Politikë, na dhuro pak mjaltë ju lutem

Shkruar nga Bahri Bivolaku
Në kushte lirie dhe ku demokracia është në zhvillim e sipër padyshim që vlen proverbi i vjetër: Duke luftuar arrihet gjithmonë pak. Duke toleruar arrihet shumë më tepër sesa shpreson.
Politika në Kosovë është e stërmbushur me veprime simbolike, ku tolerancës i ka humbur kuptimi. Veprime të tilla takon edhe në pozitë edhe në opozitë dhe në raste të tilla asnjëra palë nuk po arrijnë tek arsyeja e ekzistencës së politikës e që është qëllimi, përkatësisht mënyra për të arritur tek vota e qëllimit nga qytetarët.
Bëhen veprime simbolike politike jo në kohë të duhur dhe mënyrën e duhur, por gjithnjë pas proceseve, ndodhive. Pra, nuk evitohet shkaku, por luftohet e kundërshtohet pasoja dhe atë me veprime inatqore e simbolika të shprehura.
Gjendja për më mirë nuk ndërrohet nga veprimet politike momentale duke ndihmuar dikë sot për nesër, apo mbajtur qëndrime me efekte politike 2-3 ditësh. Është kohë e veprimeve sistemore dhe duhet harruar logjikën e veprimeve të viteve të 90-ta.
Politika në këtë mënyrë trason rrugë dhe e arsyeton ekzistencën dhe qëndrueshmërinë. Sot si kurrë më parë, partitë kanë nevojë jo për të bërë politikë ditore dhe përmes simbolikave, por të avancojnë rolin e tyre me ofrim të ofertave të thjeshta programore karshi të gjitha çështjeve.
Nuk është mburrje sot nëse dikujt i ofron ndihmë momentale për ekzistencë, mbase ky edhe nuk është roli i politikës, por është mburrje nëse arrinë të krijosh kushte që çdo qytetarë të ketë mundësi të jetoj nga puna dhe djersa e tij.
Partitë politike karshi këtyre gjërave duhet të ofrojnë rrugë alternative, por jo duke luftuar njëra-tjetrën, por duke pasur bazë të veprimit tolerancën, pasi jam i sigurtë se do të arrijmë shumë më shumë në krijim të besimit qytetarë e rrjedhimisht edhe votës së qëllimit.
Linkolni para më shumë se 100 vjet, tregonte një proverb: Një pikë mjaltë tërheq më tepër miza se sa një litër uthull.
Gjykuar sipas kësaj proverbe, në realitetin politik të Kosovës ka shumë nevojë që qytetarëve mos tju ofrohet uthull por mjaltë, pra të ju ofrohet ofertë programore ku një pikë mjaltë tregon më shumë vende pune, zhvillim, drejtësi, cilësi në mësimmarrje, shëndetësi etj.
Kështu edhe arrihet tek vota e qëllimit, vota e kauzës dhe është vota më e mirë, pasi ka edhe qëndrueshmëri afatgjate.
Lëkundjet elektorale
Mik të ri gjen kudo, të vjetrin mos e harro thotë një fjalë e urtë popullore. Thënia e tillë më së miri tregon për zhvillimet dhe qëndrueshmërinë elektorale të partive politike në Kosovë. LDK-ja e ka të njohur se çdo të thotë kur elektorati i saj i dalë nga vota e kauzës, lëkundet...
Këtë gjë e ka përjetuar në periudhën pas rugoviane të saj dhe po i duhet kohë për të rifituar pozicionin dhe zgjuar elektoratin e saj tradicional. PDK-ja sigurisht që ka elektoratin më stabil të ndërtuar si rrjedhojë e procesit historik në të cilin u krijua.
Gjerë më sot, përkundër ca lëkundjeve, PDK-ja ka arritur ta ruaj embrionin e votës së qëllimit nga anëtarësia, të krijuar menjëherë pas krijimit të saj. Viteve të fundit vërehet një zbehje apo fillim i rënies në gjumë i këtij elektorati dhe gjithsesi reflektimi do të jetë tejet i madh dhe negativ nëse nuk ndërmirren masa sanuese.
Freskimet gjithsesi janë të mirëseardhura, porse anashkalimi i elektoratit, përkatësisht anëtarësisë më besnike të krijuar nga fillimi i ekzistencës së partisë do të lë gjurmë.
Ky elektorat e bën boshtin e ekzistencës së PDK-së si forca numër një në vend, të gjitha tjerat kanë role epizodike apo më mirë të themi ndihmojnë partinë në kohë e rrethana të caktuara.
Prurjeve të tilla u duhet kohë për të hyrë në pjesën e elektoratit besnik apo atyre që PDK-në e votojnë jo nga përfitimet e çastit, por nga vota e qëllimit. Edhe tek partitë tjera është e tillë gjendje por në përmasa më të vogla, duke e ditur edhe fuqinë më të vogël politike të këtyre partive.