Popullizmi dhe rruga qorre e politikës
Shkruar nga Bahri Bivolaku dhe Kastriot Berisha
Folklori politik i ngritur nga veprimet populliste politike, shpeshherë i ka bërë dëme proceseve politike për dhe rreth Kosovës.
Disa politikanë dhe disa opinionistë, karshi zhvillimeve më të reja për dhe rreth Kosovës, po kërkojnë revolucion apo përmbysje, për t’i dhënë fund një politike me të cilën po ecën e ka ecur Kosova.
Nuk po flasim për qëndrime apo ndërrim rruge që ka të bëjë me vendosjen e kufirit përcaktues se ku mbaron politika dhe ku fillon kriminaliteti, as të qartësimit për shtet ligjor, arsim e gjyqësi të pandikuar, nuk po flasim apo ngrisim qëndrime politike as për mënyrën se si ta bëjmë vendin më të zhvilluar dhe me më shumë perspektivë, për çka do të përputheshin qëndrimet me shtetet aleate të vendit.
Përmbysja po kërkohet karshi një rruge, të cilën aleatët tanë po e trasojnë si rrugë të vetme dhe të domosdoshme. Nëse për Kosovën rruga politike e trasuar nga qendrat politike si Vjena (bisedimet para statusit), Brukseli (bisedimet pas statusit) dhe Vashingtoni (mbështetja për marrëveshjen finale), qenkan të gabuara, cila pra është rruga tjetër?
T’ia kthejmë shpinën aleatëve tanë dhe të ecim të vetëm, apo të ndjekim rrugën e Lindjes e të Moskës. Për të parën, vështirë të thuhet e të mendohet, sepse nuk mund ta bëjmë një hap pa mbështetje, kurse rruga drejt Lindjes apo Moskës, është rrugë qorre dhe nuk na çon askund.
Dikush nga politika iracionale po kërkon përmbytje të rrugës së politikës perëndimore, diçka që populli ynë nuk e don, pasi pasojat në kurriz të vetin i ka sprovuar.
Folklori politik i ngritur nga veprimet populliste politike, shpeshherë i ka bërë dëme proceseve politike për dhe rreth Kosovës.
Kujtojmë kohën e para pavarësisë kur si objektiv kishim standardet para statusit dhe këtu dështuam, me veprime populliste në trazirat e marsit, dëshmuam se ende jemi larg për të arritur standarde e me këtë edhe rezultoi plani i Ahtisarit dhe përkufizimet e vendosura. Edhe sot, në rrethanat ekzistuese, ky folklor mund të na dëmtojë. Shenjat e para vërehen.
Politika perëndimore siç di të përkëdhel, di edhe të dënojë, aty nuk ka folklor, por ka pragmatizëm.
Entuziazmi për qeverinë e re, si ajo për Shpend Ahmetin në vitin 2014
Fitorja e Shpend Ahmetit në Prishtinë pati ngjallur entuziazëm të madh tek votuesit e simpatizantët e VV-së në vitin 2014.
Sivjet, Shpend Ahmeti, sipas një raporti, është kryetari me më së paku premtime të realizuara në mandatin e tij të fundit.
Bujë asokohe pati bërë udhëtimi me autobus i kryetari të Prishtinës, makina Q7 e Isa Mustafës dhe kiflet nëpër shkolla, të cilat më vonë ishin bërë subjekt shakaje e talljeje i qytetarëve në rrjetet sociale.
Largimi i njerëzve nga administrata publike, ecja në këmbë e kryeministrit dhe e ministrave të tij, po ngjallë po të njëjtin entuziazëm si në qeverinë e Prishtinës në vitin 2014.
Edhe qeverisja e VV-së në Prizren është përcjellur deri me tani me kritika dhe me ngritje të akuzave për korrupsion të zyrtarëve të kësaj komune.
Mbetet të shihet se sa kohë do të zgjasë entuziazmi i qytetarëve për qeverinë e re.