Prishtina dhe planerët nga Holanda
Shkurar nga arch. Ylber Vokshi -Ylli
Isha në Debatin në Turne i cili u organizua nga Komuna e Prishtinës me 25 shkurt në sallën e re të Kuvendit Komunal,së bashku me Institutin e Arkitekturës të Holandës (NAI) dhe Archis Interventions,si pjesë e serisë së Debateve në Turne të NAIt nëpër tërë globin me ndihmën e Fondi Kulturor të Holandës i përkrahur nga Ministria e kulturës dhe e punëve të jashtme të Holandës.
U prezantuan,u shpjeguan, eksperiencat e Holandës në fushën e urbanizmit dhe arkitekturës në territorin e saj,pjesëmarrja e banorëve në procesin e planifikimit urban,dhe shumë çështje tjera të ndërlidhura me jetën urbane, të cilat ishin atje të degraduara. Ata gjatë historisë patën fuqi institucionale të hulumtojnë format e reja të pranueshme për atë shoqëri për të përballuar elementin e TJETËRSIMIT i cili si mortaja po i kërcënohet shoqërisë së zhvilluar perëndimore. Është e ditur ekzistenca e institucioneve të specializuara që gjithnjë përcjellin dhe hulumtojnë format e duhura për tërë banorët e tyre,përkundër krizës ekonomike globale që ma së shumti ka goditur shoqëritë e zhvilluara ekonomikisht. Ata po kanë së paku fuqi morale e pastaj institucionale me u ballafaqua me këto probleme urbane të cilat i imponon jeta e përditshme.
Shumë interesant ishte niveli i pyetjeve dhe debatit në vazhdim parashtruar pjesëmarrëseve në panel,ku ishin prezent edhe përfaqësuesit e rrjetit të studentëve Archiedu si diçka e re në raportet urbane,të cilat gjithnjë janë neglizhuar nga të gjithë ne si pjesëmarrës në proceset hapësinore dhe urbane. Ishte kjo një befasi e këndshme,që më impresionoi mua dhe shumicën e pjesëmarrësve në debat. Pjesëmarrja e arkitektëve dhe urbanistëve të ardhshëm premton se zëri i profesionistëve të vërtetë duhet të respektohet në të ardhshmen në këto hapësira.
Kishte ma shumë reklama personale dhe ankesa që tregonin niveli dhe pozitën e arkitektëve dhe urbanistëve që veprojnë në Prishtinë,se sa pyetje konstruktive për trajtimin e problemeve dhe devijimeve të mëdha urbane në qytetin e Prishtinës. Kualiteti i jetës urbane me veprimet tona që moti kanë filluar të jenë të pa durueshme për qytetarët e saj. Ishte ky debat pa ide të reja që nuk solli asgjë konstruktive edhe se kishte disa pyetje provokative për panelistët holandez dhe shqiptar. Nuk kanë mundësi ata (holandezët) të zgjidhin problemet e shumta urbane me të cilat po ballafaqohet Prishtina posaçërisht në dhjetë vjetshin e fundit të cilat i kemi bërë vet ne pa u interesuar për pasojat e tyre të rënda në të ardhmen.
Kisha vetëm dy pyetje për anëtarin e panelit nga Gjermania,z. Kai Vöckler (Archis Interventions) lidhur me problemet urbane në Komunën e Prishtinës të cilat arrita të ia parashtroi.
* Si do të ndikojnë ndërtimet e ndryshme me leje e pa leje në dhjetë vjetshin e fundit në IDENTITETIN URBAN të Prishtinës të lënduar seriozisht.
* Si mundet të zhvillohet një vendbanim që pretendon të jetë kryeqyteti i shtetit pa pasur dokumentet hapësinore si (PZhK dhe PZhU),të punuara shumë vite më parë kur Prishtina kishte shumë ma pak banorë se sot,edhe se deklarativishtë disa herë zyrtarët e lartë komunal janë deklaruar se si obligim ligjor ato duhet punuar,kjo u premtua edhe në këtë debat nga ana e z. A. Hoti, nënkryetari i Komunës së Prishtinës.
