwig Mies van der Rohe thotë në mënyrë mjaft poetike dhe mjaft modeste se origjina e arktiekturës është kur për herë të parë “dy tulla janë vendosur bashkë në mënyrë të rregullt”.
...
Në rastin e xhamisë së re në Prishtinë në lagjen Dardania, mendoj se do të duhej të përzgjidhej një projekt me artkitekturë të stilit modern dhe jo një xhami thjesht e stilit osman. Ne në Prishtinë kemi mjaft xhami të tilla, dhe ne duhet t’i ruajmë ato për vlerën që kanë, por tani që po ndërtohet një xhami duhet të sillet një stil i ri që dallon nga të parat.
Është paradoksale që pesë vjet pas vënies së gurëthemelit ne tani po bisedojmë për projektin, kur dihet se ka pasur edhe një konkurs publik ndërkombëtar për projektin arkitektonik. Ndoshta kjo ka të bëjë me mendësinë tonë që i diskutojmë gjërat “post festum”, si në rastin e shumë ligjeve, për të cilat reagojmë tek pasi të hyjnë në fuqi. Por edhe Bashkësia Islame e Kosovës duhet të tregohet e hapur dhe të dëshmojë nëse gjithë procesi i konkursit ka qenë transparent. Tek ne është ngulitur ideja se për të hollat që vijnë si donacione, nuk duhet të japë përgjegjësi askush. Menjëherë pas luftës, erdhën qindra milionë dollarë donacione, por shumica pej tyre nuk përfunduan në destinacionin e tyre final, pra nuk përfituan qytetarët e Kosovës, kurse arsyetimi për këtë ishte se “kalit të falur, nuk i shihen dhëmbët”. Edhe në rastin e fundit, nëse donator i xhamisë është një organizatë nga shteti turk, nuk do të thotë se ata duhet të diktojnë gjithë projektin.
...
Bërja e arkitekturës është e lidhur ngushtë me njohuritë që ndërtesat ngulitin brenda nesh reagime emocionale. Ato mund të na bëjnë të ndjejmë, ato mund të na bëjnë të mendojmë.
Ndërtesat gjithashtu përbëjnë një evidencë të fuqisë së memories. Kush nuk është kthyer pas disa vitesh te shtëpia, te shkolla, te hoteli apo vende të tjera në të cilat ka përjetuar ngjarje të rëndësishme.
Historiani i arkitekturës Vincent Scully ka thënë se arktitektura është bashkëbisedim mes gjeneratash. Ndoshta ne jo të gjithë mund të marrim pjesë në këtë bashkëbisedim, por ne të gjithë mund ta dëgjojmë atë. Për këtë aryse, arkitektura vlen sepse ajo është kudo rreth nesh, dhe si e tillë ajo ndikon në ne.
...
Arkitektura është pjesë e jetës së përditshme të gjithsecilit, deshe apo nuk deshe.
Në rastin e xhamisë së re duhet të zgjidhet një projekt po ashtu funksional. Ai mund të ketë edhe një hapësirë të caktuar për aktivitete tregtare, që do të ishin kryesisht dyqane të vogla që përmbajnë produkte që i plotësojnë nevojat e vetë komunitetit që frekuenton xhaminë, por jo të ketë qendra të mëdha tregtare. Para së gjithash, projekti duhet të përmbajë hapësirë për parking, por edhe hapësira për pushim dhe çlodhje jo vetëm për besimtarët, por për të gjithë qytetarët pa përjashtim. Duhet të themi se shumica e xhamive në Prishtinë janë jofunksionale në kuptimin e plotë të fjalës. Në shumë prej tyre nuk ka objekte përcjellëse, apo siç po quhen objekte facilituese si banjo etj.
Në xhaminë e renovuar të çarshisë ta zëmë ka edhe një park ku një nënë ulet me fëmijën e saj për të shpëtuar nga vapa, apo një kalimtar pi ujë në cezmet në oborr dhe kjo është shembull i mirë. Por ka edhe shembuj të tjerë, kur një xhami në Prishtinë edhe pse e ndërtuar paslufte dhe me stil, ka pasur dy apo tri herë ndërhyrje në arkitekturën e saj, duke e shëmtuar atë. Ajo që më pengon te pasuesit e fesë islame është lidhja aq e madhe me utilitaren. Për disa mjafton që të kenë ku të vënë kokën për të kryer ritin e faljes dhe me këtë përfundon gjithçka. Por historia islame na mëson ta duam të bukurën, artin. Edhe në kulturën tonë kombëtare, kemi trashëguar atë gjenin primitiv të përmbushjes së nevojave primare dhe ikjes gjoja nga “luksi”. Të parët tanë kanë ndërtuar kryesisht një dhomë, kurse pastaj vjen “mbathja” me të tjerat kur të bëhen kushtet. Kjo ndoshta ka ndryshuar viteve të fundit, por megjithatë prapë sheh shumë shtëpi të lëna në gjysmë, thjesht nuk kemi mjaft forcë për t’i çuar gjërat deri në fund.
...
Sa i përket xhamisë së re në Prishtinë, nuk ka nevojë të politizohet, pasi të gjithë asamblistët komunalë të Prishtinës u deklaruan pro ndërtimit të objektit. Edhe Bashkësia Islame e Kosovës duhet të tregohet më elastike dhe duhet rishikuar projekti, kurse nëse merr gjashtë muaj më shumë kohë, kjo nuk përbën ndonjë problem. Prishtinës i duhet një xhami vërtet e re.