Politika që po na çon drejt greminës
Shkruar nga Margarita Kadriu
Republika e Kosovës e humbi edhe një vit të turbullt e me turbulenca, e sunduar nga nëntoka dhe mafio-oligarkët, dhe pa arritur të tregojë e të dëshmojë se është një shtet që mund të konsolidohet.
Në fund të 2016-s, secili e bën bilancin e tij, por të paktën për ata që do të duhej të ishin në shërbim të publikut, ky vlerësim nuk mund të jetë pozitiv, nëse merret parasysh realiteti.
Nëse do të kishim pasur një qeverisje efektive, në të dyja nivelet e pushtetit, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, tash do të flisnim për një mirëqenie të ngritur të qytetarëve, disa dhjetëra mijëra vende të reja të punës, shtim të investimeve të huaja, arsim më cilësor dhe shëndetësi më të sigurt, rend,rregull dhe drejtësi, barazi para ligjit dhe jo diskriminim, terrene të përshtatshme sportive, art e kulturë.
Për të gjitha këto, por edhe plot sfera të tjera, që prekin interesin e popullatës, është folur fare pak dhe thuajse s\'është bërë asgjë. Kosova mbetet ndër shtetet me regjim gjysmë- autoritar, me liri të pjesshme, me nivel alarmant të korrupsionit dhe me një drejtësi fare të pafuqishme për të ndëshkuar kriminelët, pavarësisht rrobave që mbajnë, pushtetare a partiake, klanore a oligarkike.
Njerëzit në fund të këtij viti janë më të pashpresë dhe më të varfër, më të papunë e më të padijshëm, më të shkelur e më të diskriminuar.
Shteti i kapur
Kapja e shtetit, që dikur në fushata \"luftohej\" nga opozita, sot ka njohur thellime të reja, të frikshme, kur edhe nga opozita dhe mafio-oligarkët e vet është ngufatur e kapur kryeqyteti. Pikërisht nga ata që dikur në opozitë \"e mbanin flamurin e antikorrupsionit, ndershmërisë, pastërtisë,\" tani u zhytën thellë në batakun e mafio-politikës, u përfshinë në rrethin kriminal të mafio-oligarkëve që kontrollojnë gjithçka.
Atëherë, çfarë mund të thuash për të ardhmen e këtij vendi në vitet në vijim? Por, ku ishte Kuvendi, si organi më i lartë, në këto rrethana krize, ngecjeje, regresi? Përfaqësuesit e popullit, në përgjithësi, mund të thuhet se nuk arritën ta shndërrojnë legjislativin në zërin e interesave të sovranit popull.
Për shumicën e parlamentarëve, ky vit, si rëndom çdo vit tjetër, ishte i mirë financiarisht, sepse morën paga e bonuse të majme, shëtitën me para të shtetit, punësuan miq e të afërm, votuan individët e rrjeteve klienteliste për anëtarë bordesh të kompanive publike, agjencive të pavarura, e kështu, pra bënë gjithçka për interesin personal, e pothuaj asgjë për interesin e gjerë publik të qytetarëve të këtij vendi. Edhe sivjet u dëshmua se klasa politike është e aftë të krijojë vetëm probleme, por e paaftë për t\'i zgjidhur ato.
Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe janë çështje të ndjeshme, që duhet të adresohen në frymë vetëm konsensuale, sepse tejkalojnë caqet e marrëveshjeve të zakonshme të ditës.
Gabimet në secilin rast kanë pasoja të rënda për Republikën, por Qeveria nuk e mirëkuptoi asnjëherë opozitën, ndërsa kjo e fundit përdori çdo mjet të mundshëm, përfshirë edhe gazin lotsjellës në Kuvend, për ta ndjekur agjendën e vet kundërshtuese. Si rrjedhojë, ja ku jemi, pa liberalizim vizash, të izoluar e të vetmuar në katrahurën tonë tepër të mjerë.
Të korruptuarit amnistohen
Asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar as sivjet. Sistemi i drejtësisë, i kapur nga nëntoka dhe grupet e interesit, vihet në lëvizje vetëm kur preken interesat e pushtetarëve mafiozë,apo kur duhet të eliminojnë kundërshtarët politikë.
Me këto gjykata dhe prokurori, të ndikuara politikisht,të cilët i kemi dëgjuar të gjithë në aferën \"Pronto 2\", se si emërohen gjyqtarët dhe prokurorët, veç sundim ligji nuk mund të presim.