Natyrisht këto ishin pyetje komplekse dhe vështirë ishte për tu përgjigjur ad hock ,parashtruesi i pyetjeve nuk morri përgjigje me arsyetim se nuk kishte kohë të mjaftueshme dhe se ato do të diskutohen në një rreth të caktuar të profesionistëve. Tendenca ime ishte që të dëgjonte i tërë auditori prezent në debat përgjigjet e z. Kai Vöckler si hulumtues urban me eksperiencë. Ai ishte aktiv me problemet urbane të Prishtinës së pas luftës,nga viti 2005,për këtë ka botuar edhe disa hulumtime dhe një libër lidhur me trajtimin e ndërtimeve pa leje me titull Prishtina është gjithkund. Turbo Urbanizmi: Pasojat e një Krize.
Po-ashtu ishte interesantë observimi i Drejtoreshës të sapo emëruar të Drejtorisë për Planifikim, Urbanizëm dhe Ndërtim,arkitektes së nderuar z.Luljeta Çeku-Sokoli e cila me disa ndërhyrje konstruktive kërkoi angazhimin konkret të profesionistëve në fushën e urbanizmit e jo vetëm reklamimin e vetë vetes si kanë vepruar arkitektët në vitet e pas luftës,pasi kur kërkohej konkretizimi i ideve nuk kishte rezultate. Edhe problematiken e pronësisë mirë e ilustroi me të kuptuarit e gabuar të shprehjes prona është e shenjët e cila është keqpërdorur shumë në fushën e urbanizmit në Prishtinë duke harruar interesin e përbashkët të kryeqytetit dhe hapësirave të tij.
Nga shumë çështje konstruktive që prezantuan ekspertët Holandez ishte interesant potencimi i theksuar i z. Ole Bouman, drejtor i NAI-t,i arsyeshmerisë ekonomike (fisibilitetit ) të një projekti urban,praktikë kjo normale në shtetet e perëndimit e cila gati kurrë nuk është praktikuar dhe zbatuar në Kosove. Kjo eksperiencë perëndimore me kryerjen e studimit të fizibilitetit të një zone urbane me qëllim ndërtimi, para se të jepet leja e ndërtimit është treguar produktive dhe preferohet të jetë pjesë obliguese në fushën e urbanizimit të qyteteve tona. Kjo nënkupton se duhet të kontrollohet shfrytëzimi racional i tokës, qoftë publike apo private,nëse nuk dëshirojmë të kemi këtë gjendje të mjerueshme në fushën e urbanizmit dhe arkitekturës në Prishtinë.
Kishte edhe vetë kritika përse arkitektë nuk janë të organizuar ma mirë,përse po nënçmohen,nëpërkëmbën nga ana e atyre që iu intereson vetëm profiti e asgjë tjetër. Si është e mundur të ndodhin këto gjëra kur në Prishtinë kemi një armatë të tërë profesionistësh të rinj të etshëm për të dhënë kontributin e tyre të fituara në vend dhe në universitetet e ndryshme në tërë botën,në fushën e planifikimit hapësinor,urbanizmit dhe arkitekturës.
Ku jemi ne si shoqëri në Kosovë,a veprojnë institucione shtetërore që duhet të përcjellin zhvillimet hapësinore dhe urbane,si funksionojnë ato,si trajtohen problemet e shumta që janë duke i shkatërruar të gjitha vendbanimet tona me theks të veçantë Prishtinën që pretendon të jetë kryeqyteti i shtetit të Kosovës.
Përse ne ende po vuajmë nga sindroma e nënshtrimit,servilizmit patologjik ndaj të tjerëve edhe njëmbëdhjetë vite pas largimit të regjimit të kaluar serb. Ka edhe shumë pyetje që së pari duhet parashtruar vetvetes e pastaj të tjerëve. A thua ku i ka rrënjët kjo mos bërja ynë në fushën e urbanistikës kur ne dhe gjeneratat e ardhme do të pasojmë ma së shumti,kjo është e pa kuptueshme dhe jashtë çdo logjike të shëndoshë konstruktive.