Porosia e Biden-it do të jetë: Ringjallja e politikës bëhet vetëm në demokraci

Shkruar nga Bahri Bivolaku
Kush nuk do të arsyetoj, është fanatik, kush nuk di të arsyetoj, është budalla dhe kush nuk guxoj të arsyetoj, është skllav i të tjerëve ka thënë një mendimtar.
Në këtë thënie, mendoj që gjen pozicionin e skenën politike të Kosovës. Gjen të tillë që nuk dojnë të arsyetojnë për veprimet politike, gjen që nuk dinë të arsyetojnë dhe të tillë që nuk guxojnë.
Në sy të qytetarëve të vendit mbase pozicioni i tillë ka krijuar mjegull e huti dhe kjo vie si pasojë, ku politikanët nuk zbresin poshtë për të komunikuar me qytetarin me gjuhën e thjeshtë e jo të komplikuar dhe të paqartë.
Në Kosovë, por edhe në shumicën e vendeve demokratike të botës ka kohë që miti, idealja ia kanë dorëzuar armët arsyes, andaj politika e cila kërkon të vërtetën e fundit, pra idealen duke braktisur jetën e përcaktuar dhe detyrimit, karshi univerzalitetit është vështirë të realizohet.
Ngutja apo vrapi për tek idealja në politikë, shpeshëherë prodhon kundërproduktivitet, pasi ajo është rezultat kryesisht i vonesës së vetës sonë, duke mos ecur kur do të duhej të ecim e sot vrapi është i kotë, madje edhe i dëmshëm.
Kriza e arsyes së veprimit politik është prodhim, i cili rezulton nga mungesa e komunikimit e debatimit në mes të atyre që dëshirojnë të vrapojnë në rrugën qorre dhe atyre që dëshirojnë të ecin rrugës së njohur. Këtë rrugë mbase Biden do ta bëjë të njohur gjatë vizitës së sotme.
Serbisë duhet ti rritet doza e ilaçeve e jo favoreve
Një nga anekdotat shqiptare thotë: Një vajzë shkoi të vizitohej tek doktori. Pas vizitës, doktori e pyeti: Sa vjeç je? Ajo iu përgjigj: Jam 22 vjeçe, por ilaçet mi jep për 30....
Në Ballkanin perëndimor, Europa e SHBA-ja ka kohë që për shtetet e Ballkanit po shkruan ilaçe, por si duket nuk e ka gjetur formulën ende se për cilën moshë të jepen.
Serbia ka dhënë dëshmi se me ilaçet e shkruara nuk po ecë rrugës së duhur dhe doza duhet ti rritet për moshë më të madhe.
Ajo nuk mund të shpërblehet me ndonjë veprim të vetëm në politikë siç ishte rasti me heqjen e barikadës mbi lumin Ibër, gjersa partitë tona politike, veçanërisht opozita e dhunshme duhet ikur nga bërja e politikës në këtë mënyrë që të shpëtojmë nga rritja e dozës si masë ndëshkuese.
Koha është që të mbizotërojë arsyeja dhe të eliminohet kriza e krijuar. Mendoj që e tillë gjendje është krijuar me kauza jo të qëndrueshme, në qëndrime të riparueshme, ka vetëm mungesë vullneti dhe kapriço individuale.
Kriza e arsyes së veprimit politik në Kosovë, është prodhim i cili rezulton nga mungesa e debatimit në mes të atyre që dëshirojnë të vrapojnë në rrugën qorre dhe atyre që dëshirojnë të ecin rrugës së njohur, por të sigurtë, nga e cila nuk ka kthim prapa. Ringjallja e politikës bëhet vetëm në demokraci dhe jo në forma tjera.