Rasti më i freskët është ai i arbitrazheve ndërkombëtare për PTK-në, ku Kosova tanimë e pësoi me mbi 30 milionë euro gjoba e ndëshkime.
Drejtësia, në vend që të bëjë hetime për vepër penale kundër zyrtarëve që kanë nënshkruar kontratën e padrejtë dhe kriminale me \"Z-Mobile\", sikur edhe atë për privatizimin e dështuar qëllimshëm me \"AXOS\"-in fantom, ajo vazhdon të hesht. Shteti vazhdon të rrezikohet edhe për 400 milionë euro nga Arbitrazhi ndërkombëtar, ku sërish dyshohet se fshihen figura të krimit në Kosovë.
Për fat të keq, edhe aty ku do të duhej hapur kjo temë për të debatuar, në Kuvendin e Kosovës, ka një rezistencë të fuqishme për ta bllokuar këtë nismë.
U deshën plot 4 muaj për të pritur që propozimi im dhe i 9 deputetëve për ta diskutuar si çështje urgjente këtë rrezik për buxhetin dhe shtetin në Kuvendin e Kosovës, por as edhe një deputet nuk foli asgjë, thuajse bëhej fjalë për 500 euro e jo për gati 500 milionë euro.
Për më tepër, as rekomandimet e mia që u hodhën për votim me disa muaj vonesë në Kuvendin e Kosovës nuk morën votat e mjaftueshme.
E, ajo çfarë kërkova unë në mes tjerash ishte që \"Qeveria e Republikës së Kosovës të kërkojë nga prokuroria që menjëherë të fillojë hetimin për të verifikuar nëse zyrtarët e përfshirë në këto procedura të prokurimit kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe për këtë të njoftojë Kuvendin\".
Si gjithnjë, temat e ndjeshme, si monopolet në ekonomi, arbitrazhet si skenarë të paralajmëruar për ta zhvatur buxhetin e Kosovës,dhe as privatizimet kriminale nuk gjeten vend në agjendën e Kuvendit të Kosovës.
Mafio-oligarkët, që i financojnë të gjitha partitë, nuk duhet t\'i prekë kush, sepse ata ende janë të paprekshëm e të mbrojtur nga politika dhe e kanë ligjin nën këmbët e tyre. As ndërkombëtarët sikur nuk kanë çfarë t\'u bëjnë, përderisa heshtin e bëjnë sehir
Denoncimi i krimit, sakrificë e madhe
Bile, kushdo që tenton të hapë tema të tilla tabu përballet me fushatë shpifjesh dhe fyerjesh në mediet mercenare të regjimit, e të paguara nga nëntoka kriminale. Por, ajo që i mbetet një përfaqësuesi të popullit është të mos ndalet nga denoncimi i krimit të madh që ka përfshirë Kosovën.
Çdo mekanizëm ligjor duhet ta shfrytëzojmë për ta zbardhur të vërtetën për secilin rast ku dyshohet se ka korrupsion dhe krim, abuzim me ligjin e shpërdorim të buxhetit.
Por, jo me gazin lotsjellës! Kuvendi është përgjegjës për t`i kërkuar llogari Qeverisë dhe jo vartës i saj. Por, jo për t`u shndërruar Kuvendi në arenë gladiatorësh në luftën për pushtet! Këtë, si duket, disa nuk e kanë kuptuar ende.
Kur ta marrin vesh, ndoshta do të jetë tepër vonë, sepse mandati dikur mbaron. Por, cila është zgjidhja dhe a ka shpresë për një alternativë të re? Kur subjektet aktuale i rezistojnë reformimit të mirëfilltë, mundësia e vetme është krijimi i ndonjë partie të re.
Kushti kryesor për të pasur sukses është të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të mafio-oligarkëve, të cilët po kontrollojnë çdo gjë dhe po i zhvatin qytetarët, asetet dhe buxhetin e shtetit. Një parti të tillë do ta mbështetnin qytetarët, edhe pse një subjekt kësisoj nuk shihet ende në horizontin e tejmjegulluar e të ndotur të Kosovës. Le të hyjmë pra në vitin 2017, me energji pozitive, me shumë punë e përkushtim, si dhe me shpresë për ndryshim!
(Autorja është deputete e pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës)