22 Dhjetor 2024

Prishja e ekuilibrave politik në Kosovë

Shkruar nga Gazmend Morina 

Hyrja e Lëvizjes “Vetëvendosje!” në garën zgjedhore në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në vjeshtën e vitit të ardhshëm, do t’i përmbys të gjithë  ekuilibrat e partive politike në Kosovë që synojnë ta marrin pushtetin. Pasi që “Vetëvendosje!” sigurisht se do të fitoj ulëse në Parlamentin e Kosovës. E atëherë me automatizëm partive kryesore tjera do t’u zvogëlohej numri i deputetëve.

 

Kjo do të kishte për pasojë pamundësinë e krijimit të koalicionit mes partive që tashmë janë në pushtet. Por “ujqit e vjetër” (PDK-LDK) do të bëjnë çmos që t’i ofrojnë edhe partitë tjera afër “kulaçit” të pushtetit. Tek atëherë do të shohim se, disa parti që pas zhvillimeve të fundit, po thonë shumë fjalë të këqija për koalicionin PDK-LDK, do t’i hyjnë “valles”. Për shkak se e kanë dëshmuar se nuk kanë parime dhe pikë! Por mos të shohim as ëndërr që LDK do të dal nga koalicioni qeverisës para kohe. Nuk ka shanse. Sepse nuk janë mësuar të mos qëndrojnë në pushtet, e kanë fobi të qëndruarit në opozitë. 

AAK edhe mandatin e ardhshëm në opozitë? 

Kjo situatë më së paku do t’i shkon përshtati AAK-së, që me futjen e “Vetëvendosjes!” në Parlament, do të mbes gjithsesi edhe për katër vjet në opozitë. Ama opozitë e mirëfilltë, në të mirë të vendit siç do të thoshte lideri i saj Ramush Haradinaj! Për arsye se nëse mbetet t’iu besohet fjalëve të tyre, në kurrfarë rrethane nuk do të hyjnë në koalicion me PDK-në. E nëse  kjo del të jetë e vërtetë, të paktën edhe për disa vite, atëherë s’ka teori që ia mundëson t’i mbledh 61 “kokrra” në Parlament edhe nëse bëhet bashkë me “dashnoren e vjetër” (LDK-në), LDD-në (nëse e kalon pragun zgjedhor), AKR-në e edhe me jaranët e disa partive minoritare. Pra, do të jenë opozitë e fuqishme, duke synuar që të “flirtoj” me Lëvizjen “Vetëvendosje!”. Edhe pse personalisht mendoj se s’do të kenë gjasa. I dallon pothuajse gjithçka. 

“Vetëvendosje” opozitë tjetërqysh!

Më të hyrë në Parlament kam bindje të fortë se “Vetëvendosje!” me në krye liderin e saj Albin Kurti, do ta ndryshojnë krejt rrjedhën e zhvillimeve brenda Parlamentit të Kosovës. Të paktën do të ketë debat më serioz dhe më frytdhënës, sepse qeveritarët nuk do të mund t’u thonë se Ju keni qeverisur edhe më keq se Ne! Për shkak se derisa më sot  kemi zgjidhur brenda llojit politikan për të na përfaqësuar.

“Vetëvendosje”, në bazë të parashikimeve ka gjasa të arrij numër dyshifror të deputetëve. Ku do të kishte një ndikim shumë të madh në rrjedhat politike që do të zhvillohen në Kosovë. Duke qenë në opozitë me AAK e ndoshta edhe ndonjë subjekt tjetër, prapë se prapë nuk do të ketë opozitë që  “kërcënon” me marrje të pushtetit, sepse do të dallojmë shumë në objektiva, që njëra do të ketë ardhjen në pushtet e tjetra anulimin e “Pakos së Ahtisarit”.

PDK prapë në qeverisje?

Partia e cila e udhëheq sot qeverinë, sipas të gjithave gjasave do të jetë në  pushtet edhe për një mandat të ardhshëm, qoftë si partia e parë apo edhe e dytë. Për shkak se nuk ka se si të formohet një koalicion tjetër pa të. Por gjithsesi se do të ketë nevojë edhe për aleat tjerë, sepse vetëm me LDK, siç po shihet, pas zhvillimeve të fundit (hyrjes së Lëvizjes “Vetëvendosje!” në garën për zgjedhjet e ardhshme parlamente dhe hetimeve që i ka filluar EULEX), nuk do të mund të qeverisë. Shkurt, sepse nuk do t’i ketë numrat në parlament. Mirëpo PDK sigurisht se do ta përdorë xhokerin e saj,  AKR-në që e mbanë si atu për nevoja për veçanta. Këtu nuk duhet harruar se edhe LDD me pak naze s’do t’i thotë jo pushtetit.

LDK kah të fryn era!

Si parti e cila është mësuar të qëndroj gjithmonë në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës, s’do ta ketë kurrfarë problemi të “flirtoj” edhe për një mandat me PDK-në.

Madje mos të çuditemi shumë që sa afrohen më shumë zgjedhjet, aq më shumë do të shtohen zërat brenda saj, për “divorc” me PDK-në. E gjithë kjo për shkak të politikës së tyre, që ta mobilizojnë elektoratin e tyre për dalje sa më masive në zgjedhjet e ardhshme. Por do të ketë edhe  zëra kundërvënës, e të cilët siç u dëshmua me Lutfi Hazirin dhe Bujar Bukoshin, do të bëjnë çmos që të zënë ndonjë post në qeveri. Pra, jo për ta konsoliduar shtetin, por për t’i hipur pushtetit! 

Edhe AKR në qeverinë e ardhshme?

Edhe pse lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, për rrinë në njërën këmbë që ta “zaptoj” postin e presidentin, këtë do ta ketë thuajse të pamundur, duke pasur parasysh që LDK prej zgjedhjeve të vitit 2007 nuk po ka rënie të theksuar. Në këtë situatë posti i ardhshëm i presidentit, ka shumë mundësi që t’i përtërihet edhe për një mandat Fatmir Sejdiut, nëse Hashim Thaqi arrin ta ruan postin e kryeministrit. Mirëpo sigurisht AKR do ta merr ndonjë ministri, dhe sadopak t’i akomodoj disa zyrtar të saj, që siç po shihet dita ditës po e humbasin durimin e të qëndruarit në opozitë. 

LDD rrezik të merr në thua!

Nëse mbështetemi në rezultatet  e zgjedhjeve komunale të vitit të kaluar, LDD duhet t’i konsolidoj radhët e veta se përndryshe do të merr në thua në prag zgjedhor, e që do të ishte goditje fatale për të ardhmen e këtij subjekti politik. Nexhat Daci si shkencëtar dhe politikan i “pagabueshëm” që është, tash duhet që të merret shumë më seriozisht me subjektin e vetë se sa me qeverisjes aktuale, se përndryshe do t’i ketë punët shumë keq, pas “dezertimeve” në Ferizaj e gjetiu.

P.S.: Më arrestimin e sotëm të liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje!”, veç sa ka filluar  shfaqja e nervozizmit të partive në pushtet, e hiq më pak e disave në opozitë!

(Autori është Enigmat dhe vazhdon studimet Master në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës - Drejtimi Juridiko-Financiar)
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)