Politika në mes të vajtimit dhe veprimit
Shkruar nga Bahri Bivolaku
Sienergjia e një koncepti politik, ku bashkohen shumë akterë, qofshin ata nga partitë politike, opinionbërës a shoqëri civile dhe që si bosht të veprimtarisë kanë vajtimin, na kanë lodhur.
Me politikën e vajtimit vërtetë jemi ngopur, duke ditur se kemi bashkëjetuar shumë kohë në vitet e 90-ta dhe periudhës së viteve të fundit. Politika e tillë ka humbur qëllimin e mbase edhe kohën për të vepruar.
Ndalimi i trenit serbo-rus, që në mënyrë të jashtëligjshme tentoi të hynte në Kosovë për të përçuar një mesazh politik, tregoi se politika institucionale kur do, din të veprojë.
Veprimi politik na bëri krenarë e mobilë për shtetin tonë. Kjo politikë kuptoi se liria është mirazhi, nga ku gjendet shkaku i lëvizjes që si rrjedhorë ka përgjegjshmërinë.
Nëse ne jemi të lirë, pse mos të jemi edhe të përgjegjshëm për ti dhënë kuptimin esencial lirisë dhe mirazhit nga ajo vie.
Veprimi politik me ndalimin e trenit ruso-serb për të hyrë në Kosovë, na bëri të kuptojmë se liria dhe përgjegjshmëria nuk duhet të jenë të kuptuara si përceptim i brendshëm e teorik, por që përmes shqisave tona ta kuptojmë realitetin dhe nevojat praktike karshi tij e jo vajtimin.
Prestigji i një politikani a partie në masë, lindë jo nga vajtimi për një gjendje, por mbi pengesat e kapërcyera e jo duke i thelluar ato dhe mbetur aty për të vajtuar.
Veprimi tregoi edhe një gjë se gjithçka që bëhet në emër të demokracisë duhet të bëhet në rrugë demokratike e jo të veprimeve populliste e të çakorduara.
U dëshmua se ka ardhur koha që shumica tani të tregojë edhe vërtetësinë e veprimeve politike dhe qeverisëse, e cila më pas krijon besimin.
Veprimi i tillë padyshim që do të krijojë ambient, ku politika jonë do ti kthehet mendimit pozitiv përkundër lëndimeve individuale a grupore.
Asaj tani nuk duhet ti mungojnë idetë e të gjithëve për të ndërtuar konceptin e qartë programor nacional, e i cili trason rrugën, të cilën breza të tërë e filluan.
Tani Kosovës nuk duhet ti mungojnë idetë rregullative politike. Politika e saj duhet të flakë idetë konfliktuale e demonizuese.