Portreti i diktatorit të pamëshirshëm
Shkruar nga Alon Ben-Meir
Turqia është një vend me potenciale të panumërta, me burime të mëdha njerëzore dhe natyrore, dhe pasuri kulturore që mund ta rivalizojnë çdo vend të zhvilluar në pothuajse çdo segment të jetës.
Por Presidenti i Turqisë, Erdogani, i ka shpërdorur të gjitha këto duke i vënë interesin e vet dhe ambicien e verbër para shtetit.
Trashëgimia e tij do të jetë e atij që e humbi rrugën dhe la një vend të copëtuar në vazhdën e tij. Nëse e shqyrton trashëgiminë e vet, ai nuk do të gjejë asgjë tjetër përveç një qytetarie të traumatizuar, dënim ndërkombëtar dhe turp.
Ka kryer shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, i ka tradhtuar miqtë dhe aleatët e Turqisë, e ka njollosur Islamin për të promovuar agjendën e tij të lig, është angazhuar në aventura të kushtueshme të huaja, ka shpenzuar pasuri të madhe për ta blerë ndikimin në vende të huaja, i ka bërë miq kundërshtarët e NATO-s dhe kurrë nuk e ngopi urinë e tij të vazhdueshme për fuqi.
Kryerja e shkeljeve të mëdha të të drejtave të njeriut
Është vështirë ta ekzagjerosh oreksin e Erdoganit për të kryer shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut. Ai e përdori përpjekjen, e cila dështoi, për grusht shtet (puç) për t’i sulmuar armiqtë e tij politikë.
Ka hetuar 600,000 njerëz, prej të cilëve shumë mijëra ende po vuajnë nëpër burgje, pa u akuzuar, i ka burgosur rreth 100,000 qytetarë të pafajshëm me akuza të rrema, kurse 150,000 njerëz i pushoi nga puna, duke i akuzuar rrejshëm për lidhje me lëvizjen Gylen (Gülen).
Erdogani largoi 4,000 gjyqtarë dhe prokurorë dhe i zëvendësoi ata me shërbëtor që do t’i përmbushnin urdhrat e tij.
Persekutoi shumë akademikë, duke i akuzuar gabimisht për përhapjen e propagandës militante. I burgosi 150 gazetarë sepse thjeshtë e raportonin të vërtetën, i ka diskriminuar pakicat, i mban nën kontroll mediat sociale dhe e përdori virusin Korona si justifikim për nxjerrjen e rregullave drakoniane për ta mbytur opozitën.
Zhdukja e armiqve të dalluar vendor
Erdogani e polarizoi vendin në mes të opozitës liberale PPR (Partia Popullore Republikane) dhe të konservatorëve islamik PDZH (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim) duke përjashtuar komunat e drejtuara nga PPR-ja në adresimin e shpërthimit të virusit Korona. E ndaloi shpërndarjen e bukës edhe për të varfërit duke pasur frikë se kryetarët e opozitës do të fitonin popullaritet më të madh se qeveria e tij.
Erdogani e sheh komunitetin kurd (rreth 15 përqind të popullatës) si kërcënim politik, duke besuar se ata po kërkojnë autonomi dhe duke u përpjekur t’i shtypë ata në mënyrë të ligë. Në vend të gjetjes së zgjidhjes së konfliktit pesëdhjetëvjeçar me PPK (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit) , ai papritmas i braktisi negociatat në vitin 2015, gjë që vetëm e intensifikoi dhunën. U zotua ta vriste luftëtarin e fundit të mbetur të PPK-së, duke harruar se ata u ngritën dekada përpara se ai të vinte në pushtet dhe do ta tejkalojnë atë për dekada të tëra pasi të largohet nga detyra.
Tradhtia e aleancës me NATO
Duket se Erdogani po mendon se ai është anëtarë i domosdoshëm i NATO-s sepse e ka ushtrinë e dytë më të madhe, duke mos arritur të kuptojnë se forca e NATO-s, në të vërtetë, qëndron në kohezionin dhe unitetin e qëllimit. Ai shkeli njërin nga parimet qendrore të NATO-s – â¹mbështetjen e tij mbi parimet e demokracisë, lirisë individuale dhe sundimit të ligjit”, të cilat ai i shkatërroi në mënyrë të pacipë në vendin e tij.
Ai kompromentoi teknologjinë e mbrojtjes ajrore të aleancës duke e blerë sistemin e raketave S-400 nga Rusia dhe refuzoi ta mbështesë planin e mbrojtjes për Poloni dhe Balltik, përveç nëse NATO-ja siguron mbështetje politike për luftën e Turqisë kundër Njësive të Mbrojtjes Kombëtare (NjMK) . Kërcënon të lëshojë miliona refugjatë sirianë nga Turqia, përveç nëse BE-ja ia paguan një lloj â¹shpërblese”. Dhe mu ne fund, ai punon ngushtë me Iranin dhe e ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim fetar në dhjetor të vitit 2019, dhe vazhdon ta rrisë tregtinë, duke i kundërshtuar sanksionet amerikane.
Angazhimet në aventura të kushtueshme të huaja
Të qenit i mbyllur ekonomikisht duket se nuk ndikon në aventurat e huaja të Erdoganit. Që nga janari ai ka pozicionuar më shumë se 3,000 rebelë sirianë në Libi. E pushtoi Sirinë në luftën e tij të pafund kundër kurdëve sirianë, për t’i parandaluar ata që ta vendosin sundimin autonom, dhe përmes bastisjes së tij, e materializoi ëndrrën e tij të gjatë për të vendosur rrënjë të përhershme në vend.
