Prishtina dhe Potemkini i Rusisë
Shkruar nga Gurakuç Kuçi
Kryeqyteti i Republikës së Kosovës, Prishtina, çdo ditë e më shumë vazhdon të bëhet qytet si lagjet e shkatërruara të Afganistanit që i përshkruan Khaled Hosseini në librin “Gjuetari i Balonave”.
Mirëpo, Prishtina është edhe më keq se kamuflazhi i Rusisë cariste i quajtur “Potemkin”.
‘Fshati Potemkin’, vjen nga tregimet e ndërtuara nga dashnori i Perandoreshës Katerina II, Grigory Potemkin për t’i bërë perandoreshës përshtypje gjatë udhëtimit të saj në Krime me 1787.
Historianë modernë thonë se historia e vërtetë e këtij fshati se Potemkin ngriti vendbanime të rreme të lëvizshme përgjatë brigjeve të lumit Dnjeper, për ti bërë përshtypje Perandoreshës ruse dhe ato struktura do të shkatërroheshin pasi të kalonte perandoresha, dhe në mënyrë të njëjtë do të përdoreshin sa herë të ishte nevoja.
Sot ‘Fshati Potemkin’ në politikë dhe ekonomi përdoret si një term literal ose figurativ si ndërtim për të mashtruar të tjerët duke paraqitur një situatë më mirë seç është në realitet.
Ndërtime të tilla edhe më të këqija sot po na paraqiten mu në qendrën e Kosovës, në kryeqytetin e saj, Prishtina, dhe atë duke dashur të ndërtohen varrezë arkitekturore në Qendër të Prishtinës në oborrin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, si ajo “Qendra Protokollare e Kuvendit të Kosovës” në Gërmi.
Para rreth 14 viteve, kur kryetar i Kuvendit të Kosovës ishte Nexhat Daci, në Gërmi në Prishtinë, filloi të ndërtohet “Qendra Protokollare e Kuvendit të Kosovës”, ku në këtë objekt që u bënë vetëm disa ndërtime të vrazhda u shpenzuan gati dy milionë euro (1,789,179.90 €).
Përkundër këtyre shpenzimeve të larta që nga atëherë ky objekt nuk është përfunduar dhe as që është thirrur kush madje në përgjegjësi. Edhe një buxhet prej 80 mijë euro në vitin 2014 ishin ndarë, por që ato ishin shkurtuar prapë me një vendim nga Qeveria.
Sot ky objekt që ka vetëm disa mure, është kthyer ne një vend ku rrinë persona që marrin drogë, persona që merren me krim, hapësirë që ushtrohet për çështje edhe të prostitucionit dhe për mbeturina. Madje është bërë një hapësirë shumë e rrezikshme për qytetarët.
Pra, kjo hapësirë u bë një varrezë arkitekturore mu në vendin ku qytetarët duhet të relaksohen dhe ku gjenden mushkëritë për ajër të pastër të Prishtinës.
Një objekt pothuajse i njëjtë gati sa nuk ndodhi edhe midis Prishtinës, në oborrin e Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.
Prishtina është qyteti që për shkak të mos-vullnetit për rregullimin e trafikut rrugor, infrastrukturës rrugore dhe parkingjeve, përballet me problemin e ndotjes së ajrit, bllokimit të trafikut me kolona super të gjata dhe hapësira të bllokuara nga veturat për shkak të mungesës së parkingjeve.
Këto probleme janë të ndërlidhura por plot njerëz duan ndaras të fitojnë e zhvatin dhe asgjë të mos zgjidhin.
Mirëpo, me premtimin për rregullimin e problemit me parkingje, dy herë e fitoi mandatin për kryetarë të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, projekt ky që në fund dështoi, e sa e si kishin premtuar edhe paraardhësit e këtij të fundit.
Projekti për ndërtimin e një parkingu me hapësirë prej 13990 m2, ku 500 m2 do të ishin të dedikuara për lokale afariste dhe qe do të ishte një ndërtim me partneritet publiko-privat në vlerë prej 12 milionë euro, dështoi pasi duke u munduar që të bëjë fitues me zor kompani të cilat nuk mund të kualifikoheshin.
Një kompani e huaj pasi u diskualifikua u ankua në Organin Shqyrtues të Prokurorimit dhe në fund ky organi e anuloi tenderin. Kur kompania me kapital të huaj u diskualifikua, atëherë edhe dy kompani të tjera u tërhoqën për të mbetur vetëm një kompani.
Ky projekt sigurisht që do lihej të fillonte punën në fund të mandatit të dytë, edhe pse premtimi ishte të fillonte së fundmi në javën e dytë të muajit mars, por do gjendeshin arsye të shtyhej fillimi i punimeve, që të fitohej edhe një mandat i tretë me të.
Por që do të krijohej edhe një vrimë e zezë në qendër të Prishtinës dhe duke mbetur e papërfunduar si objekti në Gërmi.
Vetëm ideja për ta ndërtuar një objekt të tillë në qendër të Prishtinës, në oborrin e Universitetit, para hyrjes në sheshet e Prishtinës dhe aty afër katedrales është banale.
Madje me të nuk do zgjidhej fare asgjë, vetëm se do bëhej edhe më shumë kaos në qendër të Prishtinës, sepse ata që vijnë me vetura nga jashtë qytetit do ta mësynin tani të gjithë me patjetër Qendrën dhe në anën tjetër për banorët tek qendra dhe lagjet përreth nuk do zgjidhej fare asgjë, pra kolonat dhe kaosi do të rritej nëse ky projekt do përfundohej ndonjëherë.
Mirë që ky projekt dështoi dhe shpresoj nuk do ri-përsëritet, por lind pyetja a nuk ka alternativa kreative për parkingje, rregullim të infrastrukturës rrugore e me të edhe atë të ajrit?
Sigurisht që ka, me dhjetëra, mirëpo askush nuk dëshiron zgjidhje por vetëm investime milionëshe, sepse vetëm ashtu mund të zhvaten para e me miliona kinse ‘investime’ të mashtrohen qytetarët. Nuk janë milionat ato që gjithmonë ofrojnë zgjidhje, por janë idetë.
Pra, ideja e mirë kushton më shumë se investimi i gabuar, por për gjëra të tilla nuk është i hapur askush as në Prishtinë e as në Kosovë.
Andaj, me këtë qasje jo vetëm nga komuna e Prishtinës, ku mbyllen ndaj ideve kreative dhe lejimit të punës do-okrate, por edhe institucione dhe komuna të tjera në Kosovë, nuk do kenë zgjidhje asnjëherë për asgjë dhe shumë shpejt mund ta shpallim Kosovën ‘Republika e Kaosit’ dhe mendje-ngushtësisë.
Zgjidhje ka gjithmonë, por jo edhe njerëz të cilët i duan zgjidhjet.