22 Dhjetor 2024

Prishtina pas zgjedhjeve lokale 2021

Shkruar nga Ylber Vokshi -Ylli

Është shumë vështirë gati e pa mundur nëse do duhet të jesh objektiv i pa anshëm politikisht, të mendosh dhe të veprosh si profesionistë në Kosovë.

Atëherë duhet analizuar të gjitha rrethanat që e kishin pru situatën shkatërrimtare të kryeqytetit pas vitit 1999 e deri në nëntorin e vitit 2013, kur u ndërrua udhëheqja e Komunës.  

Një periodë disi filloi të ketë një stabilitet institucional urban por nuk zgjati shumë,prapë u aktivizuan ato forca të errëta duke rënduar edhe ma shumë situatën  e vështirë urbane në Prishtinë e  cila sot është para vlimeve sociale.

Ata të cilët ma së shumti i kontribuuan kësaj situate urbane, ende nuk janë të vetëdijshëm se çfarë krime urbane kanë bërë, me pasoja për të gjithë ne si bashkëfajtor e posaçërisht për gjeneratat e reja që pasojnë.

Në vitet e shtatëdhjeta urbanistika e Prishtinës ligjërohej si  rast i keq i punës profesionale, fjala ishte se si ishte rrënuar bërthama historike e qytetit në emër të ndërtimeve  të reja nën sloganin e kohës "të rrënojmë të vjetrën të ndërtojmë të renë" Kam menduar se ato kohëra provokative kishin përfunduar përgjithmonë por realiteti i sodit po e demanton tmerrësisht atë.

Me tërë atë armatë profesionistësh që veprojnë në kryeqytet, në shekullin 21 arritëm në mënyrë barbare të bëjmë degradimin urban në formatin e pa shpjegueshëm, arritëm të krijojmë një mjedis vështirë të jetueshëm ku kualiteti i jetës urbane është shumë larg normales.

E tani kur situata është bërë ekstrem e pa durueshme kërkohen shpëtimtarët apolitik duke bishtëruar së pari përgjegjësit politik e pastaj ata teknik dhe të tjerët që kanë vepruar këto vite.

Pa kurrfarë dileme, funksionimi i një vendbanimi është i ndërlidhur direkt me posedimin apo përpilimin e dokumenteve hapësinore dhe urbane.

Me zbatimin e tyre korrekt dhe profesional edhe situata e mirëqenies së popullatës do të ishte ma e mirë, Për fat të keq kjo nuk ka ndodhur këto vite në Prishtinë dhe në Kosovë.

Me vëmendje i përcjella debatet para zgjedhore për Prishtinën dhe u befasova me disa të dhëna  që i mësova e që më detyron të dyshoi se a mos ishte Rama, kryebashkiaku i ri Komunës, pjesë e asaj "fallangës" që zhvati gati një milion euro të buxhetit komunal në emër të përpilimit të katër "Planeve rregulluese"të cilët me pompozitet u reklamuan dhe u ekspozuan në vitin  2005 në Pallatin e rinisë.

Ato plane rregullues ishin si rezultat i  një konkursi ndërkombëtar të  bazuar në një dokument hapësinor tërësisht jo legjitim "Plani strategjik 2004-2020 - Zhvillimi Urban i Prishtinë" i promovuar nga Komuna,  i cili ishte tërësisht i kundër ligjshëm pasi zyrtarët komunal as që donin ta njehshin ligjin e shtetit të Kosovës – Ligjin  e  Planifikimit Hapësinor të vitit 2003.

Plani rregullues ‘’Qendra 1" i z.Rama së bashku me ato tri planet tjera rregulluese nuk u zbatuan pasi ishin te pa realizueshme, qëllimi ishte tjetër e këtë e tregoj koha qe skajshmërisht e dëmtoi urbanistiken e Prishtinës dhe i hapi rrugën jo ligjshmërisë e cila u finalizua me ’’kaosin urban’’, si dëshirojnë ta quajnë disa gjendjen e tanishme të pa shprese urbane ne kryeqytet.

Që  nga periudha e pas luftës z.Rama është prezent në Kosovë ndërsa nga viti 2004 e keni edhe biron projektuese “4M grup" jam kureshtar te di se si dhe çfarë keni punuar dhe a jeni te përfshire ne projektimin dhe ndërtimin e objekteve pa leje ne Prishtine dhe në tërë Kosovën deri me sot.

A i keni respektuar ligjet, normat dhe standardet kombëtare dhe ndërkombëtare te ndërtimit pasi nuk jam ne dijeni se si keni vepruar,  pos rastit te “Badovcit” ku tentuat te ndërtoni buze liqenit.

Duhet te keni ne dijeni se tek ne projektimi profesional dhe mirëmbajtja apo eksploatimi vijues i objekteve diametralisht ndryshon si rezultat i vetëdijes se ulet te popullatës.
    
Do ti theksoi disa qëndrime tuaja të pa qëndrueshme-diskutabile:

·    Prezantimi i Kosovës ne bienalen e Venedikut në vitin 2012 nga ana e juaj si kurator i ekspozitës nuk ishte në nivelin e duhur pasi realiteti në Kosove ishte krejt ndryshe, për këtë në vitin 2012  kamë pasur një reagim  kritik  publik (http://ekonomia-ks.com/sq/opinion/bienalja-e-arkitektures-ne-venedik-dhe-pjesemarrja-e-kosoves).

Nuk prezantohet kjo problematik me “ftesa” shterpe, por me tregimin real të gjithë asaj çka po ngjante në këto hapësira, duke e  kamufluar realitetin. Një qasje e tillë denigruese ndaj problemeve urbane dhe arkitektonike është ofenduese për të gjithë intelektualët e paktë që kanë mbetur në Kosovën e pas luftës.

