Politikë e papërgjegjshme
Kosova i ka të gjithë shqiptarët politikanë, që të paktën në mënyrë sipërfaqësore i plotësojnë kushtet dhe shqiptarët nuk kanë probleme të kësaj natyre për të kërkuar në mes të tyre njerëz pa moral shoqëror.
Në fund të fundit, politika nuk ka moral të tillë. Problemi qëndron në atë se populli nuk duhet të merret me politikë dhe aq më shumë të tregohet militant i kësaj apo asaj partie.
Por, kultura jonë e rrudhur, varfëria e tejskajshme, problemet shoqërore në përgjithësi, shkollimi etj. janë transferuar në mënyrë objektive te politika. I gjithë strumbullari i problemeve të kamufluara që ndikojnë drejtpërdrejt dhe indirekt te një popull, është politika pa kriter, informatë, siç është ajo aktuale dhe pa një moral kombëtar.
Politikanët shqiptarë aktualë, të paformuar, të pabrumosur me një kulturë që merr anët pozitive nga historia e kombit shqiptar, larg reformimit të tyre si dhe larg modernizmit të politikave të tyre mesjetare dhe shumë problemeve të këtij lloj, krijon situata absurde, një kaos politik, një degradim të menjëhershëm të moralit të shoqërisë, një degradim të kulturës shqiptare, një imponim të dhunshëm të shfaqjeve negative politike tek popullata dhe si rrjedhim, kemi dhe do kemi probleme thelbësore kombëtare që kërkojnë kohë shumë të madhe, ndoshta shumë breza të tjerë, në mënyrë që të riparohen.
Jo më kot populli kërkon zgjidhjen e problemeve të tija tek politika, sepse politika shqiptare ashtu si dhe ajo ballkanike ka të kultivuar kultin e individit, a thua se individi përdor \"shkopin magjik\" për të zgjidhur probleme të mprehta shoqërore dhe ekonomike.
Nga njëra anë populli ka të drejtë të kërkojë aty ku \"është mësuar ta kërkojë\", pra ashtu siç e ka kultivuar. Po të shohim probleme të tilla të ngjashme me popuj të ndryshëm në vendet e zhvilluara perëndimore, individi nuk përfaqëson dhe realizon kërkesat e mprehta ekonomike, shoqërore dhe nuk ka mundësinë të realizojë disa kërkesa të tjera politike, historike, kombëtare pa mbështetjen e administratës shtetërore si dhe të popullit.
Kulti i individit është i ndërtuar dhe ndërthurur keqas vetëm te ne, në Ballkan dhe në shumë vende të botës orientale, duke lënë një popull në mëshirë të fatit, me premtime absurde, dhe shumë mashtrime të këtij lloji që janë goditje fatale për një popull që pret jo nga individi, por nga të zgjedhurit e tij që nuk janë të paktë.
Individi merr përsipër detyra që nuk i takojnë, vendos për fatet e një kombi, kërkon perspektivën, zhvillimin ekonomik në mënyrë idividuale duke rrezikuar rëndë çdo problem jetik për një popull. Në botën e zhvilluar individi, drejton vendin e tij politikisht dhe vendimet i merr pasi është konsultuar me këshilltarët e tij, bën referendume dhe mendimi i shumicës së këshilltarëve është mendimi unanim i individit për ta orientuar politikën e vendit të tij, atje ku ka kushte më të përshtatshme, më shumë stabilitet etj. Kurse te ne ndodh e kundërta.
Individi nuk merr parasysh as vërejtjet e këshilltarëve të tij, përbuz opozitën, përbuz popullin që e ka votuar dhe në mënyrë të tillë individi rrezikon në mënyrë totale, ose është \"de fakto\" rreziku që ai i sjell me përbuzjen e tij, me naivitetin e tij, popullit të tij.
Mendoj se politika shqiptare ka nevojë për reformim, ka nevojë për një Kushtetutë që nuk lë të abuzojë jo vetëm administratën, kryeministrin, por edhe presidentin. Rasti i presidentes së zgjedhur nga dy-tre parti që udhëhiqen nga kulti i tepruar i liderit është një rast që implikon opozitën dhe pozitën. Atëherë, kur veprime të tilla kryhen nga vetë ata që kanë marrë përsipër përgjegjësi kombëtare, çfarë mund të presësh?
Pra, edhe vështrimi i këtij populli, dëshira e tij për tu marrë me politikë dhe për të zgjidhur problemet atje ku vërtetë mbahet peng e ardhmja e tij, është rezultat i veprimtarisë të dobët të zgjedhurve të tyre, politikanë shqiptarë. Sot të gjithë janë të përzier në afera të ndryshme, janë të pandërgjegjshëm, jo të sinqertë, jo të vullnetshëm dhe e shohin karrigen si mjet fitimi individual dhe në shumë raste përdorin ligjin për interesa të tyre.
Populli nuk ka faj që merret me politikë, ashtu sikur nuk kemi faj edhe ne analistët që shkruajmë çdo ditë diçka të vlefshme për të ardhmen tonë e cila mbahet peng nga politika jonë e papërgjegjshme e çfarëdolloj krahu qoftë ajo.
(Autori është publicist nga Prishtina dhe anëtar i \'\'Nismës për Kosovën\'\')