Themeloi një bazë ushtarake në Katar me 5,000 trupa turk, të cilën e quan â¹simbol i vëllazërimit”. E mori me qira një ishull në Detin e Kuq nga Sudani, gjoja për turizëm, ndërsa në të vërtetë ishulli shërben për ndërtimin e instalimeve ushtarake afër Arabisë Sauditë, të cilën e konsideron rival të patundur fetar për udhëheqjen e komunitetit global të sunitëve.
Blerja e ndikimit në vende të huaja
Investimet e Turqisë, ndihma financiare dhe tregtia e zgjeruar me shtetet e Ballkanit, janë të dizajnuara për ta rritur ndikimin e Erdoganit. Kompanitë turke të ndërtimit po ndërtojnë dhe operojnë me 20 termocentrale në Serbi. Kompania e parë ajrore kombëtare e Shqipërisë u themelua si një ndërmarrje e përbashkët me Turkish Airlines. Rreth 500 kompani turke operojnë në Kosovë në vlerë totale prej rreth 340 milionë eurosh.
Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka rinovuar qindra site historike në Kosovë, ndërsa po e ndërtonte Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë. Erdogani i ka premtuar Bosnjës se Turqia do të investojë 3 miliardë euro për ta ndërtuar autostradën Sarajevë- Beograd, kurse u bën thirrje kompanive turke t’i zgjerojnë investimet e tyre në Ballkan për t’i bërë ato të varur gjithnjë e më shumë nga Turqia.
Islami i shtrembëruar për ta promovuar agjendën e tij të ligë
Erdogani me mjeshtëri po e përdor fenë si një mjet për të çuar përpara agjendën e tij të ligë islamike. Ai thërret emrin e Zotit për të shenjtëruar çdo program që ai zgjedh për të promovuar, dhe investon shumë në ndërtimin e xhamive dhe institucioneve fetare në tërë Ballkanin. Ka financuar ndërtimin e një numri të xhamive, përfshirë Xhaminë e Madhe në Tiranë me një kosto prej 30 milionë dollarë – xhamia më e madhe në Ballkan. “Dhurata” e Erdoganit për Kosovën ishte ndërtimi i një Xhamie të Madhe, të stilit otoman, në qendër të Prishtinës. Ndërkohë, ai i stërvit dhe i shpërndan imamët që e lartësojnë atë në bisedat e tyre për â¹udhëheqjen e tij qiellore” dhe mban marrëdhënie të ngushta me partitë fetare për ta forcuar ndikimin e tij.
Ai pa turp e përdorë â¹devotshmërinë” e tij të pretenduar si një mysliman i devotshëm i udhëhequr nga virtytet islamike dhe i përkushtuar për mirëqenien e bashkatdhetarëve të tij. Në realitet, Erdogani është i korruptuar deri në thelb, i paepur në frikësimin dhe kërcënimet e tij kundër rivalëve të tij politikë, dhe është nxitur për të ringjallur elementet e Perandorisë Osmane duke ndjekur pamëshirshëm ambicien e tij për ta bërë Turqinë hegjemon të rajonit.
Si përfundim, KB-ja dhe çdo organizatë e të drejtave të njeriut duhet ta ndezin alarmin për shkeljet skandaloze që i ka kryer Erdogani ndaj të drejtave të njeriut, të kërkojnë përgjegjësi dhe ta paralajmërojnë atë se do të pësojë pasoja të rënda, përfshirë sanksione, nëse nuk u jep fund abuzimeve të tij groteske të të drejtave të njeriut.
Demokracitë perëndimore duhet të insistojnë që Erdogani t’i rifillojë negociatat me PPK-në dhe t’i japë fund konfliktit të përgjakshëm pesëdhjetëvjeçar, dhe t’u lejojë kurdëve në Turqi ta gëzojnë kulturën e tyre me liri dhe barazi; përndryshe do ta deklasifikojnë PPK-në si një organizatë terroriste.
NATO-ja duhet ta paralajmërojë Erdoganin se shkelja e tij e Kartës dhe bashkëpunimi i tij me Rusinë, e cila është e prirë ta minojë NATO-n, është e papranueshme. Përndryshe, aleanca do të distancohet nga Turqia, do t’i japë fund ndarjes së inteligjencës dhe ushtrimeve ushtarake, dhe do ta marrë parasysh përjashtimin e Turqisë nga NATO-ja.
Vendet ku Turqia ka një prani ushtarake, përfshirë Sirinë, Libinë, Sudanin dhe Katarin, duhet të jenë të vetëdijshme se qëllimi kryesor i Erdoganit është të krijojë rrënjë të përhershme dhe të ushtrojë ndikim të tepruar si pjesë e aspiratave të tij hegjemoniale.
Vendet që janë të hapura për investime turke dhe zhvillime ekonomike, siç janë shtetet e Ballkanit, duhet të dinë se investimet e Erdoganit nuk janë gjë tjetër veçse një mjet me të cilin ai mund t’i manipulojë këto vende për të rënë në orbitën turke.
Imamët dhe udhëheqësit e tjerë të institucioneve islamike duhet t’i vendosnin frenat ndërhyrjes së Erdoganit në punët e tyre. Shtetet e Ballkanit në veçanti, kur uverturët fetare të Erdoganit shfaqen vazhdimisht, duhet të jenë të kujdesshme për manipulimet e frikshme të tij fetare.
Erdogani, natyrisht, tregoi aftësinë dhe vullnetin për të bërë gjithçka që duhej, pa marrë parasysh sa e pamoralshme ishte, ta arrije qëllimin e tij kërcënues.
Erdogani nuk kupton që është i vdekshëm, se sundimit të tij, pashmangshëm, do t’i vijë fundi i pandershëm dhe themelimi i perandorisë së tij imagjinare tashmë është i dënuar të zhduket para agimit.