·    Disa propozime për zgjidhje urbane nuk ishin te qëlluara si ishte rasti me propozimin qe Xhamia e madhe e Prishtinës te vendoset ne qytetin e vjetër. 

·    Mos caktimi i lokacionit për sallën koncertale në mes të ekipit te eksperteve qe ju e kryesonit dhe zyrtareve komunal pati një kosto financiare me humbjen e një donacioni nga BE-ja në vlere rreth 11 milion euro. Kjo qasje ishte jo serioze dhe tregon ne çfarë niveli të ulet i kemi zyrtaret komunal dhe ekspertet të cilët nuk ishin në gjendje te harmonizojnë qëndrimet e tyre, kjo nuk është hera e pare që ndodhë në Prishtinë.

Gjate debateve publike keni elaboruar dhe pemtuar zgjidhjen e problemeve që janë të rëndësishme - kruciale ne përmirësimin e kualitetit te jetës te përbashkët urbane ne Prishtinë,sa ishit realist?   

·    Rasti i lagjes “Kodra e trimave” është unik ne fushën e urbanistikes dhe si , "zonë informale" (çështja pronësore) kërkon shume kohë për tu zgjidhur, intervenime te dhimbshme, ekspertize të larte dhe shpenzime te mëdha materiale për t’ia kthyer dinjitetin urban lagjes, andaj ju sugjeroj te mos bëni premtime boshe.

·    Kishte edhe ndërhyrje teatrale në funksion te propagandës zgjedhore si ishte rasti me vizatimin e disa sekuencave urbane, qe tregonte jo seriozitetin e një profesionisti.

·    Zgjidhja e problemeve me komunikacion rrugor është shume e vështire te realizohet,e keni planin e mobilitetit te përgatitur nga paraardhësi juaj por kërkon pune te madhe ne zbatimin e tij. Kurse për zonat e reja rrugët duhet te jenë produkt i zgjidhjeve te reja urbanistike te cilat duhet te jene te përgatitura ne nivel ta larte profesional.

·    Çështja e pranimeve teknike si faze për lëshimin e lejes se përdorimit nuk elaborohet qartë nga ana juaj dhe krijon huti tek popullata pasi kemi te bëjmë me dy faza para dhe pas ndryshimit te ligjit te vitit 2012, ku parashihet te ketë mbikëqyrje inspektuese si pjese e pranimit teknik.

·    Trajtimi i ndërtimeve pa leje nuk është kompetencë e juaja por e nivelit qendror i cili ka aprovuar një ligj qe skajshmërisht do ti dëmtoje te gjitha proceset urbane në Kosove, pasi faktikisht i legalizon te gjitha ndërtimet në një forme apo tjetrën, për te cilin kisha vërejtje serioze ne at kohe, viti 2016 (http://www.ekonomia-ks.com/sq/opinion/lista-e-pritjes-zbulim-i-ri-i-qeverise-se-kosoves). Për ju do te jetë pengese e madhe ne zbatimin e zgjidhjeve urbane ne te gjitha zonat e qytetit ne funksion te zhdukjes se “kaosit urban” te premtuar nga ana e juaj.

·    Premtimet elektorale se do të rehabilitohen disa lagje apo do të ndërtohen unazat e kryeqytetit, janë jo realiste, atë nuk kanë arritur ti realizojnë edhe shoqëritë shumë ma të pasura,ato intervenime kushtojnë shumë,do të mbesin ashtu si relikte të një kohe kur nuk ka funksionuar ligji, për të iu treguar pasardhësve tonë se si është jetuar në Prishtinë në fillim të shekullit 21.

·    Lehtësisht e shpjegoni anën  financiare të bazuar në donacione dhe kredi të buta ndërkombëtare, por do të jetë shumë vështirë pasi  askush nuk do të jep para për të mbuluar keqpërdorimet  e  mëdha që i kemi bërë vetë në këto vite.

·    Sa e keni respektuar "Kodin etik të arkitektëve" gjatë  fushatës zgjedhore  e mos të ju ngjani  arkitektëve kosovar që këto 20 vite ishin servil ndaj politikbërësve dhe grupeve të ndryshme të interesit.

Pas luftës me problematiken urbane te kryeqytetit është marre edhe një arkitekt tjetër, i cili pasi i realizoj interesat e veta personale ne fund te mandatit te tij katër vjeçar dha dorëheqje nga pozita e drejtorit te urbanizmit, duke e trasuar rrugën e ndërtimeve pa leje dhe pa kritere profesionale urbanistike ku u lejuan te ndërtojnë të gjithë pa asnjë pengese deri me sot, me disa përjashtime te vogla.

Sot kemi arritur në një pike tejet kritike ku jeta ne kryeqytet është bëre e pa durueshme dhe kemi arritur buze të një vdekje te pritur urbane, prandaj intervenimet janë te domosdoshme qe sado pak te normalizohet gjendja ne kryeqytet.
    
Euforia e zgjedhjeve kaloj tashme prandaj uroj qe ju me seriozitet dhe profesionalizëm te larte te filloni te trajtoni ketë problematike jetike, e jo të bëni vetëm ndryshime kozmetike si ka ndodhur deri me sot.

E di qe kjo është një pune voluminoze dhe shume e vështire por ju e keni treguar vullnetin e mire gjate kampanjës zgjedhore,  për te cilin ju përgëzoj dhe tani e keni rastin ideal për të vepruar ne ketë drejtim,  për te mirën e te gjithë qytetareve te Prishtinës. Vetëm koha do të tregoj rezultatin e punës tuaj.

/Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës/








 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)