27 Dhjetor 2024

Premtimet e rreme të Thaçit

Shkruar nga Faik Krasniqi

Thaçi hyri në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2007 me premtime të mëdha, dhe përmes atyre premtimeve edhe i fitoi zgjedhjet në atë kohë. Po filloi me disa gjëra të tjeshta. Hyri me qëndrim të zvogëlimit të veturave dhe përdorimit të telefonave zyrtarë.

Por a e bëri këtë? Vetëm ndezja e mbi 1000 veturave zyrtare, nga institucionet qendrore, një herë në ditë, kushton shumë. Po lëvizja e tyre jo vetëm gjatë orarit të punës, por 24 orë? Kjo shkakton shpenzime marramendëse për buxhetin e varfër të vendit. E njëjta gjë vlen edhe për telefonat zyrtarë.

Po lufta ndaj korrupsionit?!!! Sa është luftuar korrupsioni gjatë qeverisjes së Thaçit? Mund të thuhet lirisht se nuk është luftuar fare, por korrupsioni vetëm sa është shumëfishuar.

Pse po vazhdon shitja e pasurisë shtetërore pa kritere dhe pa analiza të mirëfillta? E kam fjalën për disa pasuri që janë vitale, fitimprurëse dhe mund të them të domosdoshme që të ngelin prona shtetërore.

Në çfarë gjendje janë institucionet shëndetësore dhe ato të arsimit? Në gjendje të mjeruar. Është e vërtetë se fëmijët marrin librat falas dhe kjo është për t\'u lavdëruar. Gjesti është për t\'u lavdëruar, jo përmbajtja e librave! Jo vetëm ndërtimi i shkollave e ngrejnë nivelin e arsimit në vend.

Duhen edhe reforma të mirëfillta në sistemin e arsimit, trajnim i mësimdhënësve dhe pasurimi i shkollave me materiale të domosdoshme si kabinete të lëndëve dhe atyre teknologjike (dhoma kompjuteri). Për shërbimet shëndetësore, nuk e di ku t’ia vë gishtin problemit, por natyrisht duhet menduar në tërësi për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Tani mund të përmendim edhe disa gjëra të tjera: Dështimi i qeverisë për të vënë reciprocitet të plotë me Serbinë. Plani i dështuar i qeverisë për të vënë rendin dhe ligjin në Veriun e Kosovës, ku akoma në atë pjesë të Kosovës rrugët vazhdojnë të mbesin të barrikaduara nga kriminelët serbë etj, etj.

Këto janë gabime, të cilat do të na lënë pasoja për shumë kohë në të ardhmen. Nuk ka fuqi në botë që mund ta ndalë vullnetin e popullit! Pse nuk e shfrytëzon këtë politika shqiptare në Kosovë?

Ndërkombëtarët nuk mund të vendosin kufinj, flamuj, korniza kushtetuese, decentralizime po qe se nuk i pranon populli. Kush e pyeti popullin e Kosovës? Aftësia për manipulime është trashëguar që nga koha e komunizmit nga politikanët në Kosovë. Edhe Thaçi nën të njëjtat kondita po vepron për fat të keq. Populli nuk po pyetet: Kjo është e pafalshme!

Populli nuk u pyet për flamur, hymn e as kushtetutë. Nuk u pyet as për decentralizim. Populli nuk u pyet as për negociatat me Serbinë dhe as për marrëveshjet që u bënë mes Thaçit dhe Daçiqit. Këto gjëra, në shtetet demokratike bëhen me referendume.

Ku është referendumi në Kosovë? A thua ekziston ky term në kokat e politikanëve tanë? Të gjitha këto punë që po ndodhin në Kosovë, siç i përmenda më lart, si kushtetuta, flamuri, hymni, decentralizimi, korrupsioni, keqmenaxhimi, shkatërrimi i pasurisë shtetërore, fusnota, rezoluta 1244, heqja e emërtimit Republikë në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës dhe shumë të këqija të tjera, nuk duhej të ndodhnin gjatë qeverisjes së Thaçit.

Ku mbetën premtimet e Thaçit pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, se brenda 2008-së do ta njohin si shtet të pavarur 100 shtete, dhe brenda një viti do të anëtarësohemi në OKB? Ku janë premtimet e Thaçit gjatë fushatës parazgjedhore të 2010, se Kosova do ta fitojë liberalizimin e vizave brenda 6 muajve?

Ku janë premtimet e Thaçit për mijëra vende të punës? Ku janë premtimet e Thaçit për zero korrupsion dhe luftë kundër krimit të organizuar?Ju lutem, të jemi realistë! Shikoni se çfarë diplomacie ka Kosova, si Hasa me Hysën.

Hasa (Hashim Thaçi) ta kujton këngën \"Edhe i bukur, edhe tradhtar\". Për Hysën (Enver Hoxhaj), dikush më pat dhënë një përkufizim të mirë: \"Ai që e ka pjell dhia\".

Natyrisht se bashkësia ndërkombëtare luan me \'\'Hasën dhe Hysën\'\' si të dojë. Ku kanë këta njerëz kapacitete diplomatike në krahasim me diplomatë evropianë e amerikanë, madje as me diplomatë rajonalë. A nuk ua kujton kohën e Konicës ky staf diplomatik? Jemi bërë sikur \'\'Zullulandi\'\'!

(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i \'\'Nismës për Kosovën\'\')

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)