Politikat ekonomike e sociale dhe koncepti Social Demokrate
Shkruar nga Halil J. Halili
Në teorinë dhe praktiken politike por edhe në shtetet më të mëdha dhe më të zhvilluara gjithnjë e më shumë po ripranohet ideja e intervencionizmit shtetror dhe e rregullatorit social të ekonomisë së tregut, pra rol të ndryshuar dhe të përforcuar të shtetit ne sferën e prodhimit dhe rregullatorit social.
Fjala pra është për idetë dhe programet për të cilat është besuar se në shoqëritë e zhvilluara të menaxhmentit teknologjik, kapitalizmit (neo)liberal, jo vetëm se janë arritur por edhe tejkaluar, pra është për idetë social demokrate.
Kriza ekonomike, financiare, e vërtetoi megjithatë se kapitalizmi pa intervenimin shtetëror nuk mundet te jetë i vetëqëndrueshëm, vetrregullator i zhvillimit shoqëror dhe ekonomik. Realizimi konceptit social demokrat do të duhet të prodhoj siguri sociale për një numër të madh të shërbimeve publike, te cilat duke filluar nga njëjtësia dhe barabarësia, solidariteti dhe të drejtat e njeriut duhet të ju afrohen të gjithëve qytetarëve.
Kthimi dhe afirmimi i ideve social demokrate në boten e zhvilluar bashkëkohore nuk nënkupton edhe largim nga modeli bazë i ekonomisë kapitaliste por fjala është për gjetjen e masave të intervenimit shtetëror të cilat do te duhej te siguronin një shoqëri stabile dhe humane.
Kosova është në një pozitë komplekse ekonomike e cila si e tillë determinon edhe gjendjen sociale si dhe politikat sociale. Të gjithë indikatorët makroekonomikë dhe socialë e vendosin Kosovën në mesin e vendeve më të varfra në Evropë. Politikat ekonomike Shtetërore duhet të udhëhiqet së pari nga interesi për garantimin e bazës për rritje ekonomike, punësim dhe mirëqenie.
Veç kësaj duhet kushtuar vëmendje të veçantë edhe çështjes sociale, mbrojtjes së mjedisit dhe mënyrës transparente të qeverisjes së vendit. Prandaj edhe pikat më të rëndësishme të politikës Shtetërore Kosovare, do të duhej të jenë politikat e punësimit dhe zhvillimit ekonomik, përmes reformave ekonomike dhe sociale (liberalizim të tregut, krijimin e një mjedisi më të favorshëm për investime, privatizimit dhe drejtësi sociale), barazia gjinore, mbrojtja e mjedisit dhe e konsumatorit, legjitimimi demokratik dhe krijimi i institucioneve afër me qytetarin.
Politikat sociale të një vendi kanë ndikim të drejtpërdrejtë përveç të tjerash edhe në të drejtat e njeriut të qytetarëve të atij vendi ngase të drejtat ekonomike dhe sociale janë të ndërlidhura nga këto politika, rritja e shkallës së punësimit ndikon në përmirësimin e situatës sociale dhe anasjelltas.
Përkrahja sociale në Kosovë është e orientuar kryesisht drejt ndihmës monetare mujore për familjet e varfra, për personat me aftësi të kufizuar, përfshirë edhe fëmijët, për pensionistët të cilët e gëzojnë të drejtën e pensionit sipas ligjit në fuqi, për kategoritë e invalidëve të luftës dhe familjeve të Dëshmorëve si dhe skemën për ish-pjesëtarët e TMK-së.
Përmes këtyre skemave sociale dhe pensionale vlerësohet se numri i përfituesve sillet në rreth 331 mijë. Kosovës i mungon një sistem i sigurimeve shëndetësore edhe pse kanë ekzistuar dhe vazhdojnë iniciativa për krijimin e një sistemi të sigurimeve shëndetësore dhe janë bërë studime të qëndrueshmërisë së një sistemi të tillë të sigurimeve shëndetësore.
Koncepti Social Demokrate për Shtetin e Kosovës është me më shumë barazi sociale, demokraci në shtet dhe ekonomi, si dhe më tepër solidaritet mes qytetarëve. Social Demokracia është për një Shtet që do të sillte përforcimin e demokracisë por në të njëjtën kohë do të ruante larminë kulturore të qytetarëve. Social Demokratet janë në anën e modernizimit dhe ndryshimeve, ne përputhje me realitetet e reja te jetës se njerëzve.
Një objektiv aktual i rëndësishëm Social Demokrate është zhvillimi i një modeli social Kosovar, prandaj kërkohet një strategji e koordinuar e rritjes ekonomike, dhe krahas kësaj duhet të ketë një diskutim më intensiv të çështjeve sociale në tregun e brendshëm. Kur flasim për drejtësinë sociale atëherë koncepti Social Demokrate sipas politologut Gjerman Wolfgan Merkel fokusohet në këto pesë prioritete të drejtësisë sociale:
1. Luftimin e pakompromis të varfërisë ekstreme;
2. Aplikimin e standardeve sa më të larta, të mundshme për arsimim, duke mundësuar qasje të barabartë dhe të drejtë për të gjithë;
3. Sigurim i punësimit për të gjithë ata që dëshirojnë dhe janë të aftë për punë;
4. Shtet Social i cili ofron mbrojtje dhe dinjitet;
5. Kufizim i pabarazive në të ardhura dhe në pasuri.
Shteti duhet të luaj rol aktiv në fuqizimin e drejtësisë sociale dhe modernizimin ekonomik, por gjithnjë duke balancuar përmbushjen e synimeve individuale për mëvetësi dhe liri të zgjedhjes dhe përgjegjësi të bashkësisë.
Shteti i Kosovës do të duhej të orientoj politikat ekonomike dhe sociale komfor prioriteteve te drejtësisë sociale dhe nuk i duhen politika si vendimi që tatimi në korporata apo tatimi në fitim të ulet nga 20 në 10 %. Nuk ka asnjë tregues ekonomik qe referon ndonjë rritje te investimeve apo çfarëdo përfitimi tjetër nga Shteti. Apo dhe vendimi për tatimin në paga për rrogat që janë mbi 450 euro që është zvogëluar nga 20 në 10%.
Prandaj do të duhej të rishikohet tatimin në paga për kategorinë e cila merr rroga të larta, psh. ata që marrin rrogë mbi 600 euro të paguajnë tatim 20% apo edhe më shumë, praktikat e shteteve të rajonit psh. Kroacia ku tatimi në paga të larta shkon edhe deri 40% do të duhej të ishin referues për ne.
Një tjetër imperativ Social Demokrat është edhe Integrimin në BE-së të cilin Social Demokracia e sheh si një shans historik për t'i dhënë fund përfundimisht ndarjes së Evropës, për zgjerimin e kufijve gjeografikë dhe mbështetjen e demokracisë dhe stabilitetit në të gjithë kontinentin.
Qasja Social Demokrate konsideron se BE është një instrument për t'iu përgjigjur sfidave, që shtete të veçanta kombëtare nuk mund t`i përballojnë më vete. Këtu bëjnë pjesë globalizimi i ekonomisë por edhe terrorizmi, varfëria, krimi i organizuar, krizat buxhetore- financiare